Ndërlidhjet

Tadiq po realizon idenë e Qosiqit?!


Ideja për ndarjen e Kosovës duhet të përjashtohet tërësisht nga dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës.

Ata i kundërshtojnë fuqishëm deklaratat e kryenegociatorit serb në bisedime, Borko Stefanoviq, i cili ka thënë se “nuk përjashtohet asnjë opsion për t’u biseduar, përfshirë këtu edhe ndarjen e Kosovës”.

Politikania nga Graçanica, Rada Trajkoviq, deputete nga Lista e Përbashkët Serbe në Kuvendin e Kosovës, thotë se ideja për ndarjen e Kosovës dhe deklaratat që e përçojnë këtë ide, nuk i shërbejnë stabilitetit të qytetarëve dhe rajonit në përgjithësi.

Rada Trajkoviq
“Unë mendoj se ky është një projekt, i cili aspak nuk i konvenon para së gjithash rajonit, e fundja as Serbisë. Kjo për shkakun se, në bazë të këtij principi, kam frikë se procesi i shpërbërjes së Serbisë do të vazhdonte edhe më tutje”.

“Unë mendoj se shtetet serioze nuk do t’i lejojnë bisedimet në atë mënyrë. Në anën tjetër, unë thellësisht besoj se edhe Serbia, pavarësisht se çfarë ka deklaruar Stefanoviq, nuk ka menduar në projektin e ndarjes së Kosovës”,
thotë Trajkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, kjo ide më shumë ka të bëjë me matjen e pulsit të opinioneve në Kosovë dhe Serbi. Kandidimi i kësaj teme nga zyrtarët serbë, shton Trajkoviq, është bërë për të nxitur reagime dhe për të marrë mbështetjen për vazhdimin e ‘status quo’-s.

Deklaratat e Stefanoviqit i kundërshton edhe Marko Jakshiq, lider serb në veriun e Kosovës. Sipas tij, këto deklarata janë në kundërshtim me rezolutën e Kuvendit të Serbisë për Kosovën.

Ndryshe nga zonja Trajkoviq, Jakshiq vlerëson se pohimet e kryenegociatorit serb nuk e shprehin vetëm qëndrimin e tij personal, por edhe idetë e zyrtarëve më të lartë të Serbisë.

“Mendoj se deklarata e përfaqësuesit serb nuk është e zgjuar dhe nuk i përgjigjet momentit politik. Nuk besoj se kjo deklaratë është dhënë me vetiniciativë. Besoj se pas kësaj deklarate qëndrojnë ministri (i Jashtëm) Jeremiq dhe kryetari i Serbisë, Boris Tadiq”.

“Kjo ide fuqishëm është e pranishme te kryetari Boris Tadiq, përmes së cilës ai mendon që mund ta realizojë opsionin e vjetër politik të Dobrica Qosiqit, që të ndahet Kosova, fundja edhe në skajet e saj”,
thekson Jakshiq.

Këta politikanë serbë kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me mundësinë e ndikimit të këtyre deklaratave në suksesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Trajkoviq thotë se të dyja palët janë të pozicionuara skajshmërisht kur bëhet fjalë për statusin e Kosovës si shtet i pavarur. Një gjë e tillë, sipas saj, do të jetë barriera më e madhe për të ecur drejt zgjidhjes së problemeve, për të cilat edhe po bisedohet.

“Të dyja palët, sado që dëshirojnë të jenë, siç thuhet, evropiane, nuk janë të gatshme të gjejnë ndonjë zgjidhje kreative në çështjet ku qartas definohet statusi i shtetit. Ndërkaq, një zgjidhje e tillë është e domosdoshme”.

“Do të thotë, duhet gjetur modalitete, të cilat në thelb do të jenë kreative dhe nuk do ta definonin as shtetin e Kosovës e as sovranitetin e Serbisë. Në një gjë të tillë qëndron zgjidhja për të gjithë ne”,
thotë Trajkoviq, për të shtuar se suksesi ose mossuksesi i procesit të dialogut do të varet krejtësisht nga ajo nëse do të bëjë Bashkimi Evropian presion te palët për gjetjen e “zgjidhjeve kreative”.

Marko Jakshiq
Në anën tjetër, Jakshiq shpreh bindjen se deklaratat e Stefanioviqit nuk do të ndikojnë në procesin e dialogut.

“Nuk do të ndikojnë në tempin e zhvillimit të dialogut. Ndërkaq, sa u përket rezultateve të këtij dialogu, ato duhet t’i lihen kohës. Mendoj se pala serbe, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme, nuk do të guxojë të jetë mjaft fleksibile”.

“Kjo varet edhe nga drejtuesi i Bashkimit Evropian, i cili me siguri se mund ta kushtëzojë Beogradin apo kryetarin e Serbisë, Boris Tadiq, duke i thënë se ‘nëse e dëshironi kandidimin (në BE), atëherë duhet që palës shqiptare t’i jepni koncesione të caktuara”,
thotë Jakshiq.

Tri raundet e deritashme të bisedimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret.


Kosova të reagojë më ashpër

Albana Isufi

Analistët kosovarë thonë se Prishtina zyrtare duhet të tregohet më e ashpër në reagimet ndaj Beogradit, pas deklaratave të kryenegociatorit serb, Borko Stefanoviq, se pala serbe nuk e përjashton mundësinë që të bisedojë edhe për ndarje.

Një mundësi të tillë e ka hedhur poshtë shefja e ekipit kosovar të bisedimeve, Edita Tahiri. Por, analisti Ismajl Hasani tha se duhet shkuar përtej reagimit të thjeshtë.

Pala kosovare do të duhej të bënte një reagim më të ashpër, duke insistuar që mbase edhe të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve të mëtejme, nëse Serbia nuk ndërgjegjësohet ose nuk i kthehet tryezës së bisedimeve, e jo shantazheve të tipit të ndarjeve të Kosovës, apo kinse organizmit të regjistrimit në vendin që e ka njohur shumica e konsiderueshme e shteteve që kanë fuqi botërore”, i tha Radios Evropa e Lirë Hasani.

Edhe para nisjes së dialogut ka pasur zëra se, megjithëse quhet dialog teknik, veriu i Kosovës, që vazhdon të jetë i pakontrolluar nga Prishtina, nuk do të mbetet pa u prekur.

Megjithatë, sipas analistit Behlul Beqaj, pala kosovare duhet të këmbëngulë në trajtimin e temave teknike.

Nuk duhet të sillen me injorancë karshi kësaj ideje, por duhet të jenë këmbëngulës në përcaktimin e itinerarit nga ana e palës kosovare, duke u nisur nga zgjidhja e problemeve të natyrës jetike, e jo të natyrës statusore”, tha Beqaj.

Të tri raundet e bisedimeve të mbajtura në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit nuk kanë dhënë rezultat konkret. Por, deklaratat politike, si ajo e Stefanoviqit, nga analistët në Prishtinë vlerësohen si indikatorë tjerë, që bisedimet të mos sjellin rezultate konkrete.

Ismajl Hasani tha se jo vetëm Stefanoviqi, por edhe zyrtarë të tjerë po provokojnë situatën.
Serbia do të duhej ndëshkuar qoftë me paralajmërimin e Kosovës për tërheqje nga bisedimet, qoftë me paralajmërimin e Kosovës në Zyrën e baroneshës Eshton...

“Konsideroj se Serbia do të duhej ndëshkuar qoftë me paralajmërimin e Kosovës për tërheqje nga bisedimet, qoftë me paralajmërimin e Kosovës në Zyrën e baroneshës Eshton, në SHBA, për të parë se është shkallë e duhur serioze e sjelljes së Serbisë në raport me bisedimet që po zhvillohen mes saj e Kosovës”, tha Hasani.

Në anën tjetër, Behlul Beqaj, tha se deklarata e Stefanoviqit për ndarje do të ketë ndikim, por jo aq të madh sa për të ndikuar në rrjedhën e bisedimeve.

“Mendoj se ndikimi është i dukshëm, por nuk mund të ndryshojë kahun e veprimit dhe përmbajtjet që janë të përcaktuara nga BE-ja, e jo nga palët që do të duhej gjoja të arrinin ndonjë marrëveshje për çështjet e hapura”, u shpreh Beqaj.

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Tomas Kantrimen, ka thënë dy ditë më parë se ndarja e Kosovës nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në tavolinën e bisedimeve.

Megjithatë, disa analistë në Kosovë nuk e përjashtojnë mundësinë që gjatë negociatave të bëhen aranzhime speciale për veriun, të cilat do të preknin edhe sovranitetin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG