Ndërlidhjet

Prokuroria e Specializuar: Brenda 30 ditësh, aktakuzë ndaj Gucatit


Hysni Gucati gjatë paraqitjes së parë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.
Hysni Gucati gjatë paraqitjes së parë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë tha se ka ndërmend që brenda 30 ditësh të ngritë aktakuzë për kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, i cili dyshohet se ka penguar drejtësinë, ndërkaq mbrojtja e tij kërkoi lirimin me kusht.

Gjatë paraqitjes së parë para gjykatës së Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, tha se mbrojta e Gucatit ka parashtruar katër ankesa me shkrim për të kundërshtuar legjitimitetin e arrestimit dhe transferimit të Gucatit në paraburgim në Hagë. Gjyqtari kërkoi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që deri më 2 tetor t’u përgjigjen këtyre kërkesave të mbrojtjes.

“Prokuroria e Specializuar ka ndërmend të dorëzojë aktakuzën brenda një periudhe 30 ditore”, tha prokurorja Valeria Bolici.

Avokati i Gucatit, Jonathan Reese, kërkoi lirimin me kusht të klientit të tij, duke paraqitur një sërë kushtesh që kreu i OVL të UÇK-së do të respektonte, nëse gjykata do të pranonte një gjë të tillë.

Ndër tjerash, avokati Reese përmendi edhe një garanci prej 5 mijë eurosh, që Gucati të jetojë në një adresë të caktuar në Kosovë dhe të raportojë në policinë e EULEX-it.

Por, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se mbetja në paraburgim e Gucatit është e nevojshme pasi “ka motive” se ai mund t’i “shmanget drejtësisë”, por edhe t'i përsërisë veprat, të cilat dyshohet se i ka kryer.

Gucati, sipas fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara, dyshohet për pengim të drejtësisë përkatësisht “për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Gucati u arrestua në Prishtinë më 25 shtator nën dyshimet për pengim të drejtësisë. Ai u arrestua në zyrat e OVL të UÇK-së, në kohën kur Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu bastisje në këto zyra. Po të njëjtën ditë u arrestua edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj, i cili po ashtu dyshohet se ka penguar drejtësinë.

Tri herë radhazi, OVL e UÇK-së mbajti konferenca për media ku u shpërndanë materiale që pretendohet se janë dokumente konfidenciale të Gjykatës Speciale.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, më 29 shtator ka bërë paraqitjen e tij të parë para Dhomave të Specializuara. Mbrojtja e tij kërkoi lirimin e menjëhershëm të Haradinajt nga paraburgimi, ndërkaq Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se shumë shpejt do të bëjë gati aktakuzën ndaj Haradinajt.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 24 shtator, Gjykata Speciale ka bërë arrestimin e parë në Kosovë. Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa është personi i parë që u arrestua dhe u transferua në Hagë. Ndaj tij është ngritur aktakuzë për krime lufte. Gjatë paraqitjes së parë para gjykatës, Mustafa nuk është deklaruar se nëse e ndjen veten të pafajshëm apo fajtor për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

XS
SM
MD
LG