Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut fiton ndeshjen kundër Kosovës në futboll


Pamje nga ndeshja Maqedoni e Veriut - Kosovë
Pamje nga ndeshja Maqedoni e Veriut - Kosovë

Maqedonia e Veriut ka shënuar të enjten fitore me rezultat 2:1 në ndeshjen futbollistike kundër ekipit të Kosovës, të zhvilluar në stadiumin “Todor Proevski”, në Shkup.

Në ndeshjen e zhvilluar pa tifozë, për kombëtaren maqedonase golën e ka shënuar Darko Velkosvski ndërsa për kombëtaren e Kosovës, Florent Hadërgjonaj.

Ndeshja nisi me një dominim të lehtë të futbollistëve kosovarë deri në minutën e 16-të kur Fidan Aliti shënoi autogol duke e çuar Maqedoninë e Veriut në avantazh 1 me 0.

Në pjesën e dytë dominoi kombëtarja e Maqedonisë së Veriut duke krijuar raste të shumta ndërsa dy gola u anuluan për shkak të pozicionit jashtë loje.

Në minutën e fundit të ndeshjes kombëtarja e Kosovës kishte rast të volitshëm për të barazuar rezultatin, por mbrojtja maqedonase arriti ta evitojë golin.

Ndeshja në Shkup u zhvillua pa praninë e publikut për shkak të pandemisë, por me forca të shtuar të policisë në të gjitha rrugët e kryeqendrës maqedonase për të parandaluar incidente të mundshme nga grupe të tifozëve.

Kjo ndeshje është pritur me shumë emocione nga tifozët e dy shteteve fqinje, pasi fituesi i kësaj sfide do të përballet me ekipin e Gjeorgjisë në ndeshjen që triumfuesin e dërgon në Kampionatin Evropian të Futbollit 2021.

XS
SM
MD
LG