Ndërlidhjet

Dëshmitarët e mbrojtur në Bosnjë, të sigurt vetëm nga shtëpia deri në gjykatë


Policia në Bosnje
Policia në Bosnje

Autorë: Marija Arnautović dhe Gojko Veselinović

“Unë nuk jam i mbrojtur nga ai kundër të cilit dëshmoj dhe këtu është fillimi dhe fundi i rrëfimit për mbrojtjen e dëshmitarit në Bosnjë e Hercegovinë (BeH). Çfarë mbrojtje është nëse dikush me merr në automobil dhe më dërgon deri te gjykata dhe më kthen sërish në shtëpi”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mirsad Duratoviq, kryetar i Shoqatës së të burgosurve në kampe “Prijedor ‘92”. Ai disa herë ka dëshmuar në proceset për krime të luftës, por secilën herë ka refuzuar të dëshmojë si dëshmitar i mbrojtur.

Këtë e ka bërë, siç thotë ai, pikërisht pë shkak të faktit se personi kundër të cilit dëshmon, mund ta dijë identitetin e tij.

“Unë nuk kam nga kush tjetër të fshihem përveç nga i akuzuari për krime lufte, sepse nëse ai e di (identitetin), atëherë do ta dinë edhe të tjerët, të cilët nuk do të duhej ta dinin”, sqaron Duratoviq.

Masat ligjore dhe a janë ato efektive?

Sipas Kodit të procedurës penale, ekipi i mbrojtjes së të akuzuarit duhet të informohet për identitetin e dëshmitarit të mbrojtur. Për Duratoviqin, por edhe pë të tjerët që kanë dëshmuar në rastet e krimeve të luftës, ky fakt paraqet problem.

Prokurori i shtetit, Ibro Buliq, i cili e ka hetuar gjenocidin në Srebrenicë dhe ngjarjet që kanë pasuar pas rënies së zonës së mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, në korrik të vitit 1995, thotë që masat për mbrotjen e dëshmitarëve, në kuadër të gjyqësorit të Bosnjë e Hercegovinës, nuk janë efikase.

“Pra, duhet të deklarohet te mbrojtja identiteti i dëshmitarit të mbrojtur, më së shumti 15 ditë para gjykimit. Kjo më pas krijon hapësirë që ky identitet të zbulohet dhe më pas, shpeshherë edhe të kontaktohet me atë dëshmitar nga ana e mbrojtjes dhe këtu qëndron problemi”, theksoi Buliq për Radion Evropa e Lirë.

Publikimi i identitetit të dëshmitarit nga gjykimi për gjenocid

Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës, të mërkurën, më 23 shtator, me Prokurorinë shtetërore ka nisur procedurën për mbrojtjen e dëshmitarit të mbrojtur për gjykimin për gjenocid në Srebrenicë, identitetin e të cilit e ka publikuar portali “banjaluka.net.”, ndërkaq që e kanë transmetuar edhe mediat tjera në Republikën Serbe, në mesin e të cilave edhe portali i shërbyesit publik, Radio Televizionit të Republikës Serbe (RTRS).

Bëhet fjalë për dëshmitarin e mbrojtur M-16, i cili në në procesin gjyqësor në Gjykatën e Bosnjë e Hercegovinës, në vitin 2017, ka folur për pjesëmarrjen e kryeministrit aktual të Republikës Serbe, Radovan Vishkoviq, gjatë gjenocidit në Srebrenicë.

“Prokuroria e Bosnjë e Hecegovinës ka marrë edhe raportin kundër punonjësve të caktuar të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe të Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës, lidhur me zbulimin e identitetit të dëshmitarit të mbrojtur dhe dhënies së paautorizuar të dokumenteve, si dhe do të bëhen verifikimet e pretendimeve edhe në bazë të këtij raporti”, thuhet në përgjigjen me shkrim për Radion Evropa e Lirë nga Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës.

Dëshmitarin e mbrojtur M-16, identiteti i të cilit është publikuar në medie, e ka dëgjuar pikërisht prokurori Buliq, më 18 prill 2017, në hapësirat e Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës. Ai thotë që zbulimi i identitetit të dëshmitarit të mbrojtur është vepër penale.

“Ky rast ka treguar se masat e mbrojtjes duhet të jenë më të ashpra. Nuk mund të mbështetemi vetëm në ndalimin e publikimit të identitetit, por duhet t’i forcojmë ato masa edhe me të tjera, sikurse mospublikimi në opinion i përmbajtjes së dëshmive të tyre, që dëshmitarët e tillë të dëgjohen në seanca të mbylluara për publikun dhe të ashpërsohen sanksionet ndaj zbardhjes së identitetit të dëshmitarit”, theksoi Buliq.

Çfarë ka ndodhur në Srebrenicë?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:01 0:00

Mijëra dëshmitarë, dhjetëra kundërshtime

Pranë Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës, në lëndët për krime të luftës, kanë dëshmuar mijëra dëshmitarë të mbrojtur. Në dhjetëra raste ka pasur kundështime se u është zbuluar identiteti dhe se dikush i ka kërcënuar që të mos dëshmojnë, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetarja e Departamentit Penal të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës, gjykatësja Minka Kreho.

“Ne, menjëherë, dje në mëngjes (e martë 22 shtator) kemi reaguar. Unë e thirra prokurorin dhe e kemi inicuar sistemin e mbrotjes së tij nga ana e Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA). Ndërkaq, prokurori ka inicuar kallëzimin penal ndaj departamentit në përgjithësi, kundër atyre që e kanë bërë publik emrin dhe mbiemrin e tij”, theksoi Kreho.

Ndonëse beson që Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës i ka zhvilluar mirë masat e mbrojtjes së dëshmitarëve, megjithatë Kreho thotë se kur dëshmitari del nga gjykata, ai i lihet vetvetes.

“Shumë shpesh asgjë nuk ndodh me atë dëshmitar, por ka situata kur dëshmitari e thirrë departamentin për mbështetjen e dëshmitarëve dhe thotë se njerëz të caktuar i kanë shkuar në shtëpi dhe e kanë kërcënuar ose ia kanë përcjellë fëmijët në shkollë dhe u kanë dërguar kërcënime. Ne atëherë e alarmojmë Prokurorinë dhe SIPA-n , sepse ekziston komisioni që merret me programin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe më pas ata e shqyrtojnë atë pjesë”, theksoi Kreho.

Sipas saj, në veçanti janë shqetësuese deklaratat e Milorad Kojiqit, drejtorit të Qendrës republikane për hetimin e luftës, krimeve të luftës dhe kërkimin e personave të zhdukur të Republikës Serbe.

“Para disa ditësh, ai ka thënë se ata e kanë regjistrin e të gjithë dëshmitarëve të mbrojtur pranë Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe se do të zbulojë të gjithë emrat. Do të thotë, dikush në atë institut merret me zbulimin e identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur. Unë, vërtet, nuk e di se në çfarë mënyre, por këtë duhet parë me ata atje. Kjo më përngjan me frikësimin e dëshmitarëve të ardhshëm, të cilët do të dëshmonin pranë Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës”, theksoi Kreho.

Rrjedha e procesit të dëshmisë dhe mbrojtjes së dëshmitarit

Me masat për mbrojtjen e dëshmitarëve të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës është paraparë që dëshmitarët e mbrojtur të mos hyjnë në dyer të njëjta, përmes të cilave hyjnë edhe palët tjera, i akuzuari dhe publiku. Brenda vetë gjykatës, para hyrjes së dëshmitarit, publiku dhe të gjithë të pranishmit paralajmërohen se zbulimi i identitetit të dëshmitarit të mbrojtur është vepër penale.

“Publiku, nëse e njeh figurën e këtij dëshmitari, nuk guxon që ta zbulojë identitetin e tij, sepse është vepër penale”, u shpreh Kreho.

Gjatë gjykimit ndodh që edhe vetë dëshmitari ta përmend emrin e tij. Atëherë gjykata e ndërpret deklaratën e tij dhe paralajmëron që kushdo që e ka dëgjuar emrin, nuk guxon që të zbulojë identitetin e tij kur të dalë nga gjykata, sepse kjo nënkuptohet si vepër penale. Gjithashtu, nga transkripti i gjykimit fshihen pjesët ku ai e ka zbuluar vetveten ose që dikush tjetër e ka zbuluar.

Para arritjes në gjykatë, mbrojtja e dëshmitarit, nënkupton policia, e merr dëshmitarin e mbrojtur dhe e transporton në gjykatë ky mbahet gjykimi, si dhe sërish e kthen në shtëpi.

Dëshmitarëve të mbrojtur që nuk janë nga Sarajeva, ku edhe është selia e Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës, u sigurohet akomodimi.

Por, pas gjykimit, ndonëse publiku disa herë paralajmërohet që zbulimi i identitetit është vepër penale, dëshmitarët, në të shumtën e rasteve, i lihen vetevetes.

“E gjithë mbrojtja jote ndërpritet në momentin që të lënë para ndërtesës, para banesës, shtëpisë ku jeton, pas gjykimit. Ata më pas shkojnë nëpër shtëpi të veta, ndërkaq ti mbetesh vetë në shtëpinë tende dhe ty askush nuk mund të të mbrojë”, thotë Mirsad Duratoviq, kryetar i Shoqatës së të burgosurve në kampe “Prijedor’92”.

Rrethimi i Sarajevës - pasojat e luftës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:35 0:00

Ambasada e SHBA-së dhe OSBE-ja për rëndësinë e mbrojtjes

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnjë e Hercegovinë thekson se zbulimi i identitetit ose informacioneve që mund të çojnë deri te zbulimi i identitetit të dëshmitarit të mbrojtur, e rrezikon sigurinë e dëshmitarit dhe ndikon negativisht në gatishmërinë e dëshmitarit që të dëshmojë në proceset penale, veçanërisht në gjykimet për krime të luftës.

“Mbrojtja e informatave për dëshmitarin është jetësore për funksionimin profesional dhe të pavarur të sistemit të gjyqësorit”, thuhet nga Ambasada e SHBA-së në Bosnjë e Hercegovinë.

Lidhur me publikimin e identitetit të dëshmitarit të mbrojtur M-16, ka reaguar edhe misioni i OSBE-së në Bosnjë e Hercegovinë.

“Është e pafalshme shkelja me vetëdije e ligjit dhe e parimit të rëndësishëm nga ana e mediave ose cilësdo palë tjetër dhe duhet të hetohet dhe ndëshkohet në mënyrë të duhur. Të gjitha mediat, përfshirë edhe shërbyesit publik, duhet t’u përkulen standardeve më të larta të gazetarisë dhe të raportimit profesional. Kjo përfshin edhe respektimin e plotë të dispozitave për mbrojtjen e dëshmitarëve në raportimet për proceset gjyqësore”, kanë paralajmëruar nga mision i OSBE-së në Bosnjë e Hercegovinë.

ARK-ja nuk ka kompetenca, RTRS-ja hesht

Nga Agjencia Rregullatore e Komunikimeve (ARK) e Bosnjë e Hercegovinës, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thuhet që kjo agjenci nuk ka kompetenca lidhur me çështjen e rregullimit të përmbajtjeve që publikohen në portale.

“Agjencia, në bazë të detyrës zyrtare, do të nisë një hetim, bazuar në pyetjet që ka marrë nga gazetarët dhe që kanë të bëjnë me përmbajtjen konkrete të emetuar në programin e RTRS-së, lidhur me atë që është përmendur”, thuhet nga ARK-ja.

Nga RTRS-ja nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se për çfarë arsye e kanë zbuluar identitetin e dëshmitarit të mbrojtur dhe a mendojnë që, përveç shkeljes ligjore, kjo është edhe shkelje e kodit etik të gazetarëve në Bosnjë e Hercegovinë.

Çështja kundër Vishkoviqit në Prokurorinë e Bosnjë e Hercegovinës

Disa ditë para se të publikohej identiteti i dëshmitarit të mbrojtur M-16, i cili dëshmoi për pjesëmarrjen e kryeministrit aktual të Republikës Serbe, Radovan Vishkoviq, në gjenocidin në Srebrenicë, Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës ka konfirmuar që Departamenti i posaçëm për krimet e luftës tashmë e ka formuar një lëndë, e cila ka të bëjë me shumë persona, përfshirë edhe Vishkoviqin.

“Ne tashmë kemi një rast që ka të bëjë me shumë persona dhe ndër të tjerë edhe me të përmendurin. Nuk mund të japim më shumë detaje për këtë, por i kemi të paraqitur më shumë se 4.100 persona në Departamentin e e posaçëm për krime të luftës nga të gjitha anët e Bosnjë e Hercegovinës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Prokurorisë, Boris Grubeshiq, më 18 shtator.

Qendra Përkujtimore e Srebrenicës (QPS), më 17 shtator, i ka bërë thirrje Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës që të nisë hetimin për përgjegjësi penale ndaj kryeministrit të Republikës Serbe, Radovan Vishkoviq.

Siç është publikuar në llogarinë e QPS-së në Twitter, kjo qendër kërkon hetimin duke u nisur nga pretendimet e dëshmitarit të mbrojtur M-16, i cili, siç thuhet nga kjo institucion, në vitin 2017 në Gjykatën e Bosnjë e Hercegovinës, në gjykimin për lëndën “Josipoviq dhe të tjerët”, ka theksuar që “R.V. i ka ofruar para që të zhvendosë varrezat masive”.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG