Ndërlidhjet

Rreziqet nga mosmarrja e vaksinës


Qytetarët në sallën "1 Tetori" në Prishtinë, pas marrjes së vaksinës kundër koronavirusit. Prishtinë, 23 gusht 2021.
Qytetarët në sallën "1 Tetori" në Prishtinë, pas marrjes së vaksinës kundër koronavirusit. Prishtinë, 23 gusht 2021.

Varianti Delta – që fillimisht u shfaq në Indi në tetor të vitit 2020 – që është përhapur gjithandej botës dhe po shkakton rritjen e rasteve me koronaviurs dhe vdekjeve nga ky virus, ka bërë që institucionet kryesore të shëndetit publik të bëjnë thirrje që qytetarët të vaksinohen.

Në Kosovë të dielën u shënuan 36 vdekje – shifra më e lartë e viktimave brenda një dite që prej fillimit të pandemisë – dhe sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, mbi 90 për qind e viktimave ishin të pavaksinuar. Vetëm pesë prej viktimave kishin të paktën një dozë të vaksinës, thanë autoritetet.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjes (CDC) të Shteteve të Bashkuara, Delta është mbi dy herë më ngjitëse se variantet paraprake të koronavirusit.

CDC-ja në muajin gusht ka përditësuar rekomandimet e saja dhe tani po kërkon që shtetasit amerikanë, pavarësisht nëse janë të vaksinuar plotësisht, të mbajnë maskë në hapësira të mbyllura.

“Disa të dhëna sugjerojnë se varianti Delta mund të shkaktojë sëmundje më të rëndë sesa variantet e tjera në personat e pavaksinuar”, tha CDC-ja.

CDC-ja thotë se në bazë të dy studimeve të kryera në Kanada dhe Skoci, pacientët e infektuar me variantin Delta kishin më shumë gjasa të hospitalizoheshin sesa personat e infektuar me variantin Alfa apo variantin origjinal të virusit që shkakton sëmundjen COVID-19.

“Por, pavarësisht kësaj, shumica e hospitalizimeve dhe vdekjeve të shkaktuar nga COVID-19 janë te personat e pavaksinuar”, thekson CDC-ja.

Terapi dhe vaksina të reja kundër COVID-19
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:15 0:00

Prandaj, CDC vlerëson se personat e pavaksinuar paraqesin “rrezik të madh” që të infektohen dhe ta transmetojnë virusin, pavarësisht se edhe personat e vaksinuar, që infektohen e bartin virusin te të tjerët.

Përderisa vaksinat nuk ofrojnë mbrojtje 100 për qind ndaj virusit, vaksinat “ofrojnë mbrojtjen më të mirë kundër sëmundjes së rëndë dhe vdekjes”, thotë institucioni kryesor amerikan për shëndetin publik.

Ndërkaq, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjes (ECDC) thotë se vaksinimi kundër koronavirusit është i rëndësishëm për të mbrojtur njerëzit që janë në rrezik më të madh nga sëmurja e rëndë dhe hospitalizimi. Po ashtu, sipas kësaj qendre, vaksinimi “ul përhapjen e virusit dhe parandalon shfaqjen e varianteve të reja” të COVID-19.

“Përderisa vaksinat aktuale janë shumë efektive në mbrojtjen e njerëzve nga sëmundja e rëndë nga COVID-19, derisa një numër më i lartë i popullsisë të imunizohet, nuk e kemi tejkaluar rrezikun. Tani, jemi dëshmitarë të rritjes së rasteve me COVID-19 në mbarë Evropën dhe vaksinat vazhdojnë të jenë opsioni më i mirë për të parandaluar rritjen e sëmundjes së rëndë dhe vdekjes”, ka thënë Mike Catchope, shef i shkencëtarëve në ECDC.

Vaksinat dhe personat me sistem të kompromentuar imunitar

Pjesa e popullatës që është më e rrezikuar nga koronavirusi është ajo që ka sistem të kompromentuar imunitar. Në SHBA, 3 për qind e popullatës së rritur bëjnë pjesë në këtë grup dhe ata rrezikohen që nëse preken nga COVID-19 “të kenë sëmundje më të gjatë”.

Sipas CDC-së personat që konsiderohen me sistem të komprometuar imunitar janë personat që janë duke iu nënshtruar trajtimeve për kancer dhe tumorë, ata që kanë dhuruar organe, që kanë pranuar organe në të paktën dy vjetët e fundit, që vujanë nga sëmundje që lidhen me sistemin imunitar siç është sindroma DiGeorge dhe Wiskott-Aldrich, personat me HIV që e kanë sëmundjen e avancuar dhe personat që marrin terapi për përgjigje imunitare.

CDC thotë se studimet thonë se personat me sistem të kompromentuar imunitar “jo gjithmonë kanë nivelin e njëjtë të imunitetit pas vaksinimit sikurse personat që nuk kanë sistem të kompromentuar imunitar, prandaj ata mund të përfitojnë nga dozat shtesë në mënyrë që të kenë mbrojtje adekuate kundër COVID-19”.

SHBA-ja veçse ofron dozë të tretë të vaksinës për këta persona, e cila merret 28 ditë pas dozës së dytë të vakinës. Ndërkaq, po ashtu do të jepen edhe doza përforcuese për të gjithë qytetarët amerikanë të vaksinuar me dy doza, pasi disa studime kanë gjetur se niveli i mbrojtjes nga vaksinat dobësohet pas një kohe.

Ndërkaq, sipas një studimi tjetër, personat që kanë sistem të kompromentuar imunitar, e që janë të vaksinuar plotësisht, kanë më shumë gjasa që të infektohen sërish dhe ta përhapin sëmundjen.

Situata epidemiologjike në Ballkanin Perëndimor

Situata epidemiologjike në shtetet e Ballkanit Perënidmor së fundmi është përkeqësuar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha më 29 gusht, se Kosova gjendet “në një pikë kritike” sa i përket pandemisë COVID-19.

Po këtë ditë, Kosova regjistroi 36 viktima – shifra më e lartë e rasteve me fatalitet brenda një dite që prej se u shfaqën rastet e para me koronavirus në Kosovë më 13 mars 2020. Po ashtu, u regjistruan 1.630 raste të reja.

Ndërkaq, Maqedonia e Veriut regjistroi 27 viktima dhe 674 infektime të reja, në Serbi u regjistruan nëntë të vdekur dhe 1.722 infektime, Mali i Zi regjistroi katër viktima dhe 566 raste me COVID-19, Kroacia regjistroi një viktimë dhe 377 raste si dhe Bosnjë e Hercegovina regjistroi një viktimë dhe 322 raste me koronavirus.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG