Ndërlidhjet

Kosova do të zhytet në krizë financiare?!


Mosdhënia e këstit të dytë të kredisë Kosovës, në shumë prej 40 milionë eurosh, nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjë që ka qenë e paraparë të ndodhë në fund të marsit, tregon shenja të qarta se marrëdhëniet midis Kosovës dhe këtij institucioni janë çrregulluar në masë të madhe, vlerësojnë ekspertët e çështjeve ekonomike.

Kjo, siç theksojnë ata, ka ndodhur për shkak të vendimit të Qeverisë për ngritjen e pagave deri në 50 për qind për sektorë të caktuar, vendim ky, i cili ishte kundërshtuar nga FMN-ja.

Eksperti për ekonomi, Muhamet Sadiku, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se mosdhënia e këstit të dytë të kredisë nga FMN-ja është vetëm pasoja e parë e çrregullimit të marrëdhënieve të këtij fondi me Kosovën.

“Raportet e Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar janë të çrregulluara. Me këtë çrregullim të raporteve, Kosova jo vetëm që po e rrezikon ndihmën nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndihmën për buxhetin, por po rrezikon edhe të gjitha donacionet tjera, duke përfshirë donacionet e Komisionit Evropian, pastaj edhe ndihmën e Bankës Botërore”.

“Kjo mund të shkojë aq larg, saqë edhe disa donatorë tradicionalë të Kosovës, mbi baza bilaterale, të tregojnë hezitim që të vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën. Kjo situatë është shumë e paqartë dhe e dëmshme për Kosovën”,
thekson Sadiku.

Mendim të ngjashëm ka edhe Musa Limani, drejtues i Institutit Ekonomik të Kosovës dhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Ai thotë se kreditë e FMN-së ndaj Kosovës janë të humbura, për shkak të, siç shprehet, prishjes së marrëdhënieve.

“Ato, me siguri se Kosova nuk do t’i realizojë tani, prandaj do të jetë në minus për ato mjete. Në shtegun afatgjatë, unë mendoj se do të ketë reperkusione shumë negative... Jemi treguar jo të disiplinuar si anëtar i rregullt i këtij institucioni shumë të rëndësishëm ndërkombëtar financiar”, thotë Limani.

Por, sipas këtyre ekspertëve të ekonomisë, e gjithë kjo situatë, duke përfshirë edhe miratimin e buxhetit nga Kuvendi i Kosovës, si dhe shpenzimet që e tejkalojnë nivelin e këtij buxheti, është potencialisht e rrezikshme që vendin ta çojë në deficit të thellë buxhetor.

Sadiku thotë se iniciativat shpenzuese të Qeverisë së Kosovës janë dukshëm më të mëdha se kapacitetet e të hyrave buxhetore dhe një gjë e tillë, sipas tij, do të ketë pasoja.

“Kosova, nën mungesën e ndihmës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucionet tjera, këtë vit mund ta përfundojë me deficit primar buxhetor prej rreth 200 milionë eurosh”.

“Ky deficitit është tejet serioz. Kosovës, si shtet i ri, nuk i duhet të hyjë në një çrregullim makroekonomik, sepse kjo do të shprehej në kualitetin e zhvillimit të Kosovës, do të shprehej në mungesën e jetës sociale, do ta konservonte papunësinë dhe varfërinë, të cilat janë në nivel të lartë”,
deklaron Sadiku.

Limani parasheh që deficiti të jetë edhe më i thellë.

“Nga ajo që ne dimë që në fillim, Kosova ka hyrë në një deficit prej 300 milionë apo deri në 400 milionë euro, për arsye se mjetet buxhetore i ka parë në shitjen e PTK-së”.

“Prandaj, në aspektin profesional, them se është thyer Ligji mbi buxhetin, për arsye se, në asnjë moment, buxheti nuk guxon të bëhet me burime jo të sakta për krijimin e mjeteve buxhetore. Fondi nuk e mbështet, nuk jep donacione. Atëherë, sigurisht se do të paraqitet një krizë financiare”,
thotë Limani.

Këta ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se pasojat nga deficiti i mundshëm do të reflektonin edhe vitin e ardhshëm. Sipas tyre, pasojë eventuale mund të jetë edhe një kolaps financiar në Kosovë.
XS
SM
MD
LG