Ndërlidhjet

Rritja e numrit të pacientëve me COVID-19, lë pa shtretër spitalet në Maqedoninë e V.


Ilustrim

Maqedonia e Veriut këtë javë është duke shënuar numrin rekord të të infektuarve me virusin COVID- 19. Gjatë së enjtes në vend janë shënuar 1,275 raste të të infektuarve duke shënuar numrin më të lartë nga fillimi i pandemisë.

Mjekët thonë se shtrëngimi i masave për sa i përket përhapjes së virusit të ri COVID-19 nuk do të rezultojë me efektet e pritura përderisa nuk respektohen me përpikëri masat mbrojtëse nga ana e të gjithë qytetarëve.

Në Maqedoninë e Veriut, aktualisht janë 12 mijë raste aktive, prej të cilëve 890 pacientë janë të shtruar në spitalet e vendit.

Zyrtarë shëndetësorë thonë se tashmë janë plotësuar të gjitha kapacitetet spitalore për pranimin e pacientëve me simptoma të rënda me koronavirus.

Arlinda Osmani, infektologe në Klinikën e Infektive në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se brenda ditës pranohen aq pacientë sa lirohen shtretërit nga pacientët e shëruar, të cilët e vazhdojnë mjekimin në kushte shtëpie, sepse shtretër të lirë në Klinikën Infektive me spitalin modular me kapacitet prej 160 vendesh, tashmë nuk ka asnjë.

“Shtretërit e lirë numërohen në gishta. Pra, bëhet fjalë për pacientë që lëshohen për kurim shtëpiak e në këta shtretër pranohen pacientë të rinj. Pra, plotësohen kapacitet brenda ditës. Me vetë faktin që ne jemi institucioni më i lartë për sëmundje infektive në shtet, rastet më të vështira nga të gjitha qytetet i drejtojnë te ne”, thotë Osmani.

Ajo thekson se në duart e qytetarëve mbetet nëse sistemi shëndetësor do të arrijë të mbetet i qëndrueshëm, përkatësisht fakti sa qytetarët do t’i respektojnë rekomandimet e organeve kompetente për frenimin e përhapjes së koronavirusit, sepse siç thekson ajo, çdo neglizhencë mund të jetë fatale për shëndetin e vetë qytetarëve dhe të afërmve të tyre.

“Apeli që bëhet për respektimin e masave tashmë duhet të jetë i qartë për gjithë popullatën, sepse shifrat janë shumë të larta. Imagjinoni nëse vazhdojmë të kemi për çdo ditë mbi 1 mijë persona pozitivë llogariteni se minimum 10 për qind e tyre kërkojnë trajtim në spital dhe të njëjtit minimum do të duhet të shtrihen për dy javë, kjo do ta vë në sfidë të rëndë sistemin e shëndetësisë”, thotë Osmani.

Nga ana vjetër, një pjesë e mjekëve thonë se një pjesë e masave që së fundmi janë ndërmarrë, janë jologjike njëra me tjetrën, siç është mbajtja e maskave në ambientet e hapura, por jo dhe mbyllja e kafiterive ku frekuentojnë një numër i madh i të rinjve, të cilët janë bartësit më të mëdhenj të infeksionit.

Nikolla Panovski, mjek mikrobiolog, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjendja është alarmante dhe se shteti është duke humbur kontrollin për sa i përket menaxhimit të pandemisë së koronavirusit.

“Jemi diku në kufi, me vetë faktin se kanë filluar të ankohen tashmë edhe drejtorët e klinikave, ndërkohë që atyre gjithmonë u thuhet që të flasin mirë, atëherë është e qartë gjendja”, thotë Panovski.

Të premten, edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka theksuar se mbetet sfidë hospitalizimi i rasteve të rënda të të prekurve me koronavirus.

Ai ka theksuar se për ta mbajtur sistemin shëndetësor të qëndrueshëm, një pjesë e reparteve si ai i Neurologjisë e Reumatologjisë do të shndërrohen në “COVID-qendra” për t’i pranuar pacientët që kanë nevojë të shtrihen në spital.

Në këtë drejtim, mikrobiologu Nikolla Panovski thotë se “COVID-qendrat” ndodhen para sfidës për sa i përket cilësisë së shërbimeve me kuadër profesional, përkatësisht mjekëve infektologë dhe motrave të trajnuara që kërkojnë kushte shumë specifike kur bëhet fjalë për sëmundjet infektive.

“Hapen dhe reparte të reja, angazhohet personel i ri, mendoj se disi do të arrihet t`i dilet, por se cila do të jetë cilësia e shërimit dhe sa do të këtë efekt kjo, është një çështje krejtësisht tjetër”, thotë për Radion Evropa e Lirë Panovski.

Ai thekson se rritja e numrave paraqet një këmbanë alarmi për sa i përket institucioneve që të ndërmarrin masa më restriktive për sa i përket kufizimeve.

“Numrat tregojnë qartë se duhet të vendoset orë policore gjatë mbrëmjes dhe mbyllja e objekteve gastronomike në përputhje me shembujt e vendeve evropiane një pjesë e të cilëve tashmë kanë aplikuar masat e njëjta”, shprehet Panovski.

Përderisa ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, thekson se aktualisht nuk ka nevojë për masa shtesë, ndërkohë që ka nënvizuar se duhet të respektohen ato që janë në fuqi pa përjashtim, pasi virusi është është përhapur mjaft dhe një pakujdesi e vogël mund të nënkuptojë infeksion.

XS
SM
MD
LG