Ndërlidhjet

Rastet pranë Gjykatës Speciale në Hagë


Gjykata Speciale në Hagë
Gjykata Speciale në Hagë

Nga Dhomat e Specializuara në Hagë (apo siç njihen në Kosovë: Gjykata Speciale) deri më tani janë konfirmuar aktakuzat për pesë persona, për të cilat aktakuza është njoftuar publiku - kundër ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetar i Kuvendit dhe ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, Mustafa, gjenden tashmë në paraburgim në Hagë.

Në paraburgimin e Hagës, edhe pse pa aktakuza, aktualisht janë edhe udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Për çka i ngarkon Haga?

Rasti: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë bërë publike aktakuzën për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit me 5 nëntor.

Kjo aktakuzë, prej 68 faqesh, që është e redaktuar, është konfirmuar më 26 tetor 2020, thanë Dhomat e Specializuara.

Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore “dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Rasti: Salih Mustafa

Salih Mustafa akuzohet për krimet e luftës: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje e paligjshme.

Aktakuza kundër Salih Mustafës është konfirmuar më 12 qershor, 2020. Ai është arrestuar dhe transferuar në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 24 shtator, 2020.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror, për krimet e pretenduara të kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash. Pretendohet se në këtë lokacion ishte vrarë një i ndaluar gjatë muajit prill të vitit 1999.

Më 28 tetor, Mustafa është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Rasti: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar në Kosovë më 25 shtator, 2020, dhe më pas janë transferuar në Hagë. Kundër tyre nuk është paraqitur ende aktakuza dhe ata aktualisht konsiderohen si të dyshuar.

Në fletarrestimin e Gucatit dhe Haradinajt thuhet se ekziston dyshim i bazuar se ata janë penalisht përgjegjës për orvatje të kryerjes së veprës penale të frikësimit gjatë procedimit penal, si dhe për kryerjen e veprave penale të hakmarrjes dhe të shkeljes së fshehtësisë së procedurës.

Konkretisht, ekziston dyshim i bazuar se Gucati dhe Haradinaj kanë mbajtur tri konferenca për shtyp më 7, 16 dhe 22 shtator, 2020, ku është bërë shpërndarja ose kanë vënë në dispozicion të medias informacione dhe dokumente konfidenciale dhe jopublike, që kanë lidhje me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Për Haradinajn thuhet se i ka përmendur me emër disa dëshmitarë (të mundshëm) dhe se ka dhënë të dhëna në lidhje me vendbanimin e tyre dhe të dhëna të tjera personale, kurse Gucati nuk ka ndërhyrë në ato momente.

Arrestohen krerët e veteranëve të UÇK-së
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Rreth Dhomave dhe Prokurorisë së Specializuar

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar në vitin 2015 pas ndryshimeve kushtetuese, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Që nga 2019-ta, qindra ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t'u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara.

Qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar janë intervistuar: ish-kryeministri Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Azem Syla, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Rexhep Selimi, Agim Çeku, Jakup Krasniqi e të tjerë. Disa prej tyre janë mbrojtur në heshtje.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG