Ndërlidhjet

Raporti i TI-së, për maqedonasit - real


Sipas indeksit për perceptimin e korrupsionit për vitin 2020, nga Transparency International, Maqedonia e Veriut nuk ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit.

Qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Shkup konsiderojnë se raporti i fundit i Transparency International, për sa i përket perceptimit të korrupsionit ku Maqedonia e Veriut është riradhitur në pozitën e 111-të, është shumë i vërtetë, pasi siç thonë ata, pothuajse asnjë punë nuk mund ta kryesh në institucione nëse nuk ke të njohur ose nuk jep ryshfet.

Dalibor Stojçevski thotë se pas një rrahje ku ka qenë i përfshirë në gjendje të dehur, i është kërkuar ryshfet për të kaluar më lehtë, siç i është thënë, nga disa persona të afërt me organet e sigurisë.

“Në gjendje të dehur isha i përfshirë në një rrahje me miqtë e mi, më pas nga disa persona të cilët ishin të afërt me gjykatësit dhe policët na u tha se ‘duhet të jepni kaq para që të kaloni më lehtë’ . Vetëm me korrupsion kryhen punët”, thotë Dalibor Stojçevski, duke shtuar se nuk e ka ndërmend të japë ryshfet, sepse e di se dhënia e ryshfetit paraqet vepër penale, si për atë që jep, ashtu edhe për atë që merr.

Nga ana tjetër, Cveta Markovska, pensioniste, thotë se korrupsioni gjithmonë ka qenë prezent në shoqërinë maqedonase, megjithëse shton se tani kjo gjendje është alarmante, sepse është imponuar si kulturë jetese qoftë në realizimin e shërbimeve administrative, apo punësimin.

“Mbase nuk më janë kërkuar mjete financiare, por më është dashur të gjej miq për të kryer punë në institucione të caktuara të shtetit”, thotë ajo.

Të anketuarit thonë se rastet korruptive nuk i denoncojnë në Gjykata pasi sistemi gjyqësor i cili duhet të garantojë realizimin e drejtësisë, mbetet gjithnjë e më pak i besueshëm për ta.

“Janë humbur vlerat morale asgjë nuk funksionon, s`ke ku ankohesh. Do të nevojiten decenie të tëra që gjërat të ndryshojnë për së mbari”, thotë Marina Ampova.

Ndryshe, Indeksi për perceptimin e korrupsionit për vitin 2020, i publikuar nga Transparency International, ka zbuluar se korrupsioni ka shënuar rezultatin dhe rangimin më të ulët të Maqedonisë së Veriut, nga viti 2001 kur për herë të parë Maqedonia e Veriut ishte ranguar si shtet.

Me numër të pandryshuar të pikëve nga viti i kaluar, 35, Maqedonia e Veriut, këtë vit gjendet në vendin e 111-të nga gjithsej 180 vende të ranguara.

Sllagjana Taseva nga Transparency International për Maqedoninë e Veriut , thotë për Radion Evropa e Lirë se rangimi është më i keqi në histori, prejse ka filluar matja në vend.

“Ky është rezultati më i keq historik që kemi pasur për sa i përket perceptimit të korrupsionit. Kjo flet për atë se ne si shtet nuk arritëm që në formë adekuate të përballemi me korrupsionin. Veçanërisht, këtu do të theksoj se dështuam me realizimin e reformave të premtuara në sistemin gjyqësor ku Maqedonia ka shënuar trend negativ dhe realizimin e të drejtave të njeriut”, thotë Taseva.

Ish- gjykatësi Bashkim Selmani si shumë problematike e sheh çështjen e dëshmimit të pranisë së korrupsionit në gjykata.

“E para është shumë e vështirë që të dëshmohet korrupsioni dhe e dyta si problem paraqitet ndërthurja politike me individë të caktuar brenda për brenda sistemit gjyqësor”, thotë Selmani.

Ndërkohë, Dragan Malinovski, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka dilema se “receta” për përballjen efikase me korrupsionin është shumë e qartë - përforcimi i kapaciteteve si në aspektin financiar, ashtu dhe atë të kuadrove profesionale në institucionet që janë të thirrura ta luftojnë korrupsionin.

“Në bazë të Ligjit për korrupsion, Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit duhet të ketë qasje të drejtpërdrejtë në 17 institucione , por realisht në bazë të gjendjes faktike, Komisioni për parandalimin e korrupsionit mezi ka qasje në të dhënat e 1 apo 2 institucioneve për shkak të softuerit joadekuat dhe mungesës së kuadrit profesional. Të mos flasim për çështjet tjera”.

“Nëse ju nuk keni qasje në të dhënat në kohë reale, në këtë kohë të digjitalizimit, u mungon kuadri profesional , nuk keni mjete financiare për të angazhuar ekspertë të lëmive të caktuara, si mund t’i realizoni kompetencat tuaja pavarësisht se ato janë në letër”, thotë Malinovski.

Zëvendëskryeministri i angazhuar për çështjet e korrupsionit në kuadër të qeverisë, Lupco Nikollovski, trendin negativ për sa i përket luftimit të korrupsionit e ka arsyetuar me faktin se bëhet fjalë vetëm për perceptim të qytetarëve.

Ndërkohë, partitë politike në opozitë në Maqedoninë e Veriut kanë theksuar se raporti i publikuar së fundi i Transparency International, është një tregues i qartë se “pushteti, në mënyrë mafioze, e ka kthyer Maqedoninë e Veriut në vatër të korrupsionit dhe krimit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG