Ndërlidhjet

Pozita e presidentit ‘luhat’ koalicionin qeverisës


Foto nga arkivi

Çështja e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, nuk është fare temë e ditës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti udhëheqëse e koalicionit qeverisës aktual, nuk është duke e shqyrtuar këtë çështje, konfirmojnë zyrtarë të kësaj partie.

Zgjedhja e mundshme e presidentit të ri të Kosovës ka nisur të bëhet temë diskutimesh menjëherë pas paraqitjes së propozimit të aktakuzës për krime lufte ndaj presidentit aktual të vendit, Hashim Thaçi, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë. Përveç kësaj, është thënë që mandati i presidentit aktual do të përfundojë në vitin e ardhshëm dhe detyrimisht do të shtrohet nevoja e zgjedhjes së një presidenti.

Presidenti Thaçi, pati deklaruar që në rast se i konfirmohet aktakuza nga Dhomat e Specializuara, ai do të japë dorëheqje nga pozita e tij aktuale.

Haziri: LDK-ja nuk ka biseduar me askënd për çështjen e presidentit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë që aktualisht, nuk e kanë shqyrtuar fare çështjen e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, kjo çështje do të shqyrtohet vetëm në rast se konfirmohet aktakuza ndaj presidentit Thaçi nga Dhomat e Specializuara, që njihet si Gjykata Speciale, apo në rast të zhvillimeve tjera.

“Përderisa nuk ka ndryshim të gjendjes te Zyra e Presidentit, nuk kemi kurrfarë qëndrimi dhe nuk kemi biseduar me askënd për këtë çështje. LDK-ja vazhdon ta ketë rolin e vet në qeverisje dhe prioritet është dialogu me Serbinë”, theksoi Haziri.

Ai shtoi se në rast se arrihet deri te situata, në të cilën është e domosdoshme zgjedhja e presidentit të ri, atëherë LDK-ja do të bisedojë në radhë të parë me partnerët e koalicionit qeverisës, por edhe me partitë opozitare, si dhe shoqërinë civile.

Çështja e zgjedhjes së presidentit të ri, së fundmi ka nxitur debate, pas pretendimeve që ka shfaqur për marrjen e kësaj pozite partneri tjetër në koalicionin qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe lideri i saj Ramush Haradinaj.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, të publikuar më 20 gusht, ai ka thënë që partia e tij është para zgjidhjeve të vështira sikurse “të vazhdojë të jetë pjesë e pushtetit dhe e vendimmarrjes, por ta kushtëzojë me marrjen e një pozicioni vendimmarrës, atë të presidentit”.

Në të kundërtën, siç ka theksuar Haradinaj, “vetëm sa për ta mbajtur në jetë një qeveri për pak pushtet, për Aleancën, ne e dimë rrugën që të shkojmë në shtëpi, se e kemi ditur edhe në të kaluarën ose do të shkojmë në zgjedhje”.

A është qeveria e qëndrueshme?

Deklaratat e Haradinajt janë parë si mundësi që qeveria edhe ashtu e brishtë e kryeministrit Hoti - për shkak se është votuar vetëm me shumicë të thjeshtë ose prej 61 nga 120 deputetë sa i ka Kuvendi i Kosovës - të destabilizohet edhe më tej.

Në takimin që kryeministri Avdullah Hoti ka pasur me liderët e partive politike, të hënën, më 24 gusht, siç kanë deklaruar zyrtarët e partive të koalicionit qeverisës, nuk është diskutuar çështja e zgjedhjes së mundshme të presidentit të ri.

Për më shumë, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka theksuar se qëndrimi zyrtar i partisë së tij është që vendi aktualisht e ka presidentin dhe e ka cilësuar si “të turpshme” që të diskutohet tash për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Kërkesat dhe ambiciet janë gjëra normale, por nuk janë tema të diskutimit të koalicionit tonë qeverisës. Ne i kemi temat tjera. Kosova ka president dhe kur të vijnë afatet kushtetuese për president, dihet se si duhet të zhvillohet ai proces. Koalicioni qeverisës është ky që është. Është i qëndrueshëm për aq sa ka partneritet korrekt, në funksion të kryerjes së detyrave shtetërore. Në momentin kur nuk ka korrektësi, nuk na duhen koalicione të improvizuara”, theksoi Limaj.

Nënkryetari i LDK-së Haziri, ka theksuar që zgjedhja e presidentit, në rast se do të jetë e domosdoshme, duhet të ndodhë me marrëveshje dhe nuk mund të ketë ekskluzivitet nga asnjë palë, por gatishmëri që t’i shërbehet vendit.

“Sikurse në rastin e AAK-së, ku Haradinaj ka treguar gatishmërinë apo në rastin e ndonjë partie tjetër që nesër mund të ofrojë. Kjo është çështje e pastër politike që unë e mirëkuptoj. Por, besoj që nuk është koha që në këtë fazë të shtrohet si prioritet çështja e presidentit të vendit. Kjo është ajo që kryetari i LDK-së (Isa Mustafa) në takim e ka konfirmuar si qëndrim jo vetëm të tij, por edhe të LDK-së”, theksoi Haziri.

Më 25 gusht, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar që qeverisja e vendit kërkon respekt institucional ndaj qeverisë në përgjithësi, si dhe brenda qeverisë.

“LDK-ja do të kërkojë që qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike”, ka shkruar Mustafa.

Kalkulimet ‘politike ditore’ për çështjen e presidentit

Analisti Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë edhe në të kaluarën, çështja e zgjedhjes së presidentit të vendit ka qenë një prej arsyeve që më së shpeshti ka çuar drejt përplasjeve ndërmjet partive politike, veçanërisht të atyre brenda koalicionit qeverisës. Sipas tij, edhe në kuadër të koalicionit aktual qeverisës, çështja e zgjedhjes së presidentit mund të kthehet shumë lehtë në pikën e përplasjes ndërmjet partive të koalicionit qeverisës, gjë që potencialisht mund të shpie drejt rënies së qeverisë.

“Çështja e presidentit shpeshherë është kthyer edhe në temë mbi të cilën janë bërë kalkulime politike ditore. Në kuadër të koalicionit aktual qeverisës, koalicioni si i tillë nuk i ka votat e nevojshme as për zgjedhjen e presidentit e lëre më për kuorumin e nevojshëm prej dy të tretave të deputetëve të deputetëve që duhet të jenë të pranishëm në seancë gjatë ditës së votimit”, theksoi Cakolli.

Ai shtoi që marrë parasysh që Kosova jo rrallë është përballur me kriza të shumta institucionale për shkak të çështjes së zgjedhjes së presidentit, partitë politike do të duhej të merreshin vesh që përmes reformës zgjedhore ta zgjidhnin këtë problematikë. Sipas tij, forma e zgjedhjes së presidentit përmes Kuvendit të Kosovës, e cila është aktualisht, do të duhej të ndryshohej dhe presidentin ta zgjedhin drejtpërdrejtë qytetarët përmes votës, por pa i prekur kompetencat e tij aktuale.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 90, në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij, ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës.

Sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, i mbaron mandati i rregullt në pozitën e presidentit, në muajin prill të vitit 2021.

Presidenti i Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

Zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidat për president të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president të Republikës së Kosovës. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet president i Republikës së Kosovës.

Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.

XS
SM
MD
LG