Ndërlidhjet

Opozita maqedonase synon qeveri të zgjeruar


Kuvendi i Maqedonisë së Veriut -Foto nga arkivi.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut -Foto nga arkivi.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të mërkurën ka theksuar se nuk do të thërrasë takim në nivel liderësh për të diskutuar për krizën e pandemisë dhe bllokadën bullgare, duke shtuar se këtë vendim e ka marrë pas qëndrimit të opozitës se në këtë takim duhet të diskutohet dhe për dorëheqjen e qeverisë dhe formimin e një qeverie të zgjeruar.

“Kam parë një reagim në rrjetin social të shefit të opozitës, në të cilin thuhej ‘PO’ do të bisedohet për Qeveri teknike, për paaftësinë e qeverisë dhe sistemit shëndetësor, për dështimin me Bullgarinë etj. Pse të thërras takim liderësh? Për çfarë? Unë nuk pajtohem aspak me këto çështje, madje do të thosha se kjo është çmenduri”, ka deklaruar të martën Zaev.

Një ditë më parë kryeministri Zoran Zaev ishte zotuar se vetoja bullgare dhe kriza që ka shkaktuar pandemia me koronavirus, do të diskutohen në kuadër të takimit të liderëve deri në fund të këtij viti, madje duke nënvizuar se nëse atë nuk e thërret presidenti i shtetit, këtë do ta bënte ai.

Zaev disa herë kishte theksuar se nuk ka nevojë për takim liderësh për të diskutuar rreth qëndrimit të Maqedonisë ndaj Bullgarisë për sa i përket çështjes së gjuhës dhe historisë.

Ndërkohë, që opozita maqedonase, VMRO-DPMNE, disa herë kishte theksuar se duhet organizuar një mbledhje ku do të jenë të pranishëm krerët e të gjitha partive politike për të mësuar se për çka bisedojnë drejtuesit e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe për të pasur një qëndrim të unifikuar të të gjitha partive politike kundrejt Bullgarisë.

VMRO DPMNE-ja tani thotë se nuk do të marrë pjesë në një takim liderësh ku mund të jetë i ftuar dhe presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, pasi ai tashmë një kohë të gjatë e ka neglizhuar iniciativën e opozitës për harmonizim të qëndrimeve ndaj palës bullgare.

Nënkryetari i VMRO DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë tryezë duhet të diskutohet edhe dorëheqja e qeverisë dhe formimi i një qeverie të gjerë, krahas krizës së pandemisë dhe qasjes së Maqedonisë së Veriut ndaj bllokadës bullgare.

“Ky takim liderësh duhej të realizohej shumë më herët para se të lëshohej mundësia për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian po siç thuhet, asnjëherë nuk është vonë. Qëndrimi ynë është se këtë takim nuk duhet ta organizojë presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, pasi ai plotësisht e ka humbur kredibilitetin dhe në këto rrethana nuk e dimë se pse ai duhet të jetë i pranishëm në një takim të tillë”.

“Nëse takimi thirret nga ana e ndonjë partie politike, gjithsesi se do të marrim pjesë me ç’rast vlerësojmë se tri tema janë thelbësore për t’u diskutuar. E para, zgjidhja e krizës ekonomike dhe shëndetësore që është shkaktuar nga pandemia; e dyta është harmonizimi i qëndrimeve dhe qasja ndaj kushtëzimeve që po i bën Bullgaria dhe gjetja e mënyrave për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian dhe e treta është dorëheqja e qeverisë dhe formimi i një qeverie të gjerë, formimi i qeverisë së shpëtimit kombëtar me qëllim që Maqedonia e Veriut të dalë nga kjo krizë”, thotë Nikollovski.

Elmi Aziri nga koalicioni i dy partive politike shqiptare në opozitë, Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa, thotë se takimi në nivel liderësh paraqet domosdoshmëri për faktin se është e brishtë shumica parlamentare dhe siç shprehet ai, në një formë pamundësohet funksionimi normal i institucioneve.

Takimi në nivel liderësh, thekson Aziri për Radion Evropa e Lirë, duhet t’i paraprijë formimit të një koalicioni të gjerë për të zhbllokuar procesin e integrimeve dhe përballet me sfidat që ka sjellë kriza e pandemisë.

“Ne, si koalicion (Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa) në vazhdimësi kemi theksuar se vendi ballafaqohet me shumë sfida serioze, të cilat kanë karakter mbipartiak dhe mbi-individual faktikisht janë këto sfida kombëtare dhe shtetërore, siç është moscaktimi i datës për fillimin e negociatave për shkak të problemit me Bullgarinë, pastaj është pandemia ajo që ka shkaktuar shumë viktima në Maqedoninë e Veriut, për pasojë kemi dhe krizë ekonomike dhe sociale”.

“Një problem shumë i madh është shumica e brishtë parlamentare e cila thuajse asnjë herë s`ka arritur të këtë 62 numra në parlament, dhe nga ana tjetër sillet sikur t’i ketë 70 apo 80 numra - të gjitha këto paraqesin kufizim të funksionimit normal të institucioneve dhe demokracisë në përgjithësi. Për këtë arsye, vendit i duhet një qeveri e zgjeruar, e cila në mënyrë më kualitative do të ballafaqohet me këto sfida serioze, ndërkohë kjo qeveri e zgjeruar do të këtë për detyrë ta përgatisë vendin për zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, thotë Aziri.

Ndërkaq, Aleksandar Kërzhallovski, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, thotë për Radion Evropa e Lirë se për t`iu shmangur dramave që po bëhen në opinionin se kush është kompetent të thërrasë takim në nivel liderësh, se kur duhet të organizohen takimet e këtilla dhe për çfarë çështje duhet diskutuar, takimet në nivel të krerëve të partive politike duhet të inkorporohen në sistemin juridik dhe jo kjo gjë të lihet në dorë të vullnetit të kryetarëve të partive politike, përkatësisht kapriçove të tyre.

“Takimet e liderëve duhet të vendosen në një kornizë normale juridike ku do të përcaktohet se ato do të reduktohen tërësisht apo do të duhet të mbahen rregullisht, çdo muaj apo çdo kuartal të vitit pa pasur nevojë të bëhen drama se duhet apo jo të mblidhen dhe të diskutojnë për çështje.

“Gjithsesi se takimi në nivel liderësh nuk duhet të zëvendësojë në asnjë mënyrë për zhvillimin e debateve për çështjet që janë me interes për qytetarët dhe shtetin, sepse mendoj se diskutimet dhe vendimet duhet sjellë atje”, thotë Kërzhallovski.

XS
SM
MD
LG