Ndërlidhjet

Votimi për presidentin kalon në raundin e tretë


Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Dy kandidatët për president të Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe Nasuf Bejta, nuk kanë arritur të marrin 80 votat e nevojshme për zgjedhjen në këtë post, as në raundin e dytë të votimit në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë raund votuan 82 deputetë nga 84 sa ishin të pranishëm në sallë. Vjosa Osmani-Sadriu mori 67 vota ndërsa Nasuf Bejta 4 vota. Të pavlefshme u shpallën 11 vota të deputetëve.

Në përsëritjen e votimit në raundin e parë, kishin votuar 81 deputetë, duke i siguruar 69 vota, Vjosa Osmani-Sadriut, ndërsa kandidati tjetër, Nasuf Bejta nuk kishte marrë asnjë votë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës në dy raundet e para të votimit kërkohet që njëri nga kandidatët të fitojë së paku 80 vota për të fituar pozitën e presidentit. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë kalohet në raundin e tretë të votimit, në të cilin njërit prej kandidatëve i duhet së paku 61 vota për t'u zgjedhur president i Kosovës.

Seanca e Kuvendit të Kosovës kishte filluar të shtunën, mirëpo ajo u shty për të dielën pasi në dy votime të raundit të parë të votimit nuk u arrit kuorumi i nevojshëm i votave. Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë.

Të pranishëm në sallë në seancën e së shtunës ishin 82 deputetë.

Të dielën në seancë kanë marrë pjesë 84 deputetë duke siguruar kuorimin në votat e hedhura për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Votimi i është bojkotuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Liste Serbe ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë pjesë vetëm deputetja, Albena Reshitaj.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

XS
SM
MD
LG