Ndërlidhjet

CDC: Varianti i ri i COVID-19 mund të bëhet dominues në SHBA


Fotografi nga arkivi.

Varianti i ri i koronavirusit, që fillimisht u zbulua në Britani, deri në muajin mars, mund të shndërrohet në variantin dominues të virusit në Shtetet e Bashkuara, paralajmëruan Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Varianti, i njohur me emrin B.1.1.7, besohet se është dyfish më ngjitës sesa varianti aktual i virusit që është i përhapur në SHBA.

Ky variant i ri është detektuar në 12 shtete amerikane dhe janë regjistruar 76 raste, por me gjasë është më i shpërndarë në SHBA sesa rastet e regjistruar deri më tani, tha CDC.

“Ne duam të ngrisim alarmin”, tha zëvendësdrejtori i CDC-së për sëmundje ngjitëse, Jay Butler.

Zyrtarët shëndetësorë kanë frikë se nëse ky variant përhapet me shpejtësi, do të rëndojë spitalet, tashmë të ngarkuara me pacientë me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi i ri.

Megjithatë, nuk ka të dhënë se ky variant i ri shkakton sëmundje më të rëndë dhe mbajtja e maskave dhe masat e reja parandaluese aplikohen edhe për këtë variant, tha CDC.

Shkencëtarët gjithashtu kanë shprehur bindjen se vaksinat që tashmë po administrohen kundër koronavirusit, janë efektive edhe ndaj këtij varianti.

Paralajmërimi i CDC-së vjen pasi numri i vdekjeve në botë nga COVID-19 kaloi shifrën e 2 milionëve dhe teksa fushata e vaksinimit në Evropë ka ngecur. Ndërkaq, në SHBA administrata në ardhje ka paralajmëruar për planet e saja për të përshpejtuar fushatën e vaksinimit.

Më 15 janar, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, u kalua shifra prej 2 milionë viktimave nga koronavirusi.

SHBA-ja është vendi i goditur më së keqi nga pandemia, ku mbi 390,000 amerikanë kanë humbur jetën nga COVID-19. Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden është zotuar se në 100 ditët e para të mandatit të tij si president, do të administrohen 100 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19.

Ndërkaq, planet e Bashkimit Evropian për vaksinimin kundër COVID-19 kanë hasur në vështirësi, pasi kompania amerikane Pfizer dhe partneri i saj gjerman, BioNTech kanë njoftuar se do të reduktojë përkohësisht shpërndarjen e vaksinave në Evropë. Pfizer tha se për të arritur cakun prej 2 miliardë dozave, do të duhet që të prodhojë më shumë vaksina, duke njoftuar se do të shpërndajë më pak vaksina në fund të janarit dhe fillim të shkurtit.

XS
SM
MD
LG