Ndërlidhjet

Në seancën për zgjedhjen e presidentit, 84 deputetë


Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se ekziston kuorumi për zhvillimin e seancës.

Të pranishëm në sallë janë 84 deputetë, të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe. Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po merr pjesë vetëm deputetja Albena Reshitaj ndërsa nga Partia Demokratike të Kosovës të pranishëm janë, Enver Hoxhaj dhe Bedri Hamza. Deputetët e Listës Serbe, po i bojkotojnë punimet e kësaj seance.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit është Vjosa Osmani-Sadriu, e cila në këtë garë, për kundërkandidat do të ketë Nasuf Bejtën.

Pas prezantimit zyrtar të dy kandidatëve, kuvendi autorizoi Komisionin për legjislacion dhe mandate që të verifikojë nëse kandidatët për president plotësojnë kushtet për garë.

Sipas Kushtetutës, në garë për president duhet të jenë të paktën dy kandidatë, të cilët paraprakisht duhet të sigurojnë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, dhe më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

XS
SM
MD
LG