Ndërlidhjet

SHBA-ja mbështet Maqedoninë e Veriut në fushën e energjetikës


 Fabrika e Minierave dhe Energjisë në Manastir.
Fabrika e Minierave dhe Energjisë në Manastir.

Ndihmëssekretari i Shtetit për Energjetikë dhe Resurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francis R. Fanon, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka paralajmëruar ndërlidhjen energjetike mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për furnizimin e vendit me gaz natyror. Me këtë rast ai ka shtuar se me këtë do të krijohet një treg i qëndrueshëm sa i përket energjetikës mes vendeve të rajonit.

Fanon në Shkup ka theksuar se SHBA-ja do ta mbështes Maqedoninë e Veriut të shndërrohet në aktor rajonal në lëmin e energjetikës.

“Ajo që jemi duke parë është vërtet transformuese. E shohim evoluimin e një zhvillimi të ri energjetik. Greqia, si shtet, paraqet një lloj lideri për sa i përket infrastrukturës për marrjen e këtyre burimeve, por ne shpresojmë t’i lidhim vendet më të vogla me një treg më të madh që do të mundësojë përparimin transformues ekonomik të vendit dhe të të gjithë rajonit”, ka deklaruar Fanon.

Pasi bëri të ditur se ka vizituar interkonektorin që ndërlidh Greqinë dhe Bullgarinë, i cili do ta çojë gazin përmes Bullgarisë e më pas kyçjeve të tjera përmes Maqedonisë së Veriut, Fanon ka shprehur kënaqësinë për sa i përket përfshirjes së Maqedonisë së Veriut në ndërtimin e terminalit të gazit natyror të lëngshëm, pranë qytetit grek Aleksandropulos.

“Jemi shumë të kënaqur kur shohim se qeveria juaj ka treguar interes për Aleksandroupolisin. Kjo është me të vërtetë transformuese, sa herë që shikojmë opsionet e energjisë, ka një efekt më të gjerë në uljen e çmimeve dhe përmirësimin e stabilitetit dhe kërkesës së konsumatorëve”, ka theksuar Fanon.

Duke vënë theksin në faktin se rajoni ka një furnizues efektiv të energjisë, Fanon tha se “kur cilido shtet është i varur vetëm nga një furnizues, kjo ndikon në mënyrën në të cilën ai shtet mund t’i realizojë politikat e veta”.

“Nëse keni vetëm një burim, atëherë ai nuk është treg, por varësi. Dhe ajo është transformuese, ka të bëjë me atë se këtu kemi opsione të reja”, është shprehur ai.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka deklaruar se bashkëpunimi në lëmin e energjetikës është një nga prioritetet e qeverisë që ai e drejton prej ku dalin dhe masat konkrete për ndërlidhje me resurse energjetike edhe jashtë kufijve të shtetit me atë që gazi nga vendi do të shpërndahet në vendet e rajonit, por edhe më gjerë.

Zaev ka theksuar se Maqedonia e Veriut përmes ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të përshpejtojë në masë të theksuar më shumë projekte në lëmin energjetikës në interes ë vendit, por edhe rajonit në përgjithësi.

“Me mbështetjen e SHBA-së, si partneri ynë strategjik dhe aleat në NATO, Maqedonia e Veriut në periudhën e ardhshme do të iniciojë disa projekte që do të jenë të rëndësishme për vendin dhe rajonin. Bëhet fjalë për përfshirjen e vendit në ndërtimin e terminalit të gazit natyror të lëngshëm pranë Aleksandropulos, një projekt që krijon mundësi për furnizim të përhershëm dhe të qëndrueshëm të gazit në vendin tonë, i cili do të bëhet një pikë nga ku do të shpërndahet gazi në rajon dhe vendet që do të tregojnë interes”, ka bërë të ditur Zaev, pas takimit me ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-së për Energjetikë, Francis R Fanon.

Ky takim paraqet vazhdimësi të takimeve lidhur me burimet energjetike që kishte dy javë më parë kryeministri Zaev në Greqi gjatë konferencës ku mori pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo.

Rreth 55 milionë euro është kostoja për Maqedoninë e Veriut për t’u lidhur me gazsjellësin në Aleksandropulos, me ç`rast 13 milionë euro, mjete të pakthyeshme për këtë projekt janë siguruar nga fondet evropiane.

XS
SM
MD
LG