Ndërlidhjet

Vërshime në disa zona të Kosovës


Rruga Rud-Sferkë në Malishevë e dëmtuar nga vërshimet në fillim të muajit janar 2020.
Rruga Rud-Sferkë në Malishevë e dëmtuar nga vërshimet në fillim të muajit janar 2020.

Në disa rajone të Kosovës janë regjistruar vërshime si pasojë e reshjeve të borës dhe shiut.

Në një komunikatë nga zyra e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Avdullah Hoti, thuhet se në autostradën Pejë-Prishtinë afër rrethrrotullimit tek aeroporti, ka filluar të ngritët niveli i ujit, por megjithatë autostrada është e kalueshme.

“Njësitet e Policisë janë në vendin e ngjarjes në fshatin Kuzmin, ku rruga është e pakalueshme, niveli i ujit është në rritje dhe mund të rrezikohen disa shtëpi. Në Volljakë tek Guri i zi, restorantet janë përmbytur nga uji i Drinit të Bardhë dhe lumi Mirusha”, thuhet në komunikatë.

Situata po përcillet nga Qendra e Situatave e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Të martën rreth mesditës, Komuna e Malishevës përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se Lumi Mirusha përsëri ka dalë nga shtrati, ndërsa dy ura janë të mbuluara me ujë.

“Është rritur niveli i ujit në lumin Mirusha dhe në rrjedhat tjera të ujërave, duke shkaktuar daljen nga shtrati të lumit, kryesisht në prona bujqësore, por edhe në rrugë dhe si pasojë rruga Mirushë-Gurbardh është bllokuar, dhe vështirësi ka edhe në akset rrugore Malishevë-Kijevë, Malishevë-Banjë dhe Turjakë-Bubël, ndërsa rrugët në malet e Berishës, janë të kalueshme, pasi është larguar bora nga rrugët”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave nga Qendra e Situatave në zonën e Malishevës të gjitha rrugët janë të kalueshme, por me vështirësi.

Fotogaleri nga arkivi:

Edhe komuna e Podujevës ka njoftuar për vërshime në disa zona.

Sipas njoftimit një pjesë e lagjeve “Shala” dhe “Tovërlanët” është vërshuar si pasojë e ngushtimit të shtratit të një përroske.

Në fillim të muajit janar, disa rajone në Kosovë u vërshuan si pasojë e reshjeve të shumta.

Vërshimet shkaktuan dëme të mëdha tek ekonomitë familjare, bizneset, në bujqësi dhe në infrastrukturë.

Komunat e Kosovës që u prekën nga vërshimet krijuan komisionet për evidentimin e dëmeve. Deri më tani ende nuk dihet për vlerën e saktë të dëmeve.

Për dëmet e shkaktuara, Qeveria në detyrë e Kosovës përmes një Fondi Emergjent ka ndarë 1 milion euro për kompensim.

XS
SM
MD
LG