Ndërlidhjet

Pushteti dhe opozita me qëndrime të ndara për masat ndaj COVID-19


Shkup

Pas miratimit nga qeveria të një pjese të masave për mbrojtje nga pandemia, Këshilli i Inspektorateve të Maqedonisë së Veriut, ka intensifikuar kontrollet në teren duke sanksionuar të gjitha ata që nuk zbatojnë masat për mbrojtjen e shëndetit.

Drejtuesit e këshillit kanë njoftuar se për vetëm një javë kanë kryer mbi 2.100 kontrolle me ç’rast janë vërejtur mbi 100 shkelje të protokolleve duke u shqiptuar dënime me para ndërsa në gjashtë raste tjera janë ngritur edhe padi penale.

“Për fat të keq, javët e fundit jemi dëshmitar se pandemia me virusin korona jo vetëm që nuk është ulur, por përkundrazi edhe më shumë po e rrit intensitetin gjë që po dëshmohet me rritjen e numrit të rasteve të të infektuarve. Kjo gjendje ka çuar në miratimin e masave të reja. Inspektoratet që mbikqyrin dhe kontrollojnë respektimin e vendimeve që miratohen nga qeveria, do të vazhdojnë me kontrollet intensive dhe shqiptimin e masave për të gjithë ata që nuk respektojnë masat për mbrojtje shëndetësore“.

“Shpresoj dhe konsideroj se duhet të ngritet ndërgjegja kolektive që përmes respektimit të masave për mbrojtjen e shëndetit të gjithë së bashku do të kontribuojmë në parandalimin e përhapjes së virusit”, ka deklaruar Magdalena Filipovska Grashkovska, drejtore e Këshillit të Inspektorateve.

Por, masat kryesore të cilat i ka paraparë Komisioni i Sëmundjeve Infektive, e të cilat kanë kaluar në qeveri, ende nuk janë miratuar në Kuvend. Ndryshimet në Ligjin për mbrojtje shëndetësore parashohin mbajtje të maskës në ambiente të hapura, ndalimin e grumbullimit të më shumë se katër personave pas orës 22:00, si dhe ndalimin e vizitave të më shumë personave nëpër familje.

Këto masa që kërkojnë shumicën e votave të deputetëve po kundërshtohen nga opozita e cila i vlerëson më shumë si teknike sesa përmbajtësore.

“Ky ligj nuk parasheh masa konkrete për luftë kundër pandemisë. Në këtë ligji nuk ka as masa për forcimin e kapaciteteve të institucioneve për teste më të lira për kategoritë më të godituara nga panemdia, si pensionistët dhe të sëmurët kronik. Ky ligj nuk parasheh as rritjen e numrit të testeve në zonat më të prekura si në Shkup, Prilep, Tetovë, e qytete tjera ku kemi numër të madh të të infektuarve".

"Ky ligj më tepër është i karakterit teknik pasi nuk prek në thelb çështjet që kanë të bëjnë me luftën kundër përhapjes së virusit. Maqedonia për fat të keq është shteti me numrin më të lartë të vdekjeve për kokë banori dhe kjo është pasojë e punës joefikase të Komisionit për Sëmundje Infektive që nuk e ka besimin e nevojshëm tek popullata”, ka deklaruar deputeti i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshkoski, parti kjo që kërkon shkarkimin e anëtarëve të komisionit dhe zgjedhjen e një komioni të ri në Kuvend.

Refuzimin e opozitës, shumica parlamentare e ka quajtur veprim destruktiv në kohën kur siç thonë, vendi ka nevojë si asnjëherë më parë për masa urgjente për mbrojtjen e popullatës nga pandemia.

“Ky veprim i opozitës është një përpjekje e menduar dhe tendencioze për pikë politike që drejtpërdrejt rrezikojnë shëndetin e popullsisë. Që nga fillimi i krizës me koronavirusin, nga opozita, nuk pamë asgjë tjetër përveç veprimeve destruktive, pengesa dhe kritika për të gjithë ata që japin përpjekje maksimale për menaxhimin e pandemisë”, thuhet në reagimin me shkrim të Ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai e konsideron si të pabazë kërkesën e opozitës për zgjedhjen e një Komision të ri, meqë, sipas Filipçes, edhe komisioni aktual është i përbërë nga mjekë specialist të fushave të ndryshme mjekësore, ashtu siç këkron VMRO-ja.

Maqedonia e Veriut, të mërkurën, ka regjistruar numrin më të lartë të të infektuarve që nga paraqitja e pandemisë. Janë regjistruar 641 raste të reja me koronavirus, 12 të vdekur dhe 233 të shëruar nga tetimi i 2.668 mostrave, që po ashtu paraqet numrin më të madh të testeve brenda një dite.

XS
SM
MD
LG