Ndërlidhjet

Maqedonia e V. regjistron brenda një dite mbi 2 mijë të shëruar nga COVID-19


Shkup, foto nga arkivi.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të shtunën 14 të vdekur si dhe 361 të infektuar me koronavirus, ndërkohë që rekord është shënuar sa i përket të shëruar, gjithsej 2.116 persona.

Shifrat për rastet e reja, që janë publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, bazohen në testimin e 2.176 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë.

Viktimat janë: 6 në Shkup, nga 2 në Tetovë dhe Strumicë si dhe nga 1 në Kumanovë, Prilep, Strugë dhe Ohër.

Sipas të dhënave, numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 2.696 persona, i të shëruarve në 71.592, ndërsa raste aktive janë 14.461 persona. Që nga paraqitja e pandemisë në Maqedoninë e Veriut, me sëmundjen COVID-19 janë diagnostikuar 88.749 persona, nga më shumë se 430.000 teste të kryera.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për shqiptimin e 370 gjobave për mosrespektimin të masave mbrojtëse, përkatësisht për mosmbajtjen të maskës.

Nga ana tjetër, opozita ka drejtuar kritika ndaj qeverisë, për siç ka thënë, “mashtrimin e popullatës lidhur me procesin e vaksinimit”.

Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE tha se “për shkak të politikave katastrofale të kryeministrit Zoran Zaev dhe ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, Maqedonia ka mbetur vendi i vetëm në Ballkan që jo vetëm që nuk ka siguruar asnjë vaksinë, por as pajisjet e nevojshme për ruajtjen e tyre”.

"As që ka datë të saktë se kur do të fillojë vaksinimi, as sa vaksina nevojiten. Me muaj dëgjojmë vetëm spekulime dhe gënjeshtra. Është fakt që ata nuk kanë asnjë plan për vaksinimin. Është fakt se Zoran Zaev dhe Venko Filipçe e shkatërruan shëndetësinë. Ata i kanë lënë njerëzit pezull në mes të epidemisë dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilokvski.

XS
SM
MD
LG