Ndërlidhjet

Nis aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit


Zyrat e Trustit Pensional të Kosovës

Qytetarët e Kosovës kanë nisur të aplikojnë online për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Aplikimi po bëhet përmes disa linqeve të krijuara nga ky Fond, që njihet edhe ndryshe si Trust, pasi një faqe e veçantë, e dedikuar për tërheqjen e 10 përqindëshit, ishte cak i sulmeve kibernetike.

Kryesuesi i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale, Ruzhdi Morina, tha për Radion Evropa e Lirë se në 30 minutat e para, kanë aplikuar 30 mijë persona.

Më herët, Morina tha për REL se nuk e di se kush qëndron prapa sulmeve kibernetike ndaj ueb-faqes së Trustit.

“Bëhet fjalë për sulm kibernetik dhe jo mbingarkesa nga qytetarët. Besoj se për disa minuta faqja do rregullohet”, u shpreh Morina.

“Nuk e dimë se nga kush është sulmuar, por e dimë që ka sulme kibernetike”, shtoi ai.

Morina tha, po ashtu se tani po punohet në ndërrimin e platformës së sigurisë dhe se ndërkohë është dashur të blihet “ekstra mbrojtje”.

Ndërsa, në një konferencë për media, zëvendësdrejtori i Trustit, Agron Krasniqi, ka thënë se të gjitha përpjekjet janë në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi.

“Ka pasur shumë tentativa nga sulmet kibernetike. Andaj, nga ekipi ynë faqja - për momentin është e pamundur që të aplikojnë - është tërhequr deri sa të sqarohet apo të ngrihet niveli i sigurisë, në mënyrë që mos të komprometohen shënimet e kontribuuesve tanë”, tha Krasniqi.

Ai, ndërkaq, tregoi se mbi 500 mijë është numri i personave që kanë tentuar të kyçen në ueb-faqen e Trustit për të aplikuar për të tërhequr 10 për qind të kursimeve pensionale.

Procesi i aplikimit online ishte paraparë që të niste nga ora 15:00, por faqja e internetit ka rënë nga funksioni qysh para orës 15:00.

Në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 8 dhjetor kishte deklaruar se “sistemi në bazë të përgatitjeve është plotësisht i sigurt dhe mund të përballojë çfarëdo fluksi që mund të ketë nga ana e qytetarëve për tërheqjen e mjeteve”.

Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, qytetarët do të kenë mundësi që të tërheqin vetëm 10 për qind të shumës së siguruar për kursime pensionale, që kanë fituar gjatë kohës sa kanë punuar, por edhe në bazë të vlerës së pagës që marrin.

Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: pesë për qind të shumës së përgjithshme të pagës e paguan punëdhënësi nga buxheti i tij, kurse pesë për qind paguhet nga paga e punëtorit.

Kurse, personat e vetëpunësuar, pas çdo tremujori, duhet që të paguajnë kontributin pensional.

Deri më tani, më shumë se 2 miliardë euro ka arritur vlera e mjeteve me mbi 634 mijë llogari mbajtëse në Trustin e Kosovës. Sipas të dhënave të deritashme, mbi 200 milionë euro është vlera që do ta tërheqin qytetarët nga Trusti.

Në bazë të Ligjit, kontributpaguesit që kanë kursime deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 përqindëshit nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do t’i kompensojë ata brenda pesë vjetëve të ardhshme. Kurse, kontribuuesit që kanë më shumë se 10 mijë euro, nuk do të kompensohen.

Sipas të dhënave të Fondit të Kursimeve Pensionale, rreth 92 për qind e kontributpaguesve kanë mjete nën 10 mijë euro, kurse tetë për qind mbi 10 mijë euro.

Numri më i madh i kontributpaguesve apo më shumë se 212 mijë qytetarë, kanë kontribute nga 100 deri në 1000 euro, që i bie se nga Trusti do të arrijnë të tërheqin nga 10 deri në 100 euro. Kurse, rreth 195 mijë qytetarë do të kenë mundësi t’i tërheqin deri në 500 euro.

Ndërkaq, më shumë se 104 mijë qytetarë, kursime pensionale kanë vetëm deri 100 euro, që nëse aplikojnë për tërheqje, do t’i marrin 10 euro.

Procesi i aplikimit do të realizohet në formë elektronike përmes një faqeje të veçantë të internetit. www.trusti10.org

Kush mund të aplikojë?

Aplikimi për tërheqje mund të bëhet nga çdo kontributpagues që ka mjete në Trust. Aplikimi mund të bëhet vetëm me llogari bankare aktive personale në Kosovë dhe jo me llogari bankare të ndonjë familjari.

Kush nuk mund të aplikojë?

Për tërheqjen e 10 përqindëshit nuk mund të aplikohet me llogari bankare jashtë Kosovës, si dhe ata persona që kanë llogari biznesi. Aplikimi online do të zgjasë katër muaj.

Numri i kontribuuesve aktivë

Në raportin vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, thuhet se nga 669 mijë llogari, rreth 380 mijë janë kontribuues aktivë. Nga kjo shifër 248 mijë ose 65.5 për qind janë meshkuj, kurse 131 mijë ose 34.5 për qind janë gra. Mosha mesatare e kontribuuesve është 41 vjeç.

Ku gjenden mjetet e Trustit?

Nga shuma e përgjithshme e kursimeve pensionale, Fondi i Kursimeve Pensionale ka të investuar në Kosovë 570 milionë euro ose 29 për qind e të gjitha mjeteve në dispozicion, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të këtij institucioni.

“Prej tyre 384 milionë euro janë blerja e letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës dhe rreth 186 milionë euro janë depozita të afatizuara në bankat e Kosovës”, thuhet në përgjigje. Kurse pjesa tjetër gjendet në tregje të ndryshme financiare botërore.

Paratë pa pronarë

Në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka mjete edhe pa pronarë. Rreth 1.2 milion euro llogaritet vlera e këtyre mjeteve që janë grumbulluar vitin e kaluar e që nuk është arritur të identifikohen pronarët.

Këto mjete, sipas ligjit, kthehen në buxhetin e Kosovës, por “paraprakisht duhet dëshmuar se janë shterur të gjitha mundësitë e gjetjes së informacionit”, thuhet në raport. Këto mjete përfundojnë në këtë mënyrë, pasi kompanitë përfundojnë pagesat, por nuk dorëzojnë listën e punëtorëve apo të dhënat tjera të nevojshme.

Kur mund të tërhiqen kursimet pensionale?

Kontribuesi mund t’i tërheqë paratë kur arrin moshën e pensionit, 65 vjeç. Kur merr ndihmë invaliditeti nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe kur vdes kontributpaguesi para tërheqjes së kursimeve pensionale, e që në këtë rast trashëgimtarët ligjorë të tij/saj e tërheqin gjithë bilancin e kursyer.

XS
SM
MD
LG