Ndërlidhjet

Ministrat e Jashtëm të BE-së vazhdojnë diskutimet për situatën në Bjellorusi


Protestat në Bjellorusi.
Protestat në Bjellorusi.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të vazhdojnë një takim dy-ditor në Berlin, për të diskutuar situatën në Bjellorusi dhe mundësinë e vendosjes së sanksioneve.

BE-ja tashmë ka pranuar të vendosë sanksione ndaj 15-20 personave të akuzuar për pjesëmarrje në mashtrime elektorale ose shtypjen e protestave, pas votimeve të 9 gushtit.

Ministrat e jashtëm të BE-së do të kërkojnë miratimin politik për listën e propozuar të personave të sanksionuar, gjë që do të lejonte miratimin zyrtar, tha një burim për agjencinë e lajmeve DPA.

Por, disa diplomatë po bëjnë presion për masa më të ashpra.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Antanas Linkevicius, tha më 27 gusht se sanksionet ndaj 15-20 personave të lidhur me mashtrim elektoral ose shtypjen e protestave do të ishin "shumë simbolike".

Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkevics, u pajtua më këtë konstatim, duke thënë se ky numër nuk do të ishte i mjaftueshëm, dhe se vendi i tij po harton një listë të ndalimeve të udhëtimit të më shumë personave.

Diplomati i lartë i Estonisë, Urmas Reinsalu, tha se presidenti, Alyaksandr Lukashenka, duhet të përfshihet në listën e sanksioneve të BE-së.

Ndërkohë, në Vjenë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, do të flasë për situatën në Bjellorusi në një takim të Këshillit të Përhershëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë më 28 gusht.

Shqipëria mban kryesimin e rradhës së OSBE-së.

Rama dhe kryesuesi i ardhshëm, ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, kanë thënë se janë të interesuar të vizitojnë qeverinë e Bjellorusisë për të mbështetur një dialog të hapur dhe konstruktiv në vend.

Si një shtet pjesëmarrës në OSBE, Bjellorusia është zotuar "të mbajë zgjedhje vërtet demokratike dhe të mbështesë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore", tha shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe ministri i Jashtëm kanadez, Francois-Philippe Champagne, në një deklaratë më 26 gusht.

Ata gjithashtu përkrahen propozimin e Ramës dhe Linde për të mbështetur dialogun dhe u bënë thirrje autoriteteve bjelloruse që "të pranojnë këtë propozim pa vonesë".

Lukashenka më 27 gusht akuzoi Perëndimin se po zhvillonte një "luftë diplomatike".

Ai akuzoi fuqitë perëndimore se po kërkonin të shfrytëzonin paqëndrueshmërinë e Bjellorusisë për të aneksuar territorin e saj.

Rusia, një aleat historik që ka ndikim mbi Minskin, ka paralajmëruar BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të mos ndërhyjnë në punët e Bjellorusisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha në një intervistë televizive shtetërore të transmetuar më 27 gusht se Rusia ka një rezervë të oficerëve të zbatimit të ligjit të përgatitur për të hyrë në Bjellorusi dhe për të ndaluar protestat.

XS
SM
MD
LG