Ndërlidhjet

Pavarësisht kërcënimeve dhe arrestimeve, mijëra bjellorusë protestojnë në Minsk


Minsk, 13 shtator, 2020.

Dhjetëra-mijëra bjellorusë po protestojnë në rrugët e Minskut dhe në qytete të tjera, teksa protestat e opozitës pothuajse kanë hyrë në javën e pestë. Përmes këtyre protestave, ata po i bëjnë presion presidentit Alyaksandr Lukashenka që të organizojë zgjedhje të reja.

Protesta e 13 shtatorit po shihet si një sinjal se aktivistët e opozitës, por edhe qytetarët bjellorusë, nuk do të zmbrapsen, pavarësisht arrestimeve, rrahjeve dhe formave të tjera të kërcënimit që po iu bëjnë forcat e sigurisë së Bjellorusisë.

Duke brohoritur “Rroftë Bjellorusi” dhe “Sasha, je i pushuar nga puna”, protestuesit marshuan në një prej bulevardeve kryesore të kryeqytetit bjellorus, Minsk, duke valëvitur flamurin me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë.

Lukashenka, që udhëheqë me Bjellorusinë qe 26 vjet, ka refuzuar që të bisedojë me kundërshtarët e tij dhe ka refuzuar çdo thirrje për zgjedhje të reja.

Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se deri më tani, 6,000 persona janë arrestuar dhe në disa raste janë torturuar nga agjentët e sigurisë.

Në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, Lukashenka fitoi mandatin e pestë me radhë. Por, kritikët dhe opozita thanë se rezultati zgjedhor u manipulua.

Para protestës së 13 shtatorit, Ministria e Brendshme njoftoi se ka rritur prezencën policore dhe ushtarake në Minsk për “të parandaluar veprimet ilegale të qytetarëve protestues”. Ministria po ashtu tha se “rreth 250 persona janë arrestuar”, për shkelje të tilla si: valëvitja e flamurit me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë, por edhe mbajtja e pankartave “me përmbajtje ofenduese”.

Një ditë më herët, më 12 gusht, gratë kishin organizuar një tubim paqësor në Minsk. Ministria e Brendshme tha se protestueset ishin “agresive” dhe kishin sjellje “jofemërore”.

Shumica e figurave kryesore të opozitës bjelloruse janë gra, përfshirë edhe ish-kandidaten për presidente Svyatlana Tsikhanouskaya.

Tsikhanouskaya, e cila pas zgjedhjeve u largua në Lituani, u ka bërë thirrje protestuesve që të jenë “paqësorë” dhe ka bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare, që “kriza e thellë politike” në Bjellorusi, të zgjidhet përmes metodave paqësore.

XS
SM
MD
LG