Ndërlidhjet

Pandemia dhe integrimi evropian, sfida kryesore të qeverisë së re


Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të përballet me shumë sfida të rëndësishme gjatë mandatit të saj, të cilat nuk i ka pasur asnjë qeveri e deritanishme, thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike duke komentuar pritjet, por edhe detyrimet nga kabineti i ri qeveritar, për të cilin të shtunën ka nisur debati për votim në Kuvend.

Ai veçon nisjen e bisedimeve me BE-në për procesin e anëtarësimit, që përfshijnë të gjitha sferat, në veçanti ato me të cilat përballet vendi një kohë të gjatë si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Maqedonia e Veriut nuk do të ketë më hapësirë për manovrime, por duhet të tregojë përkushtim dhe rezultate konkrete nëse dëshiron të bëhet pjesë e familjes evropiane.

“Pra, do të jenë të gjithë kapitujt që kanë të bëjnë me reformat në administratë, me reformat në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit e kështu me radhë. Këto janë tema që do të jenë një sfidë e madhe për qeverinë, pasi përveç se do të duhet t’i zbatojë në praktikë, nga dinamika e zbatimit të tyre në praktikë do të varet hapërimi apo avancimi i mëtejmë i negociatave. Këto janë tema, të cilat do të vënë qeverinë para një sfide, e cila nuk ka qenë e parë deri më tani”, deklaron Neziri, duke shtuar se sfida e dytë e kësaj qeverie do të jetë menaxhimi me pandeminë dhe i të gjitha pasojave që dalin prej saj, atyre ekonomike, arsimore, sociale e të tjera.

“Ne e dimë se jo vetëm Maqedonia e Veriut, por edhe vendet më të zhvilluara ekonomikisht, si Gjermania, Britania e Madhe, Amerika po përjetojnë një recesion, i cili nuk është parë në 100 vitet e fundit, një rënie ekonomike, e cila gjithsesi se do të reflektohet te qytetari i thjeshtë, gjë që do të duhej që kjo qeveri me sukses, ta menaxhojë dhe t’i përballojë këto goditje dhe valë të krizave shëndetësore dhe ekonomike”, vlerëson Neziri.

Ndërkohë, Nenad Markoviq, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se përballja me pandeminë COVID-19 dhe kriza ekonomike, do të jenë sfidat kryesore me të cilat duhet të merret qeveria e re, por edhe probleme tjera si protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, protestat e paralajmëruar nga nxënësit e shkollave të mesme që kërkojnë kthimin në shkolla, si dhe pakënaqësitë nga qytetarë që po kërkojnë paratë e tyre pas falimentimit të një banke në Shkup.

"Unë mendoj se çdo qeveri që synon të marrë pushtetin, në periudhën parazgjedhore duhej të ishte e vetëdijshme me problemet që e presin e me të cilat edhe duhet të përballet apo të gjejë zgjidhje pasi situata mund të rëndohet edhe më shumë nëse neglizhohen. Janë probleme reale për të cilat qytetarët kërkojnë zgjidhje, në veçanti ato me krizën ekonomike, por edhe gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për procesin mësimor. Kemi gjithashtu rënie të besimit në sistemin bankar" thotë Nenad Markoviç.

Qeveria e re do të drejtohet nga Zora Zaev, kryetar i LSDM-së, parti kjo e cila do të udhëheqë me nëntë ministri. Pjesë e qeverisë janë Bashkimi Demokratik për Integrim që do të drejtojë gjashtë dikastere ministrore, Lëvizja Besa, që ishte në koalicion parazgjedhor me LSDM-në si dhe Partia Demokratike Shqiptare.

Qeveria do të ketë edhe tre zëvendëskryeministra apo gjithsej 19 anëtarë nga 26 sa kishte në të kaluarën. Shumica e re parlamentare ka 62 vota në Kuvend. Për votimin e qeverisë nevojiten 61 vota nga 120 deputetë sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Në opozitë janë VMRO DPMNE-ja me 44 ulëse, koalicioni opozitar shqiptar i përbërë nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me 12 deputetë dhe E Majta, me dy deputetë.

XS
SM
MD
LG