Ndërlidhjet

Ende nuk dihet motivi i shpërthimit në Nashvill


Vendi ku ka ndodhur sulmi në Nashvill, më 25 dhjetor, 2020.
Vendi ku ka ndodhur sulmi në Nashvill, më 25 dhjetor, 2020.

Hetuesit në shtetin amerikan të Tenesit ende po kërkojnë motivin e shpërthimit që tronditi qendrën e Nashvill më 25 dhjetor, duke vrarë autorin dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesat historike.

Hetuesit identifikuan autorin si Anthony Quinn Warner, 63 vjeç.

Warner la pas të dhëna që sugjeronin se ai planifikoi shpërthimin dhe kishte për qëllim të vriste veten, por një motiv i qartë ende mbetet i panjohur.

“Shpresojmë të marrim një përgjigje. Ndonjëherë, thjesht nuk është e mundur”, tha hetuesi, David Rausch, për NBC më 28 dhjetor.

Warner kishte punuar si konsulent kompjuterësh për një kompani të pasurive të patundshme në Nashvill para se të dilte në pension më parë këtë muaj.

"Tony Warner që ne e njihnim ishte një person i mirë që kurrë nuk shfaqi ndonjë sjellje që ishte më pak se profesionale", tha Steve Fridrich, pronari i agjencisë së pasurive të patundshme në një deklaratë të cituar nga raportet e mediave.

Warner thuhet se i tha një fqinji një javë para Krishtlindjes se "Nashville dhe bota nuk do të më harrojë kurrë", sipas Associated Press.

Fqinji, Rick Laude, nuk e analizoi shumë këtë paralajmërim në atë kohë.

"Asgjë në lidhje me këtë burrë nuk ngriti ndonjë flamur të kuq. Ai ishte thjesht i qetë ", tha Laude.

Autoritetet kanë thënë se ata besojnë se ai veproi i vetëm.

Shpërthimi plagosi tre persona dhe shkatërroi ndërtesat në qytetin e njohur si kryeqyteti i muzikës “country” të SHBA-së.

XS
SM
MD
LG