Ndërlidhjet

Rritet zemërimi për gënjeshtrat që çuan në vrasjen e mësuesit francez


Mësuesi i vrarë francez Samuel Paty.

Avokatja e familjes së Samuel Patyt, mësuesit francez që i është prerë koka muaj më parë në Francë, ka shprehur zemërim të martën lidhur me gënjeshtrat e shpërndara në rrjetet sociale, të cilat kanë rezultuar me vrasje.

Paty, mësues i shkollës fillore në një qytet afër Parisit, është vrarë në tetor të vitit të kaluar nga një adoleshent radikal çeçen, pas shfaqjes së karikaturave të Profetit Muhamed në një orë mësimi për lirinë e shprehjes.

Vajza 13-vjeçare i ka thënë policisë se ka gënjyer për pjesëmarrjen në klasë dhe ka akuzuar rrejshëm mësuesin, i cili u ka kërkuar fëmijëve myslimanë që të dalin nga klasa, teksa ka treguar fotografitë.

Babai i saj, i cili është akuzuar për lidhje me vrasjen, pati postuar disa materiale në rrjetin social Facebook, duke u bazuar në dëshminë e vajzës së tij.

“Gjithçka në hetime ka treguar shumë herët se ata kanë gënjyer” ka thënë avokatja e familjes Virginie Le Roy për radion RTL të martën.

Ajo ka thënë se ka qenë “skeptike” për mënyrën e tregimit të ngjarjeve nga vajza, e cila ka thënë se e ka konsideruar veten si zëdhënëse të nxënësve tjerë dhe ka dëshiruar të impresionojë babain e saj.

“Zëdhënëse për çfarë? Gënjeshtra, ngjarje që nuk kanë ndodhur kurrë? Ky sqarim nuk më bind mua dhe më zemëron, sepse faktet janë serioze, janë tragjike”, ka thënë Le Roy.

Vrasja e Patyt ka shokuar Francën dhe ka rezultuar me debate të reja për lirinë e shprehjes, integrimin e popullsisë së konsiderueshme myslimane në Francë dhe rolin e rrjeteve sociale në nxitje të urrejtjes.

Paty është vrarë në qytezën Conflans-Sainte-Honorine, nga një 18-vjeçar, i cili ka parë fushatën online kundër mësuesit, e nxitur nga babai i nxënëses dhe një tjetër burrë, i njohur si predikues islamik.

Të dy individët mbrapa videove në Facebook janë akuzuar për “përfshirje në vrasje”, për shkak të postimeve të tyre dhe janë duke pritur gjyqin, derisa nxënësja është akuzuar për shpifje.

Vrasësi i mësuesit është qëlluar nga policia.

XS
SM
MD
LG