Instituti i Shëndetit Publik i Maqedonisë së Veriut, ka bërë të ditur për uljen e numrit të të infektuarve me COVID-19 në periudhën mes 7 dhe 13 dhjetorit.
Sipas raportit, në krahasim me periudhën e para 7 dhjetorit me COVID-19 janë diagnostikuar 5.518 persona nga 35 qytete, apo 14.6 për qind më pak se javën e para 7 dhjetorit. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 174 raste të vdekjes nga 29 qytete, që po ashtu paraqet ulje për 5,4% më pak se javën e kaluar.
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe deklaroi se përmirësimi i shifrave është si rezultat i masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit.
“Masat aktuale po japin rezultate në trajtimin e krizës me koronavirus, por situata është ende kritike dhe kemi frikë se mund të përkeqësohet nëse nuk i përmbahemi masat që janë në fuqi. Jemi në një periudhë në të cilën grupimet më të mëdha në objektet e hotelerisë janë të mundshme, para festave të Vitit të Ri. Kufizimi i orarit të punës deri në orën 18 me respektimin të protokolleve është diçka që mund të bëhet, por nëse lirohemi më shumë pas kësaj ore paraqet rrezik”, ka deklaruar ministri Filipçe duke arsyetuar masat që ka miratuar Qeveria me propozim të Komisionit për Sëmundje Infektive, për shkurtimin e orarit të punës në sektorin e gastronomisë, ndalimin e grumbullimit të më shumë se katër personave si dhe ndalimin e të gjitha aktiviteteve të mundshme nëpër sheshet e qyteteve.
Masat nuk parashohin kufizimi të lëvizjes së qytetarëve si brenda ashtu edhe jashtë shtetit.
Drejtuesit e institucioneve presin që deri në muajin mars 2021 të arrijnë vaksinat e para në Maqedoninë e Veriut
“Sapo të arrijë vaksina në vend, fillimisht do ta marrin mjekët, personeli mjekësorë dhe të gjithë ata që janë në vijën e parë në luftën kundër pandemisë...pastaj si shumë qytetarë do të vaksinohem edhe unë, sepse dua që me shembullin tim të jap kontributin për zhdukjen e COVID-19. Besoj në sigurinë e vaksinës. Qytetarët duhet të jenë të qetë”, ka deklaruar kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.
Maqedonia e Veriut të hënën ka regjistruar 213 të infektuar me koronavirusin e ri, shifër kjo më e ulëta në katër muajt fundit ndërkohë që numri i viktimave ishte 25. Por, këto të dhëna i referohen testimit të 741 mostrave, që po ashtu paraqet numër të ulët të testeve në krahasim me ditët tjera.
Në Maqedoninë e Veriut me COVID-19 janë diagnostikuar 73.851 persona, prej tyre 2.147 kanë ndërruar jetë, 50.046 janë shëruar ndërsa raste aktive janë 21.658 persona.