Ndërlidhjet

Maqedoni e V.: Tetë të vdekur dhe 314 të infektuar me koronavirus


Shkup, foto nga arkivi.
Shkup, foto nga arkivi.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të premten tetë viktima me COVID-19 dhe 314 raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga dy viktima janë regjistruar në Kumanovë dhe Ohër, ndërsa nga një në qytetet e Shkupit, Velesit, Berovës dhe Strumicës.

Numri i përgjithshëm i viktimave me COVID-19 në Maqedoni të Veriut ka arritur në 2,908 perona.

Sa i përket të infektuarve, numri më i madh i tyre është në Shkup, gjithsej 179 raste, ndërsa numër më të vogël ka në 26 qytete tjera.

Të premten janë regjistruar edhe 210 persona të shëruar, ku numri më i madh i tyre është në Shkup.

Në Maqedoninë e Veriut deri më tani me COVID-19 janë diagnostikuar 94,196 persona, prej të cilëve 83,634 janë shëruar, ndërsa 7,654 të tjerë janë ende aktivë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka bërë të ditur se Maqedonia e Veriut përmes mekanizmit COVAX deri në fund të muajit shkurt pritet të furnizohet 103,200 doza të vaksinës kundër koronavirusit. Sipas ministrit Filipçe, vaksinat janë pjesë e iniciativës së Kombeve të Bashkuara që do të shpërndajë gjithsej 337.2 milionë vaksina për 145 shtete në të gjithë botën.

Më herët Filipçe kishte njoftuar se vaksinat e para të kompanisë Pfizer nuk do të arrijnë para muajit mars, ndërsa ka bërë të ditur nisjen e procedurës për furnizim me 200 mijë vaksina kineze.

Maqedonia e Veriut deri tani nuk ka pranuar asnjë vaksinë.

XS
SM
MD
LG