Ndërlidhjet

BISEDIMET PËR TË PAGJETURIT – PA REZULTAT KONKRET


Arton Konushevci

As në takimin e radhës së Grupit punues për persona të pagjetur, që u mbajt sot, në Prishtinë, nuk është arritur ndonjë rezultat konkret për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Përfaqësues të Kryqit të Kuq, që ndërmjetësuan takimin mes grupeve punuese të Prishtinës dhe Beogradit, thanë se megjithatë, palët janë dakorduar për vazhdimin e dhënies së informacioneve të ndërsjella. Përfaqësuesi i Grupit ndërkombëtar për të pagjeturit, Fransua Stamm, ka thënë se duhet të krijohet një dinamikë e re brenda mekanizmit të Grupit punues. Fransua Stamm tha se autoritetet më të larta të Beogradit dhe Prishtinës duhet të konfirmojnë përkushtimin për bashkëpunim më të madh. “Kam kërkuar seanca ‘ad hoc’ të grupeve punuese të të dy delegacioneve dhe të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në të ardhmen e afërt, në mënyrë që të definohet më mirë formula dhe kapitujt që duam t’i hapim për këtë çështje”, ka thënë Stamm. Pajazit Nushi, nga Grupi kosovar për persona të pagjetur, ka shprehur keqardhje që edhe më tej nuk ka informacione për 2047 persona, që figurojnë si të zhdukur. “Na vjen keq, që për 2047 persona, deri më tash nuk kemi as informacionin më të ulët, më të vogël, se ku mund t’i gjurmojmë varrezat për gjetjen e tyre. Por, duhet të jemi të vetëdijshëm, se një numër më i madh i tyre gjendet në Serbinë e sotme, një numër i vogël, fatkeqësisht, gjendet edhe në Kosovë”, është shprehur Nushi. Në anën tjetër, kryesuesi i Grupit për persona të pagjetur nga Beogradi, Velko Odalloviq, ka thënë se Komisioni për persona të pagjetur i Serbisë po bën përpjekje për të zbardhur fatin e personave të pagjetur. “Opinioni duhet të ketë sa më shumë informacione lidhur me të pagjeturit. Na ndihmoni edhe neve, të cilët kemi marrë mbi vete një obligim kaq të madh, që të zbardhim fatet e të pagjeturve”, ka thënë Odalloviq, duke shtuar se takimet e komisionit të përbashkët kanë dhënë rezultate, të cilat, siç tha ai, nuk janë të duhurat, por paraqesin hap përpara në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Sheremet Ademi, nga Asociacioni i familjarëve të personave të pagjetur, ka shprehur skepticizëm se mund të ketë ndonjë rezultat konkret nga takimet e mëtejme të grupeve punuese, pasi sipas tij, deri më tash bisedimet e tilla kanë përfunduar pa rezultate. “Më tepër flitet dhe përflitet për shkëmbimin e informacioneve, por fundja nuk kemi rezultat të prekshëm, konkret. Dhe, në takimin e sotëm, edhe nga aspekti familjar shprehëm një skepticizëm, se nëse vazhdohet me një trend të tillë të dialogëve, ndoshta efekti i këtyre dialogëve do të jetë vetëm dialogu që do shndërrohet në një monolog dhe pa rezultate të caktuara”, tha Ademi. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar njofton, se që nga takimi i fundit i Grupit punues që u mbajt në maj të vitit të kaluar, në Beograd, është konfirmuar vdekja e 259 personave, të cilët më parë figuronin si të pagjetur. Mbetjet e tyre u janë kthyer familjeve. Sipas listës së Grupit punues, aktualisht janë 2047 persona të pagjetur.

XS
SM
MD
LG