Ndërlidhjet

Hoti: Të enjten nuk do të diskutohet për Asociacionin


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën, se në Kosovë nuk do të ketë asnjëherë Asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.

"Nuk diskutohet dhe nuk hapet marrëveshja e arritur me herët për Asociacionin", tha Hoti gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, për dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të enjten në Bruksel do të zhvillohen bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të ekspertëve. Më herët është paralajmëruar se pritet të diskutohet çështja e Asociacionit dhe ajo për pretendimet financiare dhe pronësore.

Kryeministri Hoti, megjithatë tha se të enjten në Bruksel nuk do të diskutohet për Asociacionin.

"Nesër nuk diskutohet për Asociacionin dhe nesër nuk është ditë e rrezikshme për Kosovën. Nesër është një ditë e zakonshme ku kryeministri i vendit raporton para deputetëve të Kuvendit të Kosovës", tha Hoti.

Sipas tij, të enjten diskutohet për çështjen e obligimeve financiare me dy vendeve që kanë të bëjnë me çështjen e pensioneve të viteve të 90-ta, suksesioni i pasurisë së ish-Jugosllavisë, borxhi publik, dëmet e luftës, reparacionit etj.

Më herët, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës”.

Përmes një komunikate për media, Thaçi thotë se “kjo është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit”.

Presidenti Thaçi thotë se diskutimi për Asociacionin, nesër në Bruksel, është "fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës". Ai shton se diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e

Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit.

Presidenti kërkoi nga Kuvendi i Kosovës që urgjentisht ta trajtojë, siç thotë, këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit, përmes një rezolute, “me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më 2015, të dyja vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kishin arritur një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni, porse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që parimet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën.

Megjithatë, Kushtetuesja përcakton se parimet mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Dialogu në mes palëve në Bruksel është ripërtërirë më 16 korrik dhe ai po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të dytë më 7 shtator.

Më këtë rast, sipas deklaratave të të dyja palëve, janë hapur temat për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore, ndërkaq janë harmonizuar qëndrimet lidhur me çështjen e të pagjeturve, personave të zhvendosur si dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Temat që ata përcaktojnë diskutohen më tej nga ekipet e ekspertëve të të dyja vendeve.

Thaçi ka mbetur jashtë procesit të dialogut, të cilin e ka udhëhequr për vite të tëra, pasi në muajin qershor u njoftua se ai kishte aktakuzë para Dhomave të Specializuara në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Vendimi i gjyqtarit për të konfirmuar ose refuzuar aktakuzën aktualisht është në pritje.

Kryeministri Hoti, tha të mërkurën se Kosova është treguar konstruktive sa i përket procesit të dialogut, si në Uashington ashtu edhe në Bruksel. Sipas tij, brenda disa muajsh do të mbyllet kapitulli i normalizim të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.

XS
SM
MD
LG