Ndërlidhjet

Demokratët, shënjestra për kritika të republikanëve në konventë


Konventa e republikanëve, 24 gusht, 2020.
Konventa e republikanëve, 24 gusht, 2020.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe pjesëtarë tjerë të Partisë Republikane kanë synuar të paraqesin demokratët në Konventën e tyre Kombëtare si radikalë të majtë që do të përfshihen në kaos ekonomik e politik nëse nën-presidenti Joe Biden fiton pozitën e presidentit.

Konventa katërditore, që kryesisht do të zhvillohet në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë me koronavirus, ka nisur më 24 gusht kur republikanët edhe zyrtarisht kanë nominuar Trumpin për një tjetër mandat katërvjeçar si president, pavarësisht kritikave ndaj tij për menaxhim të situatës me koronavirus, situatës ekonomike dhe trazirave të fundit racore.

Përgjatë një paraqitjeje në Karolinën Veriore, Trump ka hedhur dyshime për integritetin e zgjedhjeve të muajit nëntor, teksa ka përmendur votimin përmes postës, që besohet të shfrytëzohet më shumë si mundësi gjatë pandemisë me koronavirus.

Ekspertë të pavarur për sigurinë e zgjedhjeve kanë thënë se mashtrimet me vota janë incidente shumë të rralla në Shtetet e Bashkuara.

“Mënyra e vetme që ata mund t’i marrin këto zgjedhje prej nesh është përmes mashtrimeve me vota. Ne do t’i fitojmë këto zgjedhje”, ka thënë Trump.

Demokratët, që kanë organizuar konventën e tyre virtuale javën e kaluar, duke shpërfaqur partinë e tyre si të punëtorëve, imigrantëve, grave dhe minoriteteve, kanë qenë të përgatitur për mesazhet e republikanëve, duke treguar sesi amerikanët janë dëmtuar nga politikat e administratës së Trumpit dhe mungesa e udhëheqësisë.

Ata kanë përdorur në postimet e tyre shprehjen, kaosi i Trumpit (#Trumpchaos).

Mediat amerikane dhe Komiteti Kombëtar i Demokratëve po ashtu kanë analizuar vërtetësinë e deklaratave të republikanëve.

Presidenti dhe një varg folësish kanë lavdëruar përgjigjjen e Trumpit ndaj pandemisë, duke thënë se presidenti ka vepruar për të shpëtuar jetën e njerëzve dhe duke ofruar lehtësime fiskale e monetare për ekonomi.

Këto deklarata janë kritikuar menjëherë nga demokratët, të cilët kanë thënë se Trump ka hedhur poshtë rrezikun për virusin në javët e para dhe ka hezituar në marrjen e vendimeve kyçe, përfshirë vendosjen e maskës.

“Personi i vetëm përgjegjës për përgjigjen tonë të dështuar nga COVID-19 është Donald Trump”, ka thënë kandidati demokrat për president, Joe Biden.

Shtetet e Bashkuara janë një prej vendeve të prekura më së keqi në botë nga koronavirusi, i cili deri më tani vetëm në SHBA, ka lënë të vdekur 175,000 persona dhe ka infektuar të paktën 5.7 milionë amerikanë.

Nikki Haley, ish-guvernatore e Karolinës Jugore dhe ish-ambasadore në Kombet e Bashkuara ka tentuar të heqë vëmendjen nga koronavirusi, duke u fokusuar në ekonominë e fortë dhe shkallën e ulët të papunësisë, para se të shpërthente pandemia.

“Para se të na japë koronavirusin Partia Komuniste, ne kemi qenë duke thyer rekorde ekonomike. Pandemia na ka kthyer mbrapa, mirëpo jo për shumë gjatë. Presidenti Trump na ka kthyer ekonominë në të kaluarën dhe ai do ta kthejë atë sërish”, ka thënë Haley, që konsiderohet si kandidate potenciale republikane për presidente më 2024.

“Joe Biden dhe e majta socialiste do të ishin shkatërrues për ekonominë tonë. Mirëpo presidenti Trump është duke udhëhequr drejt një epoke të re të mundësisë”.

Ajo ka kritikuar demokratët edhe për fokusimin e tyre në politikat për identitet dhe pretendimet për racizëm sistematik në Shtetet e Bashkuara, përgjatë konventës së organizuar javën e kaluar.

“Amerika nuk është shtet racist”, ka thënë Haley, duke përmendur se prindërit e saj kanë qenë imigrantë nga India.

“Amerika nuk është perfekte, mirëpo parimet e saj janë perfekte”.

Në kohën e pretendimeve nga kritikët se presidenti Trump ka nxitur racizëm, në Konventën e republikanëve ka folur edhe senatori i Karolinës Jugore, Tim Scott, njëherësh senatori republikan i vetëm me ngjyrë.

Scott, që ka qenë folësi i fundit në natën e parë të Konventës, ka përshëndetur përparimin e bërë në çështjet racore, si dhe ka thënë se mbështetja e republikanëve është mënyra e vetme për të arritur ëndrrën amerikane.

“Në një distrikt me shumicë të të bardhëve, votuesit nuk më kanë gjykuar për shkak të ngjyrës së lëkurës sime, por për shkak të karakterit tim”, ka thënë Scott.

“Ne jetojmë në një botë që dëshiron që ju të besoni në lajme të kqija në aspektin racor, ekonomik dhe kulturor”.

Trump aktualisht është duke synuar të fitojë më shumë përkrahje nga njerëzit me ngjyrë pasi të dhënat kanë treguar për 6 për qind të përkrahjes më 2016.

Shtetet e Bashkuara janë përballur me një verë të trazirave, pas vdekjes së afrikano-amerikanit, George Floyd teksa ka qenë në mbajtje nga zyrtarët policorë në Mineapolis.

Vdekja e tij ka nxitur ndasi të mëdha racore dhe kritika për praktikat policore në një vit po ashtu të ndarë politikisht për shkak të zgjedhjeve.

Si përgjigjje ndaj protestave në Portland, Sietëll, Denver, Nju Jork, Mineapolis dhe qytete tjera të drejtuara kryesisht nga demokratët, Trump ka tentuar ta portretizojë veten si kandidat i ligjit dhe rregullit që do të veprojë kundër anarkisë në rrugë.

Ai po ashtu ka promovuar të ashtuquajturën mundësi ekonomike në zonat me popullsi të personave me ngjyrë, si dhe zotimet për reformat në drejtësinë penale.

Në Konventën e republikanëve pritet të ofrohen më shumë të dhëna për strategjinë e republikanëve deri në fund të fushatës zgjedhore, që përmbyllet me procesin zgjedhor të 3 nëntorit.

Sipas sondazheve, Trump aktualisht është mbrapa Bidenit për tetë deri në 10 pikë.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG