Ndërlidhjet

Putin: Trupat ruse të përgatitura për të ndërhyrë në Bjellorusi


Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka dhe ai rus, Vladimir Putin. Foto nga arkivi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka vlerësuar reagimin e Minskit në protestat që kanë përfshirë vendin pas zgjedhjeve presidenciale, duke thënë se Kremlini është më "neutral" për krizën në Bjellorusi, sesa Shtetet e Bashkuara ose Bashkimi Evropian.

"Sipas mendimit tim, sjellja jonë në lidhje me ngjarjet në Bjellorusi është shumë më e rezervuar dhe neutrale se ajo e vendeve të tjera, evropianëve dhe amerikanëve", tha Putin, gjatë një interviste me kanalin televiziv shtetëror Rossia-24, më 27 gusht.

"Sidoqoftë, ne nuk jemi indiferentë ndaj asaj që po ndodh atje", tha Putin, duke përmendur lidhjet e ngushta etnike dhe gjuhësore dhe bashkëpunimin ekonomik midis dy shteteve.

Putini gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve bjelloruse dhe opozitës që të gjejnë një zgjidhje politike të krizës.

Megjithë reagimin ndërkombëtar ndaj shtypjes së protestave, Putin tha se "agjencitë bjelloruse për zbatimin e ligjit po demonstrojnë një sjellje mjaft të rezervuar".

Putin tha se një kontigjent i forcave të sigurisë ruse është i përgatitur për t'u vendosur në Bjellorusi në rast të "plaçkitjes" nga demonstruesit që pretendojnë se votimet ishin të manipuluara në favor të Lukashenkas.

"Forcat ruse nuk do të përdoren nëse elementët ekstremistë në Bjellorusi nuk e kalojnë vijën dhe fillojnë veprimet e plaçkitjes", tha Putin.

Putin dhe Lukashenka kanë diskutuar disa herë situatën në Bjellorusi.

Vala e zemërimit në Bjellorusi është ngjallur qëkur Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se Lukashenka, që ka qenë në pushtet nga viti 1994, ka fituar 80.1 për qind të votave, për dallim nga kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, me 10.12 për qind.

Tikhanovskaya, që është larguar drejt Lituanisë pasi ka kundërshtuar publikisht rezultatet, thotë se nëse votat do të numëroheshin siç duhet, ajo do të fitonte 60 deri në 70 për qind të përkrahjes qytetare.

Zgjedhjet janë mbajtur më 9 gusht.

Presidenti bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, ka thënë se nuk do të lejojë që monedha e vendit të bie. Lukashenka i bëri komentet më 27 gusht ndërsa njoftoi një marrëveshje me Moskën, sipas së cilës Rusia do të rifinancojë një kredi prej 1 miliardë dollarë për Bjellorusinë.

BE-ja diskuton sanksionet

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë filluar bisedimet dy ditore në Berlin, për të shqyrtuar çështjen e sanksioneve kundër Bjellorusisë.

BE-ja tashmë ka pranuar të vendosë sanksione ndaj 15-20 personave të akuzuar për pjesëmarrje në mashtrime elektorale ose shtypjen e demonstratave pas votimit kontestues të 9 gushtit.

XS
SM
MD
LG