Ndërlidhjet

OJQ-të e Graçanicës nuk marrin fonde nga komuna


Komuna e Graçanicës.

Autoritetet lokale të Graçanicës, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, e kanë anuluar vendimin për ndarjen e 300,000 eurove për projekte të organizatave joqeveritare.

Projektet kishin të bënin me parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe zbutjen e efekteve të pandemisë COVID-19.

Komisioni për Vlerësim i Komunës së Graçanicës, e mori këtë vendim më 16 dhjetor, pasi të 14-të organizatat joqeveritare vendosën të refuzojnë fondet që u ishin ndarë atyre në bazë të një ftese publike më 12 tetor. Këto organizata thanë se gjatë kësaj periudhe ishin ballafaquar me një “linçim të paparë mediatik”.

Vendimi i Asamblesë Komunale të Graçanicës, e cila kishte ndarë 300.000 euro për 14 organizata joqeveritare.
Vendimi i Asamblesë Komunale të Graçanicës, e cila kishte ndarë 300.000 euro për 14 organizata joqeveritare.

Radio Evropa e Lirë, ka shkruar më 2 dhjetor sesi shumica e këtyre organizatave, që kanë përfituar fondet, janë të afërta me autoritetet lokale, dhe se përfituese ka qenë edhe Qendra për Paqe dhe Tolerancë (CPT), njëri nga themeluesit e së cilës është pikërisht kryetari i Komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq, nga Lista Serbe.

Sipas raportit, edhe pjesëtarë tjerë të së njëjtës organizatë kanë përfituar fonde, por janë paraqitur në emër të organizatave tjera.

Në vendimin e komunës për të anuluar ndarjen e mjeteve, thuhet se organizatat joqeveritare nuk dëshirojnë të marrin pjesë në realizimin e projekteve, pasi janë përballur me "padrejtësi dhe linçim publik".

Pse e refuzuan OJQ-të mbështetjen financiare?

Mbështetja financiare e komunës së Graçanicës u refuzua nga organizata joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë - CPT, e cila aplikoi në një konkurs publik me projektin “Aksioni humanitar për ndihmë ndaj qytetarëve më të rrezikuar – Së bashku jemi më të fortë”.

Drejtori Ekzekutiv i CPT-së, Nenad Maksimoviq, tha në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë (RFE) se organizata që ai drejton kishte hequr dorë nga nënshkrimi i kontratave me komunën e Graçanicës, pas presionit të publikut dhe "spekulimeve të mediave, që u ngritën pas publikimit të listës së parë të fituesve të ndihmës financiare".

"Pa asnjë bazë ata më paraqitën në pozicionin e të privilegjuarit dhe si të lidhur me kryetarin aktual të komunës së Graçanicës. Ato janë informacione absolutisht të pasakta", pohon Maksimoviq.

Njëri nga themeluesit e kësaj organizate është pikërisht kryetari i Komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq. Kjo gjë figuron në regjistrin e organizatave joqeveritare që funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës.

Kryetari i Komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq.
Kryetari i Komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq.

Megjithatë, Maksimoviq, thotë se Popoviq ka qenë para 20 vjetësh pjesë e CPT-së dhe se në vitin 2009 ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në këtë organizatë.

"Lidhja e Qendrës për Paqe dhe Tolerancë me Sërgjan Popoviq është një pretendim tendencioz dhe keqdashës i mediave. U krijua një atmosferë sikur ne ishim në një pozitë të privilegjuar, filluan thashethemet në fshat dhe sulmet. E gjithë kjo rezultoi nga një linçim edhe i mediave shqiptare, të cilat na ndërlidhen me një organizatë që mbledh prova për krime të luftës, kundër pjesëtarëve të UÇK-së", tha Maksimoviq.

Nga mbështetja financiare është tërhequr edhe Qendra Humanitare Edukative Rekreative (HERC), e regjistruar në emër të Vlladan Trifiq, i cili gjithashtu është pjesë e ekipit të organizatës joqeveritare CPT.

Njëjtë ka vepruar edhe Qendra Alternative Kulturore (AKC) për projektin “Graçanica solidare kundër COVID-19”. Përfaqësuesi i autorizuar i kësaj organizate është Bojan Teofilloviq, i cili gjithashtu është zëvendësdrejtor i CPT-së.

Në pyetjet për lidhjet midis anëtarëve të CPT-së dhe këtyre OJQ-ve, që iu kishte ndarë ndihma financiare nga komuna e Graçanicës, Maksimoviq tha:

"Ligji nuk e ndalon një person të jetë themelues i një organizate dhe të punojë në një organizatë tjetër. Kjo është plotësisht e qartë në aspektin juridik".

"Vlladan Trifiq është i punësuar vetëm në Qendrën për Paqe dhe Tolerancë, asgjë nuk e pengon atë të drejtojë organizatën Herc, e cila u themelua rreth 15 vjet më parë. Nuk ka konflikt interesi", shtoi ai.

Disa organizata joqeveritare të cilat ishin pjesë e listës për mbështetje financiare nga komuna e Graçanicës, nuk figurojnë të regjistruara, pra ato nuk ekzistojnë zyrtarisht. Këtu bëhet fjalë për organizatën “CCCC”, “Univerzum”, “Qendra për media dhe traditë”.

Organizatat tjera që kanë përfituar mbështetjen financiare janë “Qendra kulturore e fëmijëve” e Millica Popoviqit, si dhe “Çelësi i të ardhmes” i Nemanja Popoviqit. Përfaqësuesit e të dy organizatave janë nga familja e njëjtë e kryetarit të komunës, Sërgjan Popoviq.

Sipas Ligjit për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare, në pjesën që lidhet me konfliktin e interesit, nuk përcaktohet nëse një anëtar i një OJQ-je mund të formojë shoqatat e veta, por thuhet se “asnjë anëtari të organit drejtues nuk i lejohet të marrë pjesë në diskutim apo në marrjen e vendimit për çështje kur ai ka interes privat të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, personal ose pasuror, të cilat ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në ligjshmërinë, transparencën, objektivitetin dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit”.

Komuna e Graçanicës: Do të përpiqemi të mos i kthejmë fondet

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të kontaktojë me kryetarin e komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq për të folur rreth qëndrimit të tij për këtë çështje.

Nga Zyra për Informim e kësaj komune është thënë se në javët e fundit, Komuna e Graçanicës dhe 14 organizatat joqeveritare "ishin në shënjestër të partive të caktuara politike dhe disa mediave", dhe se ndaj tyre janë bërë akuza për mosrespektim të ligjit dhe keqpërdorim të fondeve publike.

"Veprime të tilla i kanë shkaktuar dëme të mëdha komunitetit tonë. Komuna e Graçanicës do të përpiqet t’i mbajë këto fonde në buxhetin e saj, në mënyrë që të mos i kthejmë në Prishtinë, por nëse mjetet kthehen mbrapsht, ata që e shkaktuan tërë këtë me akuzat e tyre të pabazuara dhe të pakuptimta duhet të marrin përgjegjësi”, thuhet në një deklaratë për media.

Nga institucionet qendrore askush nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se çfarë do të ndodhë tani me mjetet financiare që i janë ndarë komunës së Graçanicës nga buxheti i Kosovës.

Por, ish-ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Sadri Ferati, shpjegon se autoritetet lokale duhet të dëshmojnë se fondet nga buxheti i Qeverisë së Kosovës janë shpenzuar për qëllimin për të cilin janë ndarë.

"Nëse nuk shpenzohen për atë qëllim, ato fonde nuk mund të përdoren për asgjë tjetër përveç nëse ministria kompetente dhe Qeveria marrin ndonjë vendim të ri, sipas të cilit, komuna lejohet të ridrejtojë fondet", tha Ferati.

Si ka filluar kjo histori?

Kuvendi i Komunës së Graçanicës, më 25 nëntor, në bazë të propozimit të kryetarit të Komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq, ka miratuar vendimin për ndarjen e shumës prej 284.985 euro për 14 organizata joqeveritare, të cilat kishin aplikuar më parë në një thirrje publike, të publikuar në 12 tetor.

Thirrja kishte të bënte me organizatat joqeveritare, puna e të cilave është e fokusuar në fushën e veprimtarisë humanitare, ndërkaq projektet dhe aktivitetet në bazë të së cilave është ndarë mbështetja financiare, do të duhej t’i referoheshin dorëzimit të pakove me artikujt ushqimorë themelorë, me artikuj higjienikë, pajisje mbrojtëse dhe ndihmë për të rrezikuarit, të moshuarit dhe pjesën tjetër të popullsisë.

Këto mjete financiare kanë dalë nga Plani për zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike i Qeverisë së Kosovës, në bazë të së cilit 2 milionë euro janë ndarë për mbështetjen e projekteve të komuniteteve joshumicë, me qëllim të përmirësimit të jetës dhe rimëkëmbjes ekonomike.

Edhe pse më parë për të gjitha këto organizata ishin ndarë mjete në shumë prej 20.356 eurosh, Komuna e Graçanicës më 4 dhjetor mori një vendim të ri, sipas së cilit ndarja do të bëhej prej 17.000 deri 24.500 eurosh.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG