Ndërlidhjet

Rregullat e gjyqësorit në Poloni "mund të shkelin ligjin e BE-së"


Ilustrim.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka vendosur të martën që rregullat e reja të Polonisë, për emërim të gjyqtarëve në Gjykatën Supreme, mund të shkelin ligjin e Bashkimit Evropian.

Ky vendim obligon Qeverinë e krahut të djathtë të Polonisë që të mos zbatojë këto rregulla, dhe të respektojë parimet e gjyqësorit të pavarur dhe të të drejtës për mbrojtje gjyqësore.

Bashkimi Evropian ka kritikuar ashpër qeverinë konservatore polake për ndryshimet që ka bërë në gjyqësor, prej kur ka marrë pushtetin më 2015, duke thënë se ato e dëmtojnë sundimin e ligjit.

Legjislacionet në Poloni kanë fuqizuar ndikimin politik ndaj Këshillit Kombëtar të Gjyqësorit dhe procedurën se si bën ky trup emërime në Gjykatën Supreme.

Në kuadër të ndryshimeve është përfshirë edhe kufizimi i së drejtës për të apeluar vendimet e këshillit.

Rregulloret “të cilat kanë efektin e largimit të rishikimit të efektshëm gjyqësor të vendimeve të këshillit … (propozimit) të kandidatëve si gjyqtarë në Gjykatën Supreme – mund të shkelin ligjet e BE-së”, ka thënë Gjykata Evropiane për Drejtësi në vendimin e saj.

Shumë anëtarë të gjyqësorit në Poloni e kanë mirëpritur këtë vendim.

“Gjykata Evropiane ka vënë limite në fuqinë politike”, ka thënë avokatja Marcjanna Debska.

“Ajo nuk u referohet vetëm vendimeve, por edhe situatës politike, dhe kjo nënkupton se gjykata mund ta shohë qartë se çfarë po ndodh në Poloni”.

Mirëpo një anëtare e partisë në pushtet Ligji dhe Drejtësia, avokatja Krystyna Pawlowicz, e ka kritikuar vendimin, duke thënë se “nuk ka bazë ligjore dhe është kundër sistemit ligjor të Polonisë.

XS
SM
MD
LG