Ndërlidhjet

Princesha Latifa i kërkon Britanisë të rihapë rastin e motrës së kidnapuar


Princesha Latifa.
Princesha Latifa.

Princesha Latifa, një prej vajzave të udhëheqësit të Dubait, Mohammed bin Rashid al-Maktoum, i ka shkruar një letër policisë britanike, duke kërkuar që të rinisë hetimet për kidnapimin e motrës së saj të vogël nga një rrugë në Kembrixh më 2000, raporton transmetuesi britanik BBC.

Në një letër të shkruar me dorë, të parë nga BBC, të vitit 2018, Latifa i ka kërkuar policisë që të fokusohet sërish në rastin e motrës së saj Shamsa, tani 39-vjeçare, e cila është kidnapuar në moshën 18-vjeçare, dhe nuk është parë prej atëherë në publik.

Zyra për media e Qeverisë në Dubai nuk është përgjigjur në kërkesat e mediave ndërkombëtare për koment.

Policia në Kembrixh ka konfirmuar se ka pranuar një letër, të shkruar në shkurt të vitit 2018, lidhur me rastin që është pjesë e një “rishikimi të vazhdueshëm”.

Latifa, 35-vjeçare, është edhe vetë subjekt i shqetësimit ndërkombëtar.

Në një video-mesazh të publikuar nga banjoja, dhe të siguruar nga BBC, ajo ka thënë se është duke u mbajtur e izoluar në një vilë të rrethuar.

Emiratetet e Bashkuara Arabe kanë thënë se për të janë duke u kujdesur, si familja ashtu edhe profesionistët shëndetësorë.

Gjykata Supreme në Londër pati vendosur më 2019 se sheiku Mohammed bin Rashid al Maktoum, ka rrëmbyer të dyja vajzat e veta dhe i ka mbajtur kundër dëshirës së tyre.

Javën e kaluar programi Panorama i BBC-së, ka publikuar disa video të Latifas, e cila e ka incizuar veten me një telefon që i është dhënë në fshehtësi, duke treguar se si po mbahet “peng” nga babai i saj pas tentimeve të dështuara për të ikur më 2018.

Prej publikimit të ketyre materiave, Kombet e Bashkuara kanë kërkuar dëshmi se Latifa është gjallë.

Historia e Princeshës Latifa

Më 2018, agjencia e lajmeve Associated Press ka raportuar sesi miqtë i kanë ndihmuar Princeshës Latifa që të ikë me anije nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pas pak kohësh ajo është zënë në Indi.

“Mua nuk më lejohet të drejtoj makinën, nuk më lejohet të udhëtoj apo të largohem nga Dubai”, pati thënë ajo në një video të incizuar pak para se të ikte.

Tentimet dramatike të ikjes, dhe pasojat e këtij veprimi kanë rezultuar me imazh të kontrolluar të kësaj çështjeje nga babi i Latifas, sheiku Mohammed bin Rashid Al Maktoum.

Ai ka ndërtuar një qytet tejet të suksesshëm mirëpo aktivistët për të drejtat e njerëzve kanë thënë se ai nuk toleron kundërshtarët dhe sistemi gjyqësor mund të diskriminojë gratë.

Sheiku Mohammed, që udhëheq Dubain, dhe i cili shërben si kryeministër dhe nën-president i Emirateve të Bashkuara Arabe, besohet se ka shumë fëmijë me disa gra.

Disa prej djemve dhe vajzave të tij janë figura të famshme në mediat lokale, derisa të tjerët shihen rrallë.

Princesha Latifa është njohur paraprakisht për pasionin e saj për hedhje me parashutë.

Dështimi i Shamsas për të ikur

Princesha Shamsa është rritur pjesërisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka përfituar edukim perëndimor.

“Shamsa nuk kanë qenë sikurse vajzat tjera që quhen ‘princesha’”, bazuar në deklaratat e kushëririt të saj Marcus Essabri, i cili ka jetuar me familjen në Dubai për dy vjet dhe ka qenë i afërt me të.

“Ajo ka qenë plotë jetë dhe aventurë”.

“Ajo ka dëshiruar të bëjë dallimin për gratë, për botën arabe në përgjithësi. Ajo ka synuar që të thyejë kufijtë… prandaj edhe kanë lindur problemet”, ka thënë Essabri.

Shamsa i ka shkruar Essabrit nga Londra në shtator të vitit 1999, nëntë muaj para ikjes së saj.

Babai i saj nuk e ka lejuar që të vazhdojë studimet dhe të shkojë në universitet.

Sheiku Mohammed bin Rashid al-Maktoum.
Sheiku Mohammed bin Rashid al-Maktoum.

“Nuk më lejojnë të vazhdoj. Ai as nuk më ka pyetur nëse jam e interesuar. Vetëm ka thënë jo”.

Ajo i ka treguar kushëririt të saj se po synon të ikë.

“Një gjë që më frikëson është kur e imagjinoj veten të vjetër dhe të penduar pse nuk kam tentuar kur kam qenë 18-vjeçare. Të tentoj çfarë? Nuk e di. Vetëm të shfrytëzojë rastin”.

Dhe në verën e vitit 2000, ajo ka vepruar.

Ajo ka ikur me një makinë të tipit Range Rover nga prona e babait të saj.

Sheiku më pas ka angazhuar një ekip agjentësh për ta përndjekur.

Më 19 gusht të vitit 2000, një burrë e ka dërguar Shamsan në Kembrixh, duke lënë gjurmë në regjistrim në një hotel.

Pa dijeninë e saj, katër burra të angazhuar nga babai i saj e kanë rrëmbyer në rrugë.

Në mëngjesin e së nesërmes ajo është dërguar në veri të Francës, prej nga është dërguar në Dubai me aeroplan privat.

Aty kanë përfunduar ëndrrat e saj për liri dhe edukim.

Policia në Kembrixh ka nisur fillimisht hetimet për kidnapim më 2001, pasi Shamsa ka kontaktuar përmes një avokati për imigrim.

Mirëpo hetimi është ndërprerë pasi zyrtarëve u është bllokuar shkuarja në Dubai.

Në një deklaratë për BBC-në, Policia e Kembrixhit ka thënë se ka pranuar letrën e Latifas, e cila sipas tyre “do të trajtohet në kuadër të hetimeve të vazhdueshme”.

“Ky është një rast shumë serioz dhe shumë kompleks, dhe detajet e këtij rasti do të ishte e pahijshme që të diskutohen publikisht”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG