Ndërlidhjet

Berlini bëhet magnet për polakët e komunitetit LGBT+


Dy pjesëtarë të Paradës së Krenarisë, të mbajtur këtë vit në Berlin.
Dy pjesëtarë të Paradës së Krenarisë, të mbajtur këtë vit në Berlin.

Kur politikanët konservatorë kanë nisur të bëjnë fjalime kundër komunitetit LGBT+ në fushatë, Piotr Kalwaryjski, një homoseksual nga perëndimi i Polonisë, e ka kuptuar se është koha që t’i paketojë plaçkat.

Disa javë pas zgjedhjeve parlamentare evropiane të vitit 2019, Kalwaryjski dhe i dashuri i tij janë bartur nga qyteti Poznan drejt Berlinit – duke rritur numrin e polakëve të komunitetit LGBT+, të cilët i kanë ikur homofobisë në shtëpi dhe kanë shkuar në kryeqytetin gjerman.

“Kjo ka qenë hera e parë që ata kanë përdorur hapur retorikë homofobike”, ka thënë 27-vjeçari, që punon në fushën e teknologjisë, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

“E kam ditur se Polonia nuk është vend i përshtatshëm për homoseksualët, por ata kanë mundur të jetojnë lirshëm në qytetet më të mëdha. Mirëpo ajo gjë ka qenë e tepërt”.

Polonia renditet në fund të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian sa i përket mbrojtjes ligjore për komunitetin LGBT+, sipas grupit për mbrojtje të këtij komuniteti, ILGA-Europe.

Dhjetëra autoritete lokale kanë publikuar në gjithë shtetin të ashtuquajturat deklarata për “ideologji të lirë nga LGBT”, të cilat janë dënuar në rrafsh ndërkombëtar dhe kanë kërcënuar me humbje të qasjes në fonde të BE-së.

Të drejtat e këtij komuniteti në Poloni kanë qenë cak i presionit të madh prej vitit 2015 kur partia nacionaliste, Ligji dhe Drejtësia (PiS) ka ardhur në pushtet, mirëpo për disa pjesëtarë, zgjedhjet e vitit 2019 kanë qenë shtysa e fundit.

“Për partinë e krahut të djathtë, që është në pushtet, pjesëtarët e komunitetit LGBTQ+ janë një ideologji. Ne nuk jemi njerëz, ne nuk jemi normalë. Ata na kanë bërë të dukemi si armiku i tyre publik”, ka thënë Fifi Kuncewicz, 26-vjeçare, e cila e identifikon veten si pa gjini.

“Jam më e sigurt këtu sesa në Poloni”, ka thënë Kuncewicz, e cila është bartur në Berlin në tetor të vitit 2019, dhe punon për një kompani të rrjeteve sociale.

Largimi i të rinjve të talentuar sikurse Kuncewicz dhe Kalwaryjski, vjen në kohën e paralajmërimeve se politikat homofobike dhe diskriminimi janë duke shkaktuar “ikje të trurit” dhe humbje ekonomike në disa shtete përfshirë Poloninë, Hungarinë dhe Ukrainën.

“Qasje e dhunshme”

Marta Malachowska, 31-vjeçare, lezbike që po ashtu punon në rrjete sociale dhe është bartur në Berlin në dhjetor të vitit të kaluar, ka thënë se kishte nisur të shqetësohej kur mbante dorën e të dashurës së saj nëpër rrugët e Varshavës, ndërkohë që politikanët kanë nxitur ndjenjat kundër komuntetit LGBT+.

“Kur kemi nisur të dëgjojmë qeverinë duke thënë gjëra rreth homofobisë, atëherë kemi nisur të shohim qasje të dhunshme në shoqëri”, ka thënë ajo për Reuters.

Ndërsa në Berlin, “askujt nuk i intereson me kë jeton, kë e do – nuk është punë e askujt”, ka thënë ajo.

Raportimet për krime me bazë urrejtjen kundër këtij komuniteti në Poloni, janë më shumë se dyfishuar, duke arritur në 150 më 2019, sipas të dhënave zyrtare, ndonëse shifrat e vërteta besohet se janë shumë të larta, për shkak të hezitimit të thellë për të raportuar sulme homofobike.

Një sondazh i vitit 2020, i realizuar nga Bashkimi Evropian, ka gjetur se vetëm 16 për qind e komunitetit LGBT+ ka shkuar në polici për të raportuar sulmet e fundit homofobike kundër tyre.

“Katër vjet më parë, ka qenë e lehtë që të raportohen këto raste, mirëpo personat LGBT+ janë të frikësuar që të raportojnë raste në polici”, ka thënë Lidka Makowska, edukatore për të drejtat e njeriut në Gdansk, në veri të Polonisë.

“Oazë e çuditshme”

Shumë polakë të komunitetit LGBT+ që jetojnë në Berlin, kanë thënë se arsyeja se pse kanë vendosur të jetojnë në këtë qytet është se i ka pranuar këta persona përtej gjinisë dhe pëlqimeve tjera, ndonëse ky shtet nuk i ka ikur rritjes prej 36 për qind të krimeve me bazë urrejtjen ndaj komunitetit LGBT+ në Gjermani.

“Neve na duhet ta vëmë në pikëpyetje këtë ide që Berlini është oazë e çuditshme. Dhe sërish, është më i sigurt sesa jetesa në Poloni”, ka thënë Kuncewicz.

Megjithatë, çiftet e gjinisë së njëjtë mund të martohen, e drejtë që nuk njihet në Poloni, dhe qyteti ofron një varg mundësish, përfshirë punë të mira dhe komunitet të zhvilluar të personave të huaj.

“Është goxha e përshtatshme, në krahasim me kryeqytetet tjera evropiane”, ka thënë Dawid Mazur, homoseksual që ka ikur nga Polonia më 2016, dhe është kthyer në Berlin, pas një tentimi për jetesë në Londër.

“Është një komunitet i madh polak në Londër, mirëpo qyteti është shumë i shtrenjtë dhe Brexiti nuk i ka bërë gjërat më të lehta”, ka thënë ai.

“Plus është afër Polonisë, më duhen vetëm katër orë apo pesë për të vizituar miqtë e mi atje”.

Në Poloni, aktivisti për të drejta të njeriut, Jakub Gawron, 40-vjeçar, është duke pritur gjykimin për shpifje për komentet e tij rreth një rezolute të miratuar në qytezat dhe rajonet polake.

Nëse dënohet, ai nuk do të ketë zgjidhje tjetër, përveç se të ikë.

“Do të më duhet të paketohem dhe të ik”, ka thënë Gawron, i cili është pjesërisht i shurdhër.

Dy vjet qëkur ka ikur, Kalwaryjski, ka thënë se tashmë e konsideron Berlinin shtëpi.

“Për shumë gjermanë, unë ende jam e huaj dhe do të jem gjithmonë. Por, a e dini çfarë? Është më mirë të ndihesh i huaj këtu sesa homoseksual në Poloni”, ka thënë ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG