Ndërlidhjet

Maqedonia e V. nis vaksinimin kundër COVID-19


Klinika Infektive në Shkup.
Klinika Infektive në Shkup.

Në Maqedoninë e Veriut të mërkurën ka nisur vaksinimi kundër COVID-19 i punonjësve shëndetësor me 4,680 dozat e kompanisë Pfizer/BioNtech që janë dhuruar nga qeveria e Serbisë.

Vaksinat e para i kanë marrë punonjësit e spitalit modular të Klinikës Infektive në Shkup, ndërsa pas arritjes së dozave të porositura nga prodhuesi kinez Sinopharm, do të vaksinohen edhe punonjësit tjerë.

“Unë pranova vaksinën dhe ndjehem shumë mirë, nuk kam ndjerë asnjë dhimbje apo shqetësim tjetër. Çdonjëri prej nesh mund të marr vaksinën, kuptohet se është në dëshirën e secilit prej nesh se cilën vaksinë dëshiron të merr, por marrja e vaksinës është mënyra e vetme që të mbrohemi nga infektimi dhe të përballemi me pandeminë me të cilën po përballemi jo vetëm ne por e gjithë bota”, ka deklaruar, Dobrinka Naumova, mjeke specialiste në Klinikën Infektive në Shkup.

Pas tre javësh personat e vaksinuar do të marrin dozën e dytë, ndërsa sipas specialistes, Naumova imunitetin të vaksinuarit pritet të arrijnë jo më gjatë se një muaj nga marrja e dozës së dytë.

“Edhe unë ndjehen shumë mirë dhe i ftoj të gjithë që të mos hezitojnë, por të vaksinohen në mundësinë e parë. Me vaksinim ndjehemi më të sigurt, shpresojmë se do të kalojmë gjendjen në të cilën ndodhemi”, deklaroi Ana Anastasovska, kryeinfermiere në Klinikën Infektive.

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, nuk u vaksinua meqë tha se përparësi do t'i japë personelit mjekësor që ndodhet në vijën e parë të frontit në përballje me virusin vdekjeprurës.

“Ne do të fillojmë edhe një fushatë për ngritjen e ndërgjegjes, pasi është shumë me rëndësi që qytetarët të jenë të vetëdijshëm dhe të kuptojnë rëndësinë e vaksinimit. Ato janë shumë të sigurta, pa marrë parasysh se për cilin prodhues bëhet fjalë. Kjo është mënyra e vetme që ne të ndryshojmë fotografinë e pandemisë, që të përballojmë këtë gjendje të rëndë dhe ngadalë të kthehemi në gjendjen normale, jo vetëm ne por të gjitha vendet e botës. Sistemi po funksionon mirë dhe shpresojmë se edhe procesi i rivaksinimit po të rrjedhë me shpresë se do të arrijmë imunizimit e popullatës”, ka deklaruar Filipçe.

Vaksinimi për momentin po zhvillohet vetëm se në Shkup, ndërsa më vonë vaksinat do të shpërndahen edhe në qytete tjera.

Maqedonia e Veriut javën e kaluar ka arritur marrëveshje me prodhuesin kinez Sinopharm për blerjen e 200 mijë vaksinave, të cilat pritet të arrijnë deri në fund të muajit ndërsa në proces janë procedurat për arritjen e marrëveshjeve edhe me kompani tjera. Përparësi do të kenë vaksinat e prodhuara në shtetet e BE-së, por Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe nuk e ka përjashtuar mundësinë edhe të vaksinave tjera, përfshirë edhe atë ruse.

Nga Instituti i Shëndetit Publik kanë bërë të ditur se në rast se nëse 500 mijë qytetarë vaksinohen, atëherë gjendja epidemiologjike do të përmirësohet ndjeshëm duke marr parasysh edhe faktin se rreth 100 mijë qytetarë të infektuar në të kaluarën tashmë kanë imunitet natyror.

Maqedonia e Veriut deri të martën me covid-19 ka të diagnostikuar mbi 97 mijë persona, prej tyre 3.003 persona e kanë humbur jetën, më shumë se 88 mijë janë shëruar ndërsa raste aktive janë 6,152 persona.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG