Ndërlidhjet

Haradinaj: Të tregojmë unitet kombëtar


Ramush Haradinaj - Foto nga arkivi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

"Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte faktor uniteti në vitet e krenarisë dhe sakrificës. Sot, të gjithë ne, si popull, por edhe si liderë politikë, duhet të tregojmë unitetin kombëtar, në rrethanat e reja të krijuara”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se presidenti Thaçi dhe kryetari Veseli, duhet të kenë përkrahjen tonë dhe të Qeverisë së Kosovës, pa asnjë rezervë.

Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten kanë konfirmuar aktakuzën kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Të mërkurën edhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, iu është konfirmuara aktakuza dhe tashmë janë transferuar në Hagë.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG