Ndërlidhjet

Hodges: Qeveria serbe të jetë syçelë, bashkëpunimi me Kinën prodhon pasoja negative


Frederick Ben Hodges. Foto nga arkivi.

Serbia gëzon të drejtën e saj sovrane për të blerë armë nga Kina ose nga kushdo tjetër, por Qeveria serbe duhet të jetë shumë syçelë, thotë për Radion Evropa e Lirë, Frederick Ben Hodges, bashkëpunëtor i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), me seli në Uashington.

Sipas tij Perëndimi duhet të garojë me Kinën në këtë drejtim për ofrimin e kushteve më të mira.

Hodges, i cili ka komanduar forcat e Shteteve të Bashkuara në Evropë midis 2014 dhe 2017, thotë se Serbia duhet të vendosë se si të shmanget nga zëvendësimin e një varësie, asaj nga Kremlini, me një varësi tjetër – nga Partia Komuniste e Kinës.

Gjenerali amerikan në pension, shpreson se Qeveria e Serbisë, do të bëjë atë që është më e mira për rininë serbe, në mënyrë që të arrijë marrëveshje të mira dhe premtuese nga të cilat ata do të përfitojnë në të ardhmen.

Radio Evropa e Lirë: Në periudhën e fundit, Serbia bleu armatim kinez për ushtrinë serbe. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se po zhvillohen bisedime për blerjen e sistemit raketor kinez FC-3. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara iu përgjigjën iniciativës duke e paralajmëruar Serbinë. Sipas mendimit tuaj, cilat janë pasojat e mundshme të blerjes së armëve nga Kina?

Frederick Ben Hodges: Të bërit biznes me Kinën zakonisht prodhon disa rezultate negative siç janë: transferimi ose vjedhja e teknologjisë, dërgimi i fuqisë punëtore kineze, e cila e zvogëlon fuqinë punëtore në vend, si dhe marrëveshje jashtëzakonisht të pafavorshme për ripagimin e borxhit kinez.

Sigurisht se Serbia gëzon të drejtën sovrane për të blerë armë nga Kina ose kudo që dëshiron, por qeveria duhet të jetë shumë syçelë.

Unë do të prisja që Ministria e Mbrojtjes e Serbisë të kushtojë vëmendje të duhur kur bëhet fjalë për përcaktimin e ndërveprimit kinez brenda sistemeve dhe koncepteve të mbrojtjes, po ashtu edhe qëndrueshmërisë, që do të thotë, vëzhgimit të mirëmbajtjes afatgjate, pastaj municionit, trajnimit, zëvendësimit etj.

Serbia duhet të shmangë një zëvendësim të varësisë nga Rusia, në atë të Kinës

Radio Evropa e Lirë: Si e kuptoni interesimin e kinezëve për t'i ofruar armë Serbisë, nga njëra anë dhe që Serbia t’i pranojë ato, nga ana tjetër? A mund të shkaktojë kjo një lloj reagimi rus?

Frederick Ben Hodges: Të shikosh në përgjithësi, metodologjia e kinezëve për të shtrirë ndikimin në Evropë, Afrikë dhe gjetkë zakonisht bëhet përmes zhvillimit të trafikut, tregtisë dhe teknologjisë informative. Kjo është normale, por për vendet ku Kina e zgjeron interesin e saj, kjo vjen me probleme të shumta potenciale, të cilat i përmenda edhe më lartë.

Perëndimi duhet të garojë me Kinën në këtë fushë, duke i ofruar Serbisë mundësi më të mira.

Serbia e vitit 2020 nuk është ajo e vitit 1999. Besoj se shumica e serbëve dëshirojnë integrimin e mëtutjeshëm në Perëndim dhe se shumica e të rinjve duan të ardhura më të mira, mundësi më të mira për shkollim dhe kujdes shëndetësor. I takon Qeverisë së Serbisë të vendosë sesi do t’ua ofrojë këtë dhe sesi t’i shmanget zëvendësimit të varësisë nga Rusia në atë të Partisë Komuniste Kineze.

Me duket se Qeveria e Serbisë në këtë rast po përpiqet të balancojë shumë faktorë të ndryshëm.

Radio Evropa e Lirë: Cili mund të jetë reagimi i Moskës?

Frederick Ben Hodges: Nuk do të isha i befasuar nga paralajmërimet e Kremlinit dhe as nga fakti që bën presion në Qeverinë e Serbisë, përmes grupeve të veteranëve, organizatave ekstremiste, madje edhe përmes Kishës Ortodokse, siç ndodh rëndom.

Në fund të fundit, megjithatë shpresoj se Qeveria e Serbisë do të bëjë atë që është më e mira për të rinjtë e Serbisë, në mënyrë që t'u sigurojë atyre marrëveshje më të mira dhe më premtuese, nga të cilat ata do të përfitojnë në të ardhmen.

Konflikti i mundshëm me Kinën në pesë vjetët e ardhshme

Radio Evropë e Lirë: John Mearscheimer nga Universiteti i Çikagos pretendon se do të ketë një luftë të ftohtë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në shekullin XXI dhe se Rusia do të vazhdojë të dobësohet. Ndërsa ju, dy vjet më parë, keni thënë në Forumin e Sigurisë në Varshavë se ekzistonte një "potencial të luftës" midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në 15 vjetët e ardhshme. A e keni ende atë qëndrim?

Frederick Ben Hodges: Po, e kam. Unë do të thosha që potenciali për një konflikt me Kinën është në të vërtetë më i mundshëm në pesë vjetët e ardhshme sesa në 15 vjetët e ardhshme.

Shpresoj se e kam gabim, por fatkeqësisht mendoj se sjellja agresive dhe e paligjshme e Kinës, në rastin e Detit të Kinës së Jugut dhe Hong Kong, si dhe kërcënimet ndaj Tajvanit, na vendosin në rrugën drejt një konflikti të mundshëm, megjithëse ai që mund të jetë i tipit të kufizuar. Unë nuk mendoj se do të jetë një konflikt në kontinentin aziatik, por me siguri më tepër në det dhe në ajër, potencialisht në hapësirë.

Për këtë arsye është kaq e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë të sigurojnë një aleancë të fortë të NATO-s dhe partneritete me vendet jo-NATO.

Ne duhet të konkurrojmë me Kinën në fushën ekonomike dhe me Kremlinin në atë diplomatike dhe informative. Në rast të një konflikti me Kinën, përfundimisht, do të jetë e nevojshme që shtylla evropiane e NATO-s të vazhdojë të ndalojë agresionin e Kremlinit, pa një ndihmë të madhe ushtarake amerikane sepse SHBA-së do t’i duhet përfshirja e më shumë burimeve në një konflikt të mundshëm me Kinën.

Radio Evropa e Lirë: Si i shihni ju raportet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në vitet në vazhdim?

Frederick Ben Hodges: Rusia është një vend i shkëlqyeshëm, por është një vend me shumë vështirësi dhe ka një regjim, i cili i ka bërë më shumë dëme dhe të këqija popullit rus sesa çdo fuqi tjetër e jashtme që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kremlini respekton vetëm forcën dhe përçmon dobësinë. Nëse NATO-ja mbetet e fuqishme dhe e bashkuar, me një angazhim të fortë dhe të pagabueshëm amerikan në Evropë, atëherë unë mendoj se Kremlini do të zmbrapset.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG