Ndërlidhjet

Maqedonia e V. regjistron 11 viktima dhe 100 raste të reja me COVID-19


Shkup, foto nga arkivi.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar 11 viktima dhe 100 raste të reja me koronavirus. Po ashtu, gjatë 24 orëve të fundit, 551 persona të tjerë janë shëruar nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Raporti i Ministrisë së Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, bazohet në testimin e 764 mostrave në 24 orët e fundit në disa nga laboratorët shtetërorë dhe publikë.

Viktimat janë tre në Shkup, dy në Vinicë ndërsa nga një janë regjistruar në gjashtë qytete tjera, ndërkohë që numër më të madh të të infektuarve ka në Shkup, gjithsej 47 persona, kurse në Dibër janë regjistruar 12 raste dhe dhjetë në Tetovë. Ndërkaq, numër më të vogël të të infektuarve janë regjistruar në qytete të tjera.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi se vaksinat e para nga 833 mijë dozat e kontraktuara, mund të mbërrijnë në fund të janarit ose në fillim të shkurtit.

Ai gjithashtu ka komentuar kërkesën e pronarëve të objekteve të gastronomisë të cilët kërkojnë zbutjen e masave, respektivisht zgjatjen e orarit të punës së lokaleve dhe restoranteve.

“Ndryshim të orarit nuk do të ketë deri më 21 janar kur edhe përfundon afati për masat për mbrojtje nga përhapja e pandemisë. Pas kësaj date mund të bisedohet, por vendimi do të merret në bazë të rekomandimit të ekspertëve”, ka deklaruar Filipçe.

Për momentin objektet e gastronomisë në Maqedoninë e Veriut punojnë deri në orën 18:00 ndërsa pas kësaj ore ndalohet edhe grumbullimi i më shumë se katër personave në ambiente të hapura.

Në kuadër aktiviteteve për respektimin e masave, inspektoratet kanë dënuar me nga 20 euro edhe 15 zyrtarë të partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, për grumbullim dhe mosmbajtje të maskës në një manifestim me rastin e hapjen së objektit të Ministrisë për Sistem Politik si dhe shënimit të ditëlindjes së Ali Ahmetit, kreut të kësaj partie.

Zëvendëskryeministri Artan Grubi ndërkohë është gjobitur me 500 euro, për rrezikimin e popullatës nga sëmundjet infektive si dhe lejimin e manifestimin në objektin e ministrisë të cilën ai e drejton.

Që nga paraqitja e koronavrusit të ri, në Maqedoninë e Veriut me COVID-19 janë të diagnostikuar 85,594 persona, prej tyre 2,592 e kanë humbur jetën, 66,760 janë shëruar, ndërsa raste aktive janë 16,242.

XS
SM
MD
LG