Ndërlidhjet

Zgjedhja e Avokatit të Popullit rrezikon të kthehet në pikën zero


Foto nga arkivi.
Foto nga arkivi.

Që nga 2 korriku i këtij viti, Avokatit të Popullit, Hilmi Jasharit i ka kaluar mandati. Megjithatë, ai do të ushtrojë këtë funksion deri në zgjedhjen e pasuesit të tij.

Procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit rifilloi në muajin mars, mirëpo aktualisht, kredibliliteti i këtij procesi është vënë në pikëpyetje nga shoqëria civile që ka shprehur dyshime për manipulim.

Dilema për procesin kanë edhe vetë deputetët që janë pjesë e Komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut.

Ata shfaqën mospajtime sa i takon numrit të personave që ishin përzgjedhur nga komisioni vlerësues për t’u dërguar për votim në Kuvendin e Kosovës.

Paneli përzgjedhës kishte rekomanduar katër emra me arsyetimin se dy prej tyre kishin pikë të barabarta.

Por, në këtë rast, pikë të barabarta kanë kandidati i parë dhe i dytë.

Avokati i Popullit
Avokati i Popullit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, që është në opozitë, Salih Zyba, beson se kjo bie ndesh me rregulloret e punës së kuvendit.

“Kemi kundërshtuar që të shërbehet seanca me katër emra. Për shkak që të mos vihet në lajthitje e të bëhet ndonjë shkelje procedurale, për faktin se konsiderojmë se është shumë i nevojshëm një interpretim ligjor në këtë fazë”, thotë Zyba.

Por, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e Komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, Duda Balje, thotë se janë në pritje të interpretimit të Zyrës ligjore të kuvendit, përpara se t’i dërgojnë emrat për votim në kuvend.

Balje shprehet optimiste se Avokati i ri i Popullit do të zgjidhet në fillim të muajit shtator, pasi aktualisht kuvendi është në pushim.

“Ne jemi duke pritur interpretimin ligjor nga Zyra ligjore e kuvendit sepse në Komision nuk kemi gjetur mënyra për bashkëpunim dhe unë tash kam dorëzuar një letër, përmes së cilës zyrtarisht jam duke kërkuar mendim nga Zyra ligjore e kuvendit. Tash jemi në fazën e pritjes. Ne jemi tani në pushim dhe unë mendoj se prej fillimit të muajit të ardhshëm do të votojmë për Avokatin e ri të Popullit”, thotë Balje.

Në garë të ngushtë për pozitën e Avokatit të Popullit aktualisht janë katër emra, Edona Hajrullahu që ka shërbyer si zëvendësavokate e Popullit mandatin e kaluar, Naim Qelaj që ishte emëruar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj në postin e zëvendësministrit të Drejtësisë, Xhavit Shala dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Dyshime për manipulim të procesit

Për shkak të dyshimeve për manipulime në procesin e përzgjedhjes së Avokatit të Popullit, shoqëria civile, po kërkon kthimin e këtij procesi në pikën zero.

Grupi i organizatave të shoqërisë civile, që kanë monitoruar procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, konsideron se ka pasur mungesë transparence që nga intervistimi e deri në fazën e vlerësimit të kandidatëve për këtë garë.

Vullnet Bugaqku nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Kosovë, thotë se procesi i intervistimit dhe vlerësimit ka qenë joprofesional.

“Ka qenë një proces tërësisht joligjor, jotransparent dhe është përcjellur me vendime prapa dyerve të mbyllura. Ne e kemi njoftuar edhe kryetaren e kuvendit, edhe kryesinë edhe ambasadën britanike ku kemi kërkuar që ky proces të rivlerësohet, do të thotë të kthehet edhe njëherë në pikën zero, ku duhet të ftohen edhe njëherë të gjithë kandidatët”, thotë Bugaqku.

Kundër këtij procesi të përzgjedhjes së Avokatit të Popullit, përveç Grupit për Studime Juridike dhe Politike, janë shprehur edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe instituti KIPRED.

Organizatat e shoqërisë civile përpos përsëritjes së konkursit kanë kërkuar edhe përfshirjen e ambasadës britanike në Prishtinë, e ku sipas tyre ekspertët britanikë do të jepnin një vlerësim objektiv për secilin kandidat.

Avokati “pa mandat”

Që nga 2 korriku i këtij viti, Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë ka mbetur me ushtrues detyre. Hilmi Jashari, që mbajti këtë pozitë në pesë vjetët e fundit, ka mbetur pa mandat që nga kjo datë.

Jashari mbetet ushtrues detyre deri në zgjedhjen e Avokatit të ri. Këtë ia ka mundësuar Kuvendi i Kosovës.

Me Ligjin për Avokatin e Popullit, procedura e përzgjedhjes së Avokatit të Popullit duhet të fillojë gjashtë muaj para skadimit të mandatit.

Procesi i përzgjedhjes së Avokatit të Popullit është shoqëruar me telashe edhe në të kaluarën.

Para se Hilmi Jashari të zgjidhej në këtë pozitë, Kuvendi i Kosovës, në vitin 2015 kishte dështuar që t’i votonte kandidatët që ishin dërguar për votim në seancë.

Kështu që ishte përsëritur konkursi ku votat e nevojshme i kishte marrë, Hilmi Jashari.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit bëhet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët votojnë për kandidatët që i rekomandon Komisioni parlamentar për të drejtat e njeriut.

XS
SM
MD
LG