Ndërlidhjet

Presidentja Osmani: Gratë dhe vajzat të mos e ndalin hapin kurrë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu në fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, menjëherë pasi u zgjodh në këtë pozitë, tha se sot është “ditë e Kosovës dhe demokracisë së saj”, duke shtuar se ky post e mvesh atë me përgjegjësi të madhe.

"Sot është dita kur vullneti juaj (i qytetarëve) i shprehur me 14 shkurt po jetësohet", tha ajo.

Në pjesë të fjalimit të saj Osmani-Sadriu, ua kushtoi vajzave dhe grave të Kosovës.

“Vajzat e kanë vendin vetëm aty ku ato vetë dëshirojnë, aty ku ato çdo natë ëndërrojnë, aty për çka punojnë me zell. Pa marrë parasysh nëse ëndërroni të bëheni presidente, juriste, ndërmarrëse, police, ushtare apo çdo profesion tjetër, që ua do zemra, mos e ndalni hapin tuaj kurrë, çdo gjë është e mundur e çdo ëndërr e juaja mund të bëhet realitet dhe për këtë duhet të besojmë bashkë fort. Do t’ju mbështes me gjitha mundësitë që kam e me gjithë qenien time”, tha Osmani.

Presidentja u bëri thirrje politikanëve në Kosovë, që të ndërtojnë kulturën politike të bashkëpunimit dhe tolerancës. "Nuk janë kohë të lehtë, sfidat janë të shumta veçanërisht ajo me pandeminë e cila kërkon që të bëhemi bashkë për ta luftuar", tha Osmani.

Ajo u zotua se do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e vendit.

"Sot zotohem para jush se do të punojë çdo ditë ta forcojë shtetin tonë, republikën e Kosovës, sundimin e ligjit, të garantojë mbrojtjen e lirive themelore njerëzore dhe jetës së dinjitetëshme për të gjithë. Sot zotohem se do ta mbrojë çdo pëllëmbë të Kosovës dhe do të angazhohemi pa kursim për të garantuar pacenueshmërinë e integritetit territorial institucional dhe sovranitetit të vendit", tha Osmani.

Me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Vjosa Osmanin në postin e presidentes.

Ajo fitoi në raundin e tretë të votimit. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet, Nasuf Bejtën. Në raundin e tretë të votimit morën pjesë 82 deputetë, ku 11 vota ishin të pavlefshme.

Kosova, për herë të dytë zgjedh një grua në krye të shtetit. Këtë pozitë në vitet 2011-2016 e kishte mbajtur, Atifete Jahjaga.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

XS
SM
MD
LG