Ndërlidhjet

Maqedonia e V. regjistron 11 viktima dhe 347 të infektuar me COVID-19


Ilustrim.
Ilustrim.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të shtunën 11 viktima nga koronavirusi i ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 2,799.

Shumica e viktimave janë regjistruar në Shkup.

Viktima e reja janë, pesë në Shkup (35,65,74,75,81 vjeç) ndërsa nga një viktimë është regjistruar në qytetet e Shtipit (80), Velesit (82), Strumicës (78), Kavadarit (55) dhe Pehçevës (93).

Të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë edhe për 347 raste të reja të të infektuarve si dhe për 378 të shëruar, numri më i madh i të cilëve është në qytetin e Shkupit.

Raporti i Ministrisë i referohet testimit të 2,013 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë të këtij vendi.

Që nga paraqitja e rastit të parë të infektimit me koronavirus në Maqedoninë e Veriut, me COVID-19 janë diagnostikuar 90,471 persona.

Prej tyre 11,269 raste janë ende aktive ndërsa 76,423 persona janë shëruar.

Ulja e numrit të të sëmurëve me COVID-19 ka bërë që qeveria të vazhdojë me masat lehtësuese, përfshirë edhe punën e administratës, e cila nga 1 shkurti do t’i rikthehet normalitetit, përkatësisht të gjithë punonjësit e saj do të kthehen në vendet e punës.

"Duke qenë se numri i të infektuarve ka rënë, nga 1 shkurt 2021 të gjithë punonjësit e administratës do të kthehen në vendet e tyre të punës, me orar të plotë”, thuhet në njoftimin e qeverisë, e cila kërkon mendim nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive nëse nga ky vendim mund të lirohen kategoritë e rrezikuara, të sëmurët kronikë dhe të moshuarit.

Në kuadër të masave lehtësuese, objektet e gastronomisë, restorantet e objektet tjera shërbyese kanë zgjatur orarin e punës deri në orën 21:00 ndërsa nga 28 janari ato do të mund të punojnë deri në orën 23:00.

XS
SM
MD
LG