Ndërlidhjet

Gjermania synon tërheqjen nga Afganistani deri më 4 korrik


Një ushtar i forcave të armatosura gjermane në një helikopter CH-53 në Afganistan. Foto nga arkivi.
Një ushtar i forcave të armatosura gjermane në një helikopter CH-53 në Afganistan. Foto nga arkivi.

Gjermania është duke shqyrtuar planet për të caktuar një datë të tërheqjes së trupave nga Afganistani, raportojnë mediat.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë, ka thënë se ligjvënësit janë informuar për planet dhe se po zhvillohen konsultimet edhe me aleatët e NATO-s.

"Po e konsiderojmë datën 4 korrik për tërheqjen e forcave”, i tha agjencisë AFP një zëdhënës i ministrisë, duke theksuar se vendimi përfundimtar do të merret nga NATO-ja.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, javën e kaluar njoftoi për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani deri me 11 shtator.

Ky afat është katër muaj më vonë se afati paraprak i vendosur nga administrata e mëparshme amerikane e cila kishte arritur një marrëveshje me kryengritësit talibanë.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, më parë kishte caktuar mesin e gushtit si afatin e fundit për largimin e trupave të vendit të saj.

Sipas marrëveshjes së arritur në Doha, midis zyrtarëve të administratës së mëparshme amerikane dhe talibanëve, të gjitha forcat e huaja do të duhej të largoheshin nga Afganistani deri më 1 maj. Në këmbim të kësaj grupi militant ka dhënë garanci se do të ndërpresë lidhjet me Al-Kaidën dhe do të refuzojë strehimin e terroristëve të huaj.

Talibanët gjithashtu u zotuan të negociojnë një armëpushim dhe një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me qeverinë afgane.

Më 21 prill, Turqia tha se është shtyrë një konferencë ndërkombëtare e paqes për Afganistanin e planifikuar për këtë javë.

Zyrtarët afganë dhe përfaqësuesit e Talibanëve nuk i kanë komentuar arsyet e shtyrjes.

XS
SM
MD
LG