Ndërlidhjet

PËRSE BUSH SHPEJTON TË ZGJIDHË ÇËSHTJEN E KOSOVËS?


Jeremy Bransten

Presidenti i SHBA, George Bush tha gjatë vizitës në Tiranë se Kosova duhet të pavarësohet dhe kjo duhet të ndodhë së shpejti. Ai e përsëriti këtë edhe në Sofje.
A do ta forcojnë fjalët e fuqishme të z.Bush qëndrimin amerikan ndaj Kosovës, dhe a do të mbështeten nga Bashkimi Evropian? Çfarë qëndron prapa kësaj ndjenje të re të urgjencës për Kosovën?
George Bush tha në Sofje se Kosova duhet të pavarësohet nga Serbia.
"Është koha që të ecet me planin e Ahtisaarit. Amerika beson që Kosova duhet të jetë e pavarur", tha Bush, i cili vetëm e përsëriti atë që një ditë më parë e deklaroi në Tiranë.
Administrata amerikane një kohë të gjatë e mbështet planin e Ahtisaarit, i cili doli si rezultat i bisedimeve të pafrytshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Çështja e Kosovës ka acaruar dukshëm marrëdhëniet Shtetet e Bashkuara-Rusi. Presidenti rus Vladimir Putin, i cili vazhdimisht ndërlidh çështjen e Kosovës me të ashtuquajturat "konflikte të ngrira", ku Moska e ushtron ndikimin e saj. Këtu përfshihen Transnistria, Osetia Jugore, Abkhazia dhe Nagorno Karabahu.
Përse presidenti amerikan papritmas vendosi çështjen ta shtyjë përpara përkundër dëmtimit të mëtejmë të lidhjeve me Moskën? Çfarë don të thotë kjo?
Diplomatët dhe analistët thonë se këtu janë në pyetje disa faktorë. Mbi të gjitha, në mesin e shumë përfaqësuesve amerikanë dhe të Bashkimit Evropian, ekziston ndjenja se mospajtimi i Rusisë mbi çështjen e Kosovës nuk do të hiqet.
Kjo u ilustrua së fundi në samitin e G 8-ës në Gjermani, kur Putin e refuzoi ofertën e presidentit francez Nicolas Sarkozy që çështja e Kosovës të shtyhet për 6 muaj të tjerë.
Në Uashington dhe kryeqendrat evropiane, ka një ndjenjë në rritje se kalimi i kohës mund të shkaktojë një shpërthim të mundshëm të situatës në Kosovë, ku pritjet për pavarësinë janë të gjata. Autoritetet lokale janë nën presion nga popullata, e cila kërkon rezultate. Një diplomat i tha Radios Evropa e Lirë se "kosovarëve u është thënë në vitin 2005 se vendimi për statusin do të merret në 2006-ën. tash është mesi i 2007-ës, asgjë nuk ka ndodhur dhe njerëzit janë të padurueshëm", ka thënë diplomati i Kombeve të Bashkuara.
Aklex Anderson, drejtor për Kosovën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, thotë se gjithnjë e më shumë mbizotëron bindja bashkësia se ndërkombëtare ndoshta duhet të kërkojë zgjidhje tjera, por pa Rusinë.
"Njerëzit fillojnë të mendojnë për planin B, nëse këtë Rusia e bllokon. Mund të ndodhë që në muajt e ardhshëm gjërat të vështirësohen edhe më shumë për shkak të zgjedhjeve që vitn e ardhsdëm do të mbahen në Rusi", thotë Anderson.
Një skenar i mundshëm është që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre ta shtyjnë për votim të shpejtë në Këshillin e Sigurimit planin e Ahtisaarit. Por, nëse Rusia vë veto, atëherë do ta hapte kutinë e Pandorës.
Shumica në Prishtinë i interpretuan deklaratat e Bushit si pohim se Uashingtoni mund ta njohë njëanshëm pavarësinë e Kosovës, nëse dështon procesi në Kombet e Bashkuara. Por a thua këtë hap do ta ndjekin vendet evropiane? Anderson thotë se kjo është pyetja kyçe.
"Nuk jam i sigurtë për evropianët. Kjo është çështja kruciale. Evropianët kanë arritur të jenë unikë në mbështetje të planit të Ahtisaarit për pavarësinë e Kosovës, nëse do të kishte një rezolutë të Kombeve të Bashkuara. Por shtrohet pyetja nëse Bashkimi Evropian do të jetë i gatshëm të veprojë i bashkuar për Kosovën në rast se nuk do të ketë rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara", thotë Alex Anderson.
XS
SM
MD
LG