Ndërlidhjet

Polemika për mbajtjen ose jo të maskave në ambient të hapur


Qytetarët me maska, Shkup 2020.
Qytetarët me maska, Shkup 2020.

Rritja e numrit të të infektuarve nga koronavirusi i ri që shkakton sëmundjen COVID-19, ka ngritur alarmin e institucioneve, të cilat paralajmërojnë masa për mbrojtje nga përhapja e virusit.

Ditë më parë, ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, tha se të dhënat e 14 ditëve të fundit tregojnë se në 100,000 banorë trajektorja e pandemisë ka arritur në 79.2%, ndërkohë që në shtetet e tjera kjo mesatare është 76% .

Sipas të dhënave, në dy javët e parë të shtatorit mesatarja e numrit të personave të infektuar, ka shkuar në më shumë se 100 në bazë ditore, ndërsa në javën tretë numri ka arritur madje në më shumë se 150 raste të diagnostikuara me COVID-19. Të dhënat flasin se gjendja ende nuk ka arritur shifrat e muajve të parë të pandemisë, por drejtuesit e institucioneve thonë se duhet të merren masa parandaluese që situata të mbahet nën kontroll.

“Po bëhen analiza dhe plane për aplikimin e masave të reja të mundshme për parandalimin e përhapjes së mëtejmë të virusit. Strategjia jonë ka për qëllim vendosjen e masave, me të cilat do të shmangnim kufizime më të rrepta të lëvizjes apo masa tjera, nga të cilat do të kishte pasoja ekonomia vendore".

"Nuk duam masa që do të na mbyllnin brenda shtëpisë, por kjo edhe mund të ndodhë nëse do të jemi të detyruar. Disa nga masat që po i shqyrtojmë janë mbajtja e maskave edhe në ambiente të hapura, kufizimi i personave në lokale e restorante, ndalimi i qëndrimit të njerëzve në grupe, kontrolle të rrepta dhe gjoba për tubime e manifestime tjera familjare”, ka deklaruar Filipçe.

Në këtë kuadër është edhe paralajmërimi nga Ministria e Punëve të Brendshme për rritjen e çmimit të gjobave për personat që nuk bartin maska.

“MPB-ja ka rritur numrin e oficerëve policorë, të cilët bëjnë kontrolle për respektimin e masave. Do të ndërmarrin masa kundër të gjithë atyre që nuk i respektojnë ato, pasi ata në radhë të parë nuk e respektojnë veten e tyre e pastaj edhe anëtarët e familjeve të tyre, por edhe gjithë shoqërinë. Kontrollet do të jenë të rrepta, ndërsa për rritjen e gjobave do të vendoset në qeveri”, ka deklaruar ministri Oliver Spasovski.

Opozita, kundër masave kufizuese

Por, ndryshe nga institucionet, opozita është kundër masave kufizuese, në veçanti kundër mbajtjes së maskave në ambiente të hapura. Epidemiologu i njohur Velo Markovski, i cili ditë më parë u zgjodh anëtar i kryesisë së VMRO-DPMNE-së, thotë se mbajtja e maskës pandërprerë mund të ketë pasoja.

“Unë nuk shoh nevojë për ndërmarrjen e masave tjera nga ato që i kemi deri më tani. Mbajtja e maskave nga një njeri i shëndoshë, në ambient të hapur, është shumë e dëmshme. Kjo mund të ndryshojë florën në organet e frymëmarrjes, mekanizmin kryesor për mbrojtje nga infektimet, nga miliarda mikroorganizma me të cilët përballemi çdo ditë. Kjo mund të shkaktojë çrregullime në shëndetin tonë. Maska mund të rikthejë brenda organizimit edhe baktere të shumta që mund të nxjerrim nga organet e frymëmarrjes. Nuk them që maska të mos mbahet, por të kihet kujdes pasi në vend se të mbrohemi, ne mund të shkaktojmë çrregullime tjera”, thotë Markovski.

Ai, gjithashtu, kërkon formimin e një komisioni të ri të sëmundjeve infektive, të përbërë kryesisht nga katër apo pesë mjekë specialistë që do të sillnin vendime dhe jo si komisioni aktual që është një trup kryesisht këshillëdhënës, ndërkohë që këshillat e tij varet nga vullneti i qeverisë nëse i pranon apo i hedh poshtë.

Ndryshe, kufizimet më të rrepta në Maqedoninë e Veriut u ndërmorën nga muaji mars deri në qershor, kur një qytet u vendos në karantinë të plotë, u mbyll i gjithë procesit mësimor në vend, një pjesë e madhe e punonjësve të administratës ndërpreu punën, ndërsa gjatë kësaj periudhe në shumë raste u aplikua edhe ora policore.

Masat e tilla, sipas institucioneve, dhanë rezultate në parandalimin e përhapjes së virusit, meqë vendi nuk ishte i përgatitur për t’u përballur me numër të madh të të sëmurëve. Në Maqedoninë e Veriut deri të premten me COVID-19 janë diagnostikuar më shumë se 17 mijë persona, kurse më shumë se 710 e kanë humbur jetën. Të shëruar janë më shumë se 14 mijë persona, ndërsa aktive mbeten rreth 2100 raste.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG