Ndërlidhjet

Maqedoni e V.: Gjashtë të vdekur, 438 të infektuar me COVID-19


Ilustrim.
Ilustrim.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të premten 438 persona të infektuar me koronavirus, gjashtë viktima dhe 191 të shëruar.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, të dhënat iu referohen 2,306 testeve të kryera në 24 orët e fundit.

Viktimat janë tre nga Shkupi dhe nga një në qytetet e Kriva Pallankës, Shtipit dhe Strumicës.

Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup, gjithsej 200 persona, ndërsa qytetet tjera me numrin më të madh janë Strumica me 30 raste, Tetova me 21 dhe Kumanova 21 të infektuar.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi ka arritur në 22,607 persona nga të cilët, 821 kanë humbur jetën, 16,949 janë shëruar ndërsa raste aktive janë 4,873.

Pavarësisht rritjes së numrit të të infektuarve, Komisioni për Sëmundje Infektive për momentin nuk parashikon aplikimin e masave më të ashpra të kufizimit të lëvizjes, përfshirë orën policore. Kryetari i këtij Komisioni, Zharko Karaxhoski ka bërë thirrje për respektimin e masave që janë në fuqi, mbajtjen e maskës, ruajtjen e distancës fizike si dhe dezinfektimin e hapësirave dhe të duarve.

“Ne për momentin nuk po mendojmë për orë policore. Por, ju lutem që të respektoni masat, pasi në rast se nuk i ndihmojmë vetvetes, atëherë nuk mund të na ndihmojë askush, as 500 mjekë e infermiere... Do të presim edhe këto 2-3 ditë dhe në rast se gjendja nuk përmirësohet, atëherë do të shohim shqyrtojmë mundësinë për aplikimin edhe të masave tjera për masa të tjera”, ka deklaruar Zharko Karaxhoski, kryetar i Komisionit për Sëmundje Infektive.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar disa masa që kanë të bëjnë me mbajtjen e maskave edhe në ambiente të hapura, përveç në rast të aktiviteteve sportive në natyrë, kufizimin e grumbullimit të më shumë se katër personave pas orës 22:00, kufizimin e kapaciteteve të objekteve të gastronomisë, por edhe kufizimin e mysafirëve nëpër familje.

Por, që këto masa të hyjnë në fuqi duhet të miratohen edhe nga kuvendi.

XS
SM
MD
LG