Ndërlidhjet

Trashëgimia presidenciale: Traditat, kërcënimet dhe zhvillimet e pritshme


Shtëpia e Bardhë.

Që nga viti 1797 kur George Washington dha dorëheqje dhe u pensionua në shtëpinë e tij në Virgjinia, Shtetet e Bashkuara kanë pasur një përvojë të një transferimi të qetë dhe të rregullt të pushtetit, sa herë që është zgjedhur një president të ri.

Në kohë lufte dhe paqeje, begatie dhe varfërie, presidentët e SHBA-së, e kanë lënë Shtëpinë e Bardhë pa ankesa kur e kanë humbur mundësinë për rizgjedhje. Kjo traditë e ka bërë vendin një model për kombet në të gjithë botën. Me përjashtim të Franklin D. Roosevelt, presidentët kanë respektuar kufirin prej dy mandatesh në këtë post. Deri më 1951 kjo masë ishte joformale, por më pas u përfshi në Kushtetutë.

"Ideja se ju jeni në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të kufizuar dhe largoheni prej aty, sepse tetë vjetët tuaja kanë mbaruar apo sepse keni humbur garën, është thellësisht e rëndësishme për demokracinë amerikane", tha Kevin J. McMahon, një profesor i Shkencave Politike në Trinity College në Konektikat.

Trump, Biden përplasen në debatin e parë kaotik
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:05:32 0:00

Përkundër kësaj, refuzimi i përsëritur i presidentit amerikan, Donald Trump, për të bërë një zotim të qartë se do të pranojë rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit, ka shtangur shumë njerëz, brenda dhe jashtë vendit dhe ka rritur mundësinë e një krize kushtetuese të paprecedent.

Më 29 shtator, në një debat televiziv me kundërkandidatin demokrat, Joe Biden, presidenti Trump tha se ai nuk do të "mirëpriste" një rezultat zgjedhor për të cilin ai do të besonte se është "mashtrues".

Gjashtë ditë më parë, i pyetur nëse do të angazhohej për një transferim paqësor të pushtetit, ai tha: "Epo, ne do të duhet të shohim se çfarë do të ndodhë."

Votat me postë

Deklaratat e presidentit Trump, ku ai ngrit shqetësime në lidhje me besueshmërinë e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve, janë përqendruar kryesisht në votimin përmes postës.

Votimi me postë është zbatuar për dekada në Shtetet e Bashkuara, kryesisht si një mundësi e rezervuar për njerëzit që nuk mund të votojnë personalisht. Por, pandemia e koronavirusit ka krijuar shqetësim në lidhje me rreziqet e votimit me prani fizike në një vendvotim. Kështu, miliona amerikanë kanë hedhur tashmë votat e tyre ose do ta bëjnë atë përmes postës.

Trump ka thënë se Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara nuk mund të menaxhojë me rritjen e fletëve të votimit me postë dhe se ky votim është i favorshëm për mashtrim zgjedhor.

Ai ka kritikuar autoritetet e qyteteve dhe shteteve që kanë dërguar fletëvotime me postë te të gjithë qytetarët me të drejtë votë, pavarësisht faktit nëse i kanë kërkuar ose jo ato.

"Kjo është një gjë e tmerrshme për vendin tonë. Kjo nuk do të përfundojë mirë", tha Trump për dërgimin e këtyre fletvotimeve.

Por, në anën tjetër, ekspertët e zgjedhjeve thonë se do të ishte e vështirë të kryhej mashtrim zgjedhor për shkak të masave paraprake të marra nga zyrtarët për të verifikuar fletët e votimit, të tilla si kontrollet e nënshkrimeve. Pesë shtetet e SHBA-së që mbështeten kryesisht ose ekskluzivisht në votimin përmes postës edhe para pandemisë COVID-19, thonë se në zgjedhjet e kaluara nuk ka pasur shenja të ndonjë mashtrimi të përhapur në procesin e votimit.

I nominuari i demokratëve për president, Joe Biden tha se pretendimet e Trumpit janë të pabazuara. Demokratë të tjerë kanë thënë që presidenti i tanishëm po përpiqet të shtypë pjesëmarrjen e votuesve sepse hulumtimet e opinionit dhe rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2016 sinjalizojnë se kjo mund të jetë në avantazhin e tij.

Çfarë tregon historia?

Në fillim të këtij viti, presidenti Trump tha se ai beson se një “luftë për rezultatin e zgjedhjeve” mund të përfundojë në Gjykatën Supreme të SHBA-së.

Kjo ka ndodhur vetëm një herë më parë, në vitin 2000.

Në ato zgjedhje, kandidati demokrat Al Gore kërkoi një rinumërim të votave të shtetit të Floridës, pasi ai humbi me një diferencë prej më pak se 600 votash, gjë që i kushtoi atij presidencën.

Rivali i tij republikan, George W. Bush, ngriti një padi në Gjykatën Supreme, e cila ndaloi rinumërimin, duke bërë të mundur hyrjen e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe duke i dhënë fund një grindjeje shumë të diskutueshme. Para se të mbaheshin zgjedhjet, Al Gore, kurrë nuk e kishte vënë në dyshim legjitimitetin e procesit të votimit. Pas vendimit të gjykatës, ai e pranoi rezultatin.

Paralajmërime për “mashtrime” në zgjedhjet në SHBA
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:06:25 0:00

Pas vendimit të Gjykatës Supreme ka qenë vet Al Gore , si nënpresident në administratën e Clintonit, dhe rrjedhimisht kryesues i Senatit, që do ta certifikonte zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2000.

"Kjo është një lloj simbolike që është e fuqishme për një tranzicion të qetë të pushtetit në një demokraci", tha McMahon.

Edhe në vitin 1968 pushteti u transferua në mënyrë paqësore. Në atë kohë, ndoshta ishte hera e fundit që vendi ishte i ndarë aq keq politikisht, siç është sot, thotë David Schultz, një profesor i drejtësisë dhe ekspert i zgjedhjeve në Universitetin e Minesotës.

Në atë vit kishte protesta në të gjithë vendin për luftën në Vietnam dhe të drejtat civile në SHBA.

Demokrati, Lyndon Johnson, u largua nga Shtëpia e Bardhë për t'u pasuar nga republikani, Richard Nixon.

Numërimi i votave

Teknikisht, Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA është e barazvlefshme me dhomën e ulët të parlamentit në shumë vende të tjera. Ajo ka fjalën e fundit se kush e fiton presidencën. Dhoma e Përfaqësuesve vendosi për zgjedhjet e SHBA-së tri herë.

Hera e fundit ishte më 1876, gati 150 vjet më parë.

Kjo mund të ndodhë përsëri nëse ndonjëri prej kandidatëve e sfidon rezultatin e zgjedhjeve nën rrethana të caktuara.

Kandidatët presidencialë garojnë për 538 votat e Kolegjit Zgjedhor, të cilat bazohen në rezultatet e votës popullore në secilin shtet të SHBA-së. Fitues i zgjedhjeve është ai që merr të paktën 270 vota të delegatëve të Kolegjit Zgjedhor.

Në vitin 2016, Trump mori më pak vota popullore sesa rivalja demokrate Hillary Clinton. Ai u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara kryesisht sepse ai mundi Clintonin me diferencë të ngushtë në tri shtete - Pensilvania, Miçigan dhe Uiskinson - duke i siguruar mbi 270 vota në Kolegjin Zgjedhor.

Një garë e ngushtë mund të ndodhë edhe këtë vit në një numër shtetesh kryesore. Dhe nëse cilido prej kandidatëve do të sfidonte rezultatet në ndonjë shtet, procesi i numërimit mund të zvarritet për javë të tëra, për shkak të votimit me postë, ndoshta duke shkaktuar një situatë në të cilën çështja do të vendosej nga Dhoma e Përfaqësuesve, thanë disa ekspertë.

Sipas një ligji të vitit 1877, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor në secilin shtet, duhet të takohen brenda 41 ditësh nga data e zgjedhjeve. Këtë vit kjo datë është 14 dhjetori.

Meqenëse fletëvotimet me postë marrin më shumë kohë se ato të hedhura në qendrat e votimit, rezultatet e zgjedhjeve mund të mos dihen për disa ditë, apo edhe disa javë, pas 3 nëntorit.

Pensilvania, për shembull, nuk e përfundoi numërimin e votave të hedhura me postë në zgjedhjet e saj të 2 qershorit deri më 29 qershor. Pra, gati katër javë më vonë.

Paditë që mund të paraqiten nga kandidatët që e kontestojnë rezultatin në ndonjë shtet ose në disa shtete, mund të vonojnë takimin e Kolegjit Zegjedhor përtej afatit të 14 dhjetorit, tha Ed Foley, një ekspert zgjedhjesh në Universitetin Shtetëror të Ohajos, në një takim online të mbajtur më 29 shtator mbi ligjet zgjedhore të Pensilvanisë.

Sfidat e mundshme

Nëse një shtet e humb afatin përfundimtar - diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë - votat e tij elektorale potencialisht mund të përjashtohen nga Kongresi. Nëse si rezultat asnjë nga kandidatët nuk merr 270 vota elektorale, Dhoma e Përfaqësuesve mund të zgjedhë presidentin e ardhshëm. Por, fakti që kjo praktikë nuk është zbatuar shpesh bën që të mos ketë qartësi dhe krijon një potencial për mosmarrëveshje.

"Unë do të thoja se kjo e rrit nivelin e një krize kushtetuese sepse ne gjatë historisë së kombit nuk e dimë përgjigjen nëse votat elektorale mund të numërohen edhe nëse ato hidhen pas asaj date", Michael Morley, një asistent profesor i drejtësisë dhe ekspert i zgjedhjeve në Universitetin Shtetëror të Floridës.

Fakti që qartësimi i rezultatit zgjedhor mund të marrë më shumë kohë sesa në zgjedhjet e kaluara, shton mundësinë për beteja mes palëve derisa numërimi vazhdon.

Për shembull, një kandidat mund të jetë përpara natën e zgjedhjeve, por të kapërcehet nga tjetri derisa numërohen fletëvotimet me postë.

Biden ka shprehur besim se nëse ai fiton zgjedhjet, çdo kontestim nga Trumpi do të ishte i pasuksesshëm dhe se tranzicioni i pushtetit do të zhvillohej normalisht.

Gjatë debatit të 29 shtatorit, Biden tha se "nuk ka rëndësi" nëse Trumpi synon të kontestojë humbjen.

"Nëse i fitojmë votat, gjithçka do të përfundojë. Ai do të shkojë. Ai nuk mund të qëndrojë në pushtet", tha Biden.

Megjithatë, ekspertët thonë se të dyja palët po përgatiten për beteja të mundshme ligjore.

Kyle Kopko, një profesor i Shkencave Politike në Kolegjin Elizabethtown në Pensilvani që analizon çështjet e zgjedhjeve, tha se të dyja fushatat, ajo e Bidenit dhe e Trumpit, kanë angazhuar një ekip avokatësh në përgatitje të një lufte të mundshme ligjore pas zgjedhjeve.

"Siç duket ata janë gati për këtë. Ky është ndoshta një plan i mençur", tha Kopko për Radion Evropa e Lirë.

"Duke parë gjithçka që po ndodh tani dhe retorikën, është edhe më e rëndësishme të kesh të angazhuar atë ekip", tha ai.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG