Ndërlidhjet

Aktakuza ndaj Thaçit i sjell viktimat një hap më afër drejtësisë, thotë Amnesty International


Selia e Gjykatës Speciale në Hagë.
Selia e Gjykatës Speciale në Hagë.

Organizata ndërkombëtare Amnesty International, ka thënë se konfirmimi i aktakuzës për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i sjell viktimat një hap më afër drejtësisë së shumëpritur.

“Aktakuza sjell shpresë për mijëra viktima të luftës së Kosovës të cilët kanë pritur për më shumë se dy dekada për të zbuluar të vërtetën në lidhje me krimet e tmerrshme të kryera kundër tyre dhe të dashurve të tyre. Akuzat, tregojnë se zyrtarët e lartë nuk janë mbi ligjin”, ka thënë hulumtuesja për Ballkanin në kërtë organizatë, Jelena Sesar.

Organizata thotë se “faktet për krimet e luftës të kryera nga udhëheqja e UÇK-së, përfshirë një fushatë të persekutimit të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve politikë midis shqiptarëve të Kosovës, duket se janë bindëse”.

“Janë dashur gati 10 vjet që ndonjëri nga të dyshuarit për përgjegjësi penale të sillet në gjykatë. Kjo ka lejuar që të vazhdojë një kulturë e mosndëshkimit për krimet e luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998-2000). Kjo aktakuzë jep shpresë se çdo përpjekje për të penguar drejtësinë dhe të vërtetën nuk do të tolerohet dhe se viktimat dhe të afërmit e të zhdukurve më në fund do të shohin të dyshuarit të gjykohen ", ka thënë Sesar.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi më 5 nëntor njoftoi se Dhomat e Specializuara në Hagë, i kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai tha se për shkak se nuk dëshiron të shkojë para Dhomave të Specializuara si president i Kosovës, ai jep dorëheqje nga kjo pozitë.

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën edhe kundër kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Konfirmimi i aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit, pason arrestimin e djeshëm (4 nëntor) të ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi. Të mërkurën, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën edhe kundër shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Të gjithë të lartëpërmendurit kanë qenë udhëheqës të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 24 prill, Prokuroria e Specializuar në Hagë kishte paraqitur një aktakuzë për shqyrtim në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër Hashim Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe disa personave "të tjerë", emrat e të cilëve prokuroria nuk ka dashur t’i publikojë.

Në aktakuzë thuhej se ata ngarkohen me “disa krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe tortura”.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për gati 100 vrasje.

“Viktimat e krimeve në aktakuzë janë qindra njerëz, identiteti i të cilëve është i njohur dhe në mesin e të cilëve ka shqiptarë të Kosovës, serbë, romë dhe njerëz të kombësive të tjera, si dhe kundërshtarë politikë”, ishte thënë në deklaratë.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG