Ndërlidhjet

Katërmbëdhjetë shtete të shqetësuara me raportin e OBSH-së


Peter Ben Embarek, një anëtar i ekipit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) merr pjesë në konferencën për shtyp në një hotel në Vuhan, provinca Hubei , Kinë, shkurt 2021.
Peter Ben Embarek, një anëtar i ekipit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) merr pjesë në konferencën për shtyp në një hotel në Vuhan, provinca Hubei , Kinë, shkurt 2021.

Shtetet e Bashkuara dhe 13 vende të tjera janë shprehur të shqetësuara me raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në lidhje me origjinën e koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Ato i kanë bërë thirrje Kinës që të sigurojë "qasje të plotë" në të gjitha të dhënat për shpërthimin e pandemisë.

Reagimi erdhi pasi hetuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) lëshuan një raport mbi një studim të kryer me ekspertë kinezë për origjinën e COVID-19.

Këto vende thanë përmes një deklarate se “ndajnë shqetësimin e përbashkët” në lidhje me këtë studim dhe se ato mbështesin përgatitjen e një analize transparente dhe të pavarur për origjinën e koronavirusit "pa ndërhyrje dhe ndikim të padrejtë".

Deklarata është nënshkruar nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara, Izraelit, Mbretërisë së Bashkuar, Danimarkës, Australisë, Kanadasë, Republikës Çeke, Estonisë, Japonisë, Letonisë, Lituanisë, Norvegjisë, Republikës së Koresë dhe Sllovenisë.

Këto vende gjithashtu theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit për të zhvilluar një proces transparent dhe shkencor në lidhje me vlerësimet ndërkombëtare të shpërthimeve të pandemive në të ardhmen.

Deklarata u publikua në faqen e Departamentit amerikan të Shtetit, disa orë pasi shefi i ekipit të OBSH-së, Peter Ben Embarek, paraqiti rezultatet e fazës së parë të hulumtimit të origjinës së mundshme të koronavirusit në një konferencë shtypi në Gjenevë.

"Ky është vetëm fillimi i këtij studimi shumë kompleks që duhet të kryhet", tha Ben Embarek.

"Kjo është një punë në progres", shtoi ai, duke kërkuar nga të gjithë më shumë durim.

Edhe kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se duhen hetime të mëtejshme për të përjashtuar përfundimisht teorinë se koronavirusi ka dalë nga një laborator në Kinë.

Ghebreyesus tha të martën se rrjedhja nga laboratori është shkaku më pak i mundshëm, porse duhet bërë një hulumtim më i gjerë.

Ghebreyesus tha se anëtarët e ekipit "shprehën vështirësitë që hasën në qasjen e të dhënave të papërpunuara" ndërsa ishin në Kinë dhe ai pret që studimet e ardhshme të përfshijnë ndarjen më të plotë të të dhënave.

Një udhëtim kërkimor nuk ishte i mjaftueshëm për të gjetur të gjitha përgjigjet, tha ai.

Koronavirusi është zbuluar për herë të parë në qytetin Vuhan të Kinës, në fund të vitit 2019.

Qeveria e Kinës i ka hedhur poshtë akuzat për daljen e virusit nga laboratori. Një ekip i ekspertëve ndërkombëtarë ka udhëtuar në Vuhan në janar, për të hetuar origjinën e virusit. Ekipi e ka hedhur poshtë teorinë që virusi të ketë dalë nga laboratori, por hulumtimi i tij është mbështetur në mostra dhe prova të siguruara nga zyrtarët kinezë.

Koronavirusi ka prekur mbi 127 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 2.7 milionë vetë kanë vdekur dhe mbi 72 milionë janë shëruar.

Vendi më i prekur në botë është SHBA-ja me mbi 30 milionë të infektuar dhe mbi 550,000 viktima.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

XS
SM
MD
LG