Ndërlidhjet

COVID-19 në Shqipëri: Maskat, obligative - gjobat deri në 40 euro


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Në përpjekje për ta parandaluar valën e dytë të pandemisë dhe numrit të rritur të infektimeve me COVID-19 gjatë kësaj jave, nga dita e enjte në Shqipëri mbajtja e maskave në ambiente të hapura dhe të mbyllura është obligative.

Kjo masë është ndërmarrë në kuadër të një vendimi të qeverisë krahas gjobave, pagesa për të cilat, siç ka bërë me dije kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qytetarëve do t'iu shkojë bashkë me faturën e dritave, në mënyrë që mos të ketë si të shmanget gjobitja.

Si shumë vende në kontinentin evropian, Shqipëria këto ditë ka shënuar rritje rekorde të rasteve të infektimit me COVID-19. Vendimi i Qeverisë së Shqipërisë për rikthimin e masave për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19, pason rritjen e rasteve me të infektuar.

Gjoba, në rast të shkeljes së kësaj mase, variron nga 3 deri në 5 mijë lekë (25 – 40 euro). Paga mestare mujore në Shqipëri është rreth 51 mijë lekë (411 euro).

Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një mesazhi në faqen e tij në Facebook, u ka bërë thirrje qytetarëve për mbajtjen e maskës, si e vetmja barrierë mbrojtëse ndaj virusit, ndërsa e ilustroi rrezikun e COVID-19 duke sjellë pamje nga pandemia e gripit spanjoll të vitit 1928 që vrau 50 milionë njerëz, “ pjesën dërmuese prej të cilëve, gjatë valës së dytë, si pasojë edhe e mosrespektimit masiv të rregullave pas hapjes së parë”.

Vendimi i qeverisë për mbajtjen e maskës në të gjitha ambientet jashtë shtëpisë, është kritikuar nga opozita në vend.

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, ka thënë se vendime të tilla nga ana e qeverisë “janë të kollajshme” dhe se ka njerëz që “nuk kanë me çfarë ta blejnë maskën”.

“Kryeministri thotë nuk kam burime financiare për t’ua siguruar bukën e gojës njerëzve që i kanë humbur vendet e punës; për t’i mbuluar shpenzimet për maska e dezinfektantë për pensionistët. Maska kushton para. Po ata që s’kanë nga të marrin bukën e gojës, me çfarë do ta blejnë maskën?”, u shpreh Basha.

Sipas Bankës Botërore, rreth 37 për qind e popullatës së Shqipërisë jetojnë në varfëri dhe situata pritet të ashpërsohet në zonat më të prekura nga varfëria si rezultat i ngadalësimit të zhvillimit në sektorët profitabilë për shkak të pandemisë.

Ulja e temperaturave dhe virozat e stinës kanë shtuar dhe fluksin e të sëmurëve në qendrat shëndetësore. Problem në Shqipëri vazhdon të jetë edhe vaksinimi masiv i popullsisë kundër gripit të sezonës. Aktualisht, në qendrat shëndetësore po vaksinohen vetëm grupmoshat e rrezikuara.

Në Shqipëri, ishin hequr thuajse gjitha masat e vendosura për të ndaluar përhapjen e pandemisë së koronavirusit dhe autoritetet e kanë lënë në dorë të qytetarëve të jenë vigjilentë dhe të kenë kujdes për veten.

Nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, deri më tani në Shqipëri është raportuar për rreth 16 mijë raste.

Prej tyre, 434 pacientë kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG