Ndërlidhjet

PRISHTINA (NUK) SHEH ARSYE PËR NDËRHYRJE NGA JASHTË PËR ÇËSHTJEN E SIMBOLEVE


Zijadin Gashi

Përcaktimi i kritereve, se si do të duken simbolet e Kosovës, kërkon një marrëveshje politike, që do të kërkohet të arrihet sërish nesër, në një takim të delegacionit të Kosovës. Udhëheqësit e institucioneve dhe ata të partive opozitare, të përfaqësuar në Ekipin Negociues, që tash së fundit quhet vetëm Ekipi i Unitetit, do të mblidhen nesër, për të përcaktuar procedurat mbi të cilat do të shpalleshin simbolet. Ndërkohë, besohet se shpallja e simboleve mund të bëhet vetëm pasi që të jetë miratuar rezoluta e re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Mirëpo, deri te shpallja e tyre, ka disa procedura, për të cilat lidershipi i Kosovës ende nuk ka një marrëveshje. Skënder Durmishi, këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, thotë se Kuvendi do të procedojë në harmoni me marrëveshjen politike, që pritet të arrihet mbase në takimin e nesërm. “Çështja e statusit nuk do të pengohet për shkak të simboleve. Pra, ato do të bëhen bashkë me pavarësinë. Por, për këto vendosin instancat që kanë autoritet, kanë kompetencë dhe prej tyre pritet vendimi. Një mbledhje e tillë mbahet nesër dhe të shohim çfarë vendimesh do të merren. Në vazhdimësi është shtruar rëndësia e konsensusit politik dhe institucional, edhe nesër do të shtrohet, të shohim çfarë do të vendoset. Kuvendi është i gatshëm të procedojë në bazë të asaj që do të vendoset në takimin e nesërm”, ka thënë Durmishi. Ndërkohë, në analiza të ndryshme thuhet se lidershipi i Kosovës, në disa raste, ka dështuar të arrijë marrëveshje për çështje të ndryshme pa një ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht nga përfaqësues ndërkombëtarë, të involvuar në çështjen e Kosovës. Lidhur me ketë mundësi, zëdhënësi i Ekipit Negociues, Skënder Hyseni, thotë se Prishtina nuk e parapëlqen, që të ketë një ndërhyrje nga jashtë dhe beson se marrëveshja do të arrihet. “Ekipi i Unitetit nuk parapëlqen që dikush tjetër t’i përcaktojë ato simbole. Por, që ka vështirësi me simbolet, kjo është e natyrshme”, theksoi Hyseni. Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, beson se zvarritjet e Prishtinës, lidhur me përcaktimin e kritereve për simbolet, mund të shpijnë deri te ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar. “Me siguri, nëse forcat politike që janë të përfaqësuara në Parlament, nuk merren vesh për simbolet, natyrisht që komuniteti ndërkombëtar mund ta bëjë një ofertë. Dhe pastaj, ne e dimë që politika kosovare, ofertat që i bën komuniteti ndërkombëtar, sikur nuk e ka forcën për t’i kundërshtuar”, vlerësoi Krasniqi. Deri në nxjerrjen e rezolutës së re për Kosovën, sipas Jakup Krasniqit, në Prishtinë mund të kryhen disa procedura tjera, siç është përcaktimi i kritereve lidhur me dukjen e flamurit, stemës dhe himnit që do të ketë Kosova, pastaj përcaktimi i procedurave të konkurrimit dhe përzgjedhjes së tyre. Ai thotë se disa kritere janë përcaktuar edhe me pakon e Ahtisaarit, dhe bën thirrje që Prishtina ta respektojë vendimin e Kuvendit për zbatimin e kësaj pakoje. “Ne kemi shfaqur kërkesën, që të respektohet formimi i një komisioni politik, por edhe i përzier me ekspertë, të bëhet konkursi dhe pastaj të konkurrojnë grupe ekspertësh ose individë me ofertat e tyre, dhe përsëri një komision vlerësues; e pastaj, me votimin në Parlament, do të vijë deri te simbolet e Kosovës”, është shprehur Krasniqi. Ndërsa për simbolet, ende mbetet të përcaktohen kriteret bazë, një prej çështjeve që Qeveria e Kosovës e ka ngritur si më të ngutshme, është vendimi për pasaportën e Kosovës. Nëse eventualisht nuk do të kishte një vendim për simbolet, rrjedhimisht edhe për stemën, Qeveria ka propozuar që të ketë një marrëveshje për pasaportat, qoftë edhe për nxjerrjen e një pasaporte të përkohshme. Javën e kaluar, Qeveria ka miratuar projekt-ligjin për dokumentet e udhëtimit, duke mos e parashikuar fare emblemën e pasaportës, thotë zëdhënësja Ulpiana Lama. Ajo nuk e përjashton mundësinë, që Qeveria të përcaktohet edhe për një zgjidhje të përkohshme. “Çështja e hartimit të simboleve është një vendim i natyrës politike, që nuk e komplikon projekt-ligjin, por mund të komplikojë çështjen e prodhimit të dokumenteve të lëvizjes, përkatësisht pasaportave. Alternativë është dalja me një dokument të përkohshëm, ku nuk janë simbolet e Kosovës”, tha Lama. Ndryshe, bazuar në marrëveshjen për statusin, siç parasheh pakoja e Ahtisaarit, të gjitha vendimet, aktet dhe veprimet e Prishtinës, që kanë të bëjnë me zbatimin e kësaj pakoje, duhet të nënshkruhen nga përfaqësuesi i ri i Zyrës Civile Ndërkombëtare, që do të vendoset në Kosovë pas statusit. Mirëpo, ajo që kërkohet paraprakisht nga kosovarët, është që t’i kenë të gatshme për miratim, Kushtetutën, simbolet dhe ligjet bazike për zbatimin e marrëveshjes. Prandaj, delegacioni i Kosovës dhe ekipet që i ka formuar për këtë qëllim, në punën e tyre kanë në vazhdimësi dhe konsultime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Washingtonit, që përfaqësohen në Prishtinë, në mënyrë që të mos vijë deri te joharmonizimi mes asaj që kërkohet në pako dhe vendimeve që merr Prishtina në anën tjetër.


XS
SM
MD
LG